Si Berisha që po pengon transformimin e klasës drejtuese të opozitës; edhe Edi Rama, nga ana tjetër, po asfikson me një egërsi të pashoqe çdo mundësi karriere brenda Partisë Socialiste…
Edi Rama po synon të jappërcjellë mesazhin politik se ai është zgjidhje e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kur në fakt ka më shumë se një alternativë. Madje ka precedent evropianë nga vetë këshilltari i Tij, Tony Blair, i cili në mes të mandatit të tretë, ia dha postin e kryeministrit, Gordon Brownit.
Blair ja dha postin numrit dy të laboristëve si një rotacion politik për të thyer logjikën e qeverisjes së ekzagjeruar, por edhe për të dhënë mesazhin e një ndryshimi.
Sot po shihet qartë që shqiptarët nuk do t’ia japin Sali Berishës mundësinë për tu rikthyer, por socialistëve si shumicë relative.
Në logjikën normale nuk është Edi Rama alternativa e vetme, pavarësisht se gjithë këto vite ka ‘vrarë’ çdo politikan që mund të jetë alternativë e tij brenda së majtës. Që nga Ben Blushi, Ditmir Bushati, Saimir Tahiri, e deri te Erion Veliaj.
Edi Rama sot nuk është më një alternativë, por një tunel që nuk ka dritë në fund të tij. Që nga lidhjet e forta të Ramës me krimin e organizuar, por edhe te marrëdhënia toksike me partinë e shoqërinë.
Qëndrimi i Ramës në kandidaturën për kryeministër nuk ka më logjikë, nuk ka as afilitet politik, pasi nuk ka sesi të jetë Edi Rama kandidaturë ekskluzive.
Pikërisht, insistimi i Ramës për të qëndruar, prish ekuilibrin dhe e polarizon më shumë situatën.
Përgatitja e një qeverisje socialiste tjetër, madje edhe koalicioni, që të heqë njollat e autoritarizmit, do ta zbuste situatën e polarizuar në vend. E nga ana tjetër, do të hidhte hap të rëndësishëm për të hapur një garë, aq të domosdoshme për rinvovimin e elitës politike.
Si Berisha që po pengon transformimin e klasës drejtuese të opozitës; edhe Edi Rama, nga ana tjetër, po asfikson me një egërsi të pashoqe çdo mundësi karriere brenda Partisë Socialiste.
Duke krijuar me dhunë një perceptim se është i pazëvendësueshëm, ndërkohë që hapja e rrugës së një gjenerate të re brenda së majtës, mund të shkaktojë një reaksion zinxhir dhe nga ana tjetër.
Kokëfortësia për ta mbajtur me zor karriken, thjesht do të pjellë një konflikt, por edhe një efekt domino dhe kaos në momentin e rrëzimit.
Nisja e një debati normal në opinionin publik, e më pas brenda PS se nuk ka të pazëvendësueshëm, vetëm e zbut klimën dhe prodhon një diskutim normal.
Diskutim ku arsyeja dominon mbi klishetë, propagandën bajate dhe arrogancën e madhe që dominon si nga njëra anë, te qeverisja e Edi Ramës por dhe nga ana tjetër, tek opozita e Sali Berishës.
Që vendi të ketë zgjedhje të qeta duhet të bien të dy kokat e vjetra; e që të bjerë përfundimisht Sali Berisha, Edi Ramës i duhet të bëjë gati një kryeministër tjetër socialist. I cili, jo vetëm që do të hapë partinë, por edhe të përgatisë vendin për një rrotacion të ri, ku një klasë politike krejt ndryshe mund të menaxhojë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian./Pamfleti
Lini një Përgjigje