
Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi vendimin e KAS, duke rrëzuar kërkesën e PL për të vendosur emrin e Sali Berishës në fletën e votimit
Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar manovrat e Sali Berishës dhe Ilir Metës me fletën e votimit. Ata kanë marrë sot dy goditje. Së pari Kolegji vendosi që në fletën e votimit të jenë logot e partive. PL kërkonte që të mos kishte logo, manovër kjo për të fshehur logon e PD.
Po ashtu u kërkua që në fletën e votimi të ishte emri i Sali Berishës përbri koalicionit “Bashkë Fitojmë”, por dhe kjo kërkesë është rrëzuar.
Pak ditë më parë ishte Komisioni i Sanksioneve dhe Ankesave që vendosi që në fletën e votimit si kryetar i koalicionit Bashkë Fitojmë të ishte Ilir Meta, pasi sipas tyre, ai është kryetari i partisë drejtuese të koalicionit dhe Berisha nuk figuron askund. Por koalicioni këmbënguli dhe ju drejtua gjykatës, e cila ka lënë në fuqi vendimin e KAS. Kjo do të thotë se si kryetar i koalicionit “Bashkë Fitojmë” është Ilir Meta. Berisha nuk e donte emrin e tij, pasi e di që demokratët nuk e votojnë atë emër dhe tentoi të fuste emrin e tij, por ka dështuar si manovër.
Ndërkohë në seancë ka pasur diskutime mes përfaqësuesve të të dyja palëve. Përfaqësuesi i PD, Indrit Sefa kërkoi që të mos pranohej padia, me argumentin se në KAS ishte ai që e kishte bërë padinë dhe koalicioni ka qenë palë e interesuar. Por gjykata vendosi të hynte në themel dhe dëgjoi të dyja palët.
Sipas Sefës, partia drejtuese e koalicionit është Partia e Lirisë dhe duhet emri i Metës si kryetar koalicioni.
“Paditësi s’ka bërë ankim ndaj vendimit të KQZ. Ai që ka vënë në lëvizje, ai që është ankuar kundër vendimit të KQZ, është PD. Nuk ka pasur ankime ndaj vendimit të KQZ. Subjekti s’ka dashur në atë moment pasqyrimit e asnjë emri. I ka lënë një orë afat për të sjellë një emri prej tre anëtareve. Ky proces s’mund të vijë me kërkesa të tilla që cenojnë vendimin e KQZ dhe KAS. Kërkoj të mos administrohet si provë, ishte data 16 mars e regjistrimit të koalicionit, ishte edhe mundësia e fundit në datë 17 dhe kjo e drejtë nuk është shfrytëzuar në asnjë moment, nuk u paraqit as në KAS”, tha Sefa.
Ndërsa përfaqësuesi i koalicionit deklaroi se ligji nuk e ndalon që të vendoset emri i Sali Berishës.
“Është një shkresë e nënshkruar nga tre kryetarët e subjekteve, duke vënë një dakordësi me caktimin e drejtuesit të koalicionit, në emrin përbri, që është deputeti Sali Berisha. Të tre përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit bashkë fitojmë kërkojnë që emri Sali Berisha të vihet përbri emrit të kandidatit të koalicionit bashkë fitojmë në fletën e votimit. Të merret parasysh nga ky kolegj duke e administruar si provë dhe pastaj e bëjmë edhe publike”, tha Altin Kazizaj.
Mirëpo në fund gjykata rrëzoi dyshen Meta-Berisha. Kolegji la në fuqi vendimin e KAS, sipas të cilit Sali Berisha nuk figuron askund dhe nuk ka se si të jetë drejtues i koalicionit. Në koalicion bëjnë pjesë PL, PBDNJ dhe PDK dhe Berisha ligjërisht nuk është pjesë tij, çka do të thotë se tani demokratët duhet të votojnë për emrin e Ilir Metës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje