
Në një deklaratë të dhënë pak më parë për mediat, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 14 majit.
Njësoj si Berisha, edhe Mediu thekson se në Shqipëri nuk bëhen më zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke shtuar se janë shndërruar në një mekanizëm manipulimi për të kontrolluar, pushtetin, ekonominë, pronën dhe lirinë e qytetarëve.
Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s që nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme, ato janë shndërruar në një mekanizëm manipulimi për të kontrolluar pushtetin, ekonominë, pronën dhe lirinë e qytetarëve.
Prej kohësh OSBE/ODHIR në raportet e tyre kanë nënvizuar, njehsimin e shtetit me partinë në pushtet, intimidimin e votuesve, blerjen e votës dhe përdorimin në kundërshtim me ligjin të patronazhistëve (aktivistëve), apo dhe përdorimin e ndryshimeve ligjore për të përçarë opozitën dhe përdorimin e strukturave të administrimit të zgjedhjeve në interes të Partisë Socialiste.
Thënë të gjitha këto, ky është momenti më i vështirë për demokracinë në këto 33-vite pluralizëm dhe padyshim tragjike për opozitën politike dhe popullin opozitar.
Në vlerësim të qytetarëve ne duhet të vazhdojmë angazhimin deri në numërimin e votës së fundit për kryetar bashkie apo këshilltarë.
Opozita e djathtë duhet të evidentojë dhe denoncojë çdo fakt të manipulimit të zgjedhjeve, por më e rëndësishme është të reflektojë në çdo nivel drejtimi dhe përfaqësimi, me një qendrim të qartë për problemet e saj të brendshme, sjelljen e saj dhe vendimmarrjen e saj politike, mbi të gjitha qasjen e saj me votuesit shqiptarë dhe detyrat e saj për të ofruar alternativën e duhur, mundësimin e bashkimit të opozitës dhe shqiptarëve kudo që janë, garantimin e votimit dhe konkurrimit të diasporës si dhe garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Lini një Përgjigje