TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Korrik 2025, 13:20

Iu komunikua akuza nga SPAK, Kryemadhi fokusohet te karriera si aktore: S’do shkoj në gjykatë, kam projektet e mia

Shkruar nga Pamfleti

Iu komunikua akuza nga SPAK, Kryemadhi fokusohet te karriera si aktore:

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ku u njoftua për mbylljen e hetimeve ndaj saj.

Arritja e saj në ambientet e SPAK është shoqëruar me episode humori. Ajo ka pasur një unazë në dorë të cilën tha se e gjeti në rrugë dhe bërtiste para godinës së Prokurorisë së Posaçme: “Ku ta lë tani këtë? Ka njeri këtu?”,

“Gjeta një unazë dhe thoni pastaj që s’jam me fat. Është me rubin dhe me diamant, e kam gurin e fatit unë këtë. Kjo rrugë është nën vëzhgim. E gjeta sapo zbrita,” u shpreh Kryemadhi me humor.

Para se të hynte në mjediset e SPAK, Kryemadhi nuk iu ‘shpëtoi’ as pyetjeve të gazetarëve, të cilëve iu përgjigj se po bënte gati skenarin e filmit të radhsë. 

“Po bëj gati skenarin për filmin e radhës. Brenda 10 ditëve do bëjmë memon. Më kanë thirrur shtatë herë deri tani, nuk përgjigjem. Nuk bashkëpunoj unë më me ata, do të flas në gjykatë. Që në momentin që merresh e akuzuar, është një procedurë që duhet bërë. Ata do të bëjnë lojën e tyre ne do të bëjmë lojën tonë”, tha Kryemadhi në një prononcim për mediat.

Kryemadhi u shpreh e bindur se gjyqi do të nisë dhe palët do të ballafaqohen me provat përkatëse. Ajo shtoi se edhe artikuj nga portalet janë përfshirë si prova nga Prokuroria.

"Avokati im është në një masë sigurie tjetër dhe jam i bindur se do kemi një ekip të mirë avokatësh. Kam marrë vesh se kur shkon çështja në gjykatë, mumd edhe të mos paraqitem fare, shkojnë avokatët, se kam projektet e mia. Le të nisë gjyqi, provat që ka sjellë Prokuroria, provat që kemi ne dhe do ballafaqohen. Edhe portale janë marrë si provë", shtoi ajo. 

Pjesë nga deklarata para SPAK:

Monika Kryemadhi: Mamin tim ma kishit nxjerrë shumë bukur dje, pavarësisht se.. Kam ardhur sot tju them që mos e fusni në skaner se i çekuilibron rrahjet e zemrës. Dje e kishit ruajtur gjithë kohës, ju falendroj shumë që ishit kujdesur për të.

-I kishit ngjarë komplet zonja Kryemadhi

Monika Kryemadhi: Është më snapjer se unë ajo, se unë i kam ngjarë babit. Babai im i shkretë është përjashtuar 4 herë nga partia, 5 herë është pranuar në parti se ishte llafazan si puna ime. I shante njerëzit, u thoshte të vërtetat në sy.

-Në fund fitoi?

Monika Kryemadhi: Çfarë fitoi mi, ka vdekur, është harruar

Kujtojmë se tashmë që SPAK ka mbyllur hetimet, është gati të depozitojë në GJKKO dosjen që përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Ilir Meta akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie. Monika Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie. Pirro Xhixho, akuzohet për korrupsion pasiv, Ema Çoku, për pastrim parash ndërsa Fatime Kryemadhi dyshohet se SPAK e akuzon për pastrim parash. 

Lini një Përgjigje