Deputeti i PD Kreshnik Çollaku, deklaroi se lufta e brendshme ka masakruar Partinë Demokratike. Ai tha se vetëm Sali Berisha e ka dashur realisht bashkimin dhe kërkoi një “Foltore të madhe” për të gjithë demokratët.
Çollaku theksoi se zgjedhjet e 11 majit ishin farsë dhe dështimi ishte i parashikuar. Sipas tij, PD nuk ka të ardhme pa një analizë të thellë dhe ndryshim rrënjësor.
"Më 11 maj dështuam për shumë faktorë. Ka farsë elektorale, ka industri të vjedhjes së votës për të katërtën herë rresht. Ka farsë elektorale, por duhen mbajtur edhe përgjegjësi. PD duhet ta ndalë këtë industri të vjedhjes së zgjedhjeve. Për herë të katërt të vidhen zgjedhjet, do të thotë se ka problem të madh edhe brenda konceptimit të opozitës. Duhet një foltore e madhe e gjithë demokratëve. Duhet të shërohet sëmundja, duhet të ndalen egot dhe të kihet vëmendja tek kriza. Më 11 maj u bë një kompromis, por nuk kishte bashkim", tha Çollaku për "News 24".
Lini një Përgjigje