TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Maj 2025, 09:55

Dështimi i PS në Kavajë: A e shkëmbeu Rama, Majkon me Elvis Rroshin?

Shkruar nga Pamfleti

Dështimi i PS në Kavajë: A e shkëmbeu Rama, Majkon me Elvis

Rama lëshoi Pandeli Majkon siç bëri edhe me Lali Erin për të mbajtur Tomën, Qifen, Elvisin e deputeten e Suel Çelës, me të cilët ndihet i sigurt për “Shqipërinë në BE-në” e horrave...

Dështimi i Partisë Socialiste në qarkun Tiranë është i dukshëm. Mazhoranca, edhe pse dërgoi numrin një të Parlamentit Elisa Spiropali dhe senatorin Pandeli Majko, ka humbur në bashkitë Kamëz dhe Kavajë.

Leximi me kujdes i rezultateve në këto zona, tregon një realitet politik që më shumë se hapur, është luajtur në prapaskenë.

Në Kamëz, përshembull, edhe pse Agron Shehaj ka marrë rreth 1500 vota, që janë natyrisht djathtas, dhe gati kaq partia e Lulzim Bashës me Shemsi Premçin, PD është në një avantazh prej 1 mijë votash ndaj PS-së. Kur bashkinë, një vit më parë e ka marrë lehtësisht Rakip Suli, që është familjar me Premçin. Sinjal që tregon se kemi vota tribale.

Politikisht, kreu i qarkut, Elisa Spiropali dhe e dërguara Lindita Nikolla, të cilat ishin të dyja në listën e mbyllur kanë humbur. Po si kanë humbur?

Edhe vendosja në listën e mbyllur tregon një realitet politik të qartë; një marrëveshje e pashkruar e Edi Ramës me Tom Doshin, partia e të cilit mori mbi 1700 vota në Kamëz.

Megjithatë, Kavaja është zona politike më interesante e leximit të votës. Atje, Rama kishte dërguar Pandeli Majkon dhe Elisa Spiropalin.

Përfundimi?

Përveç qytetit të Kavajës, PS ka humbur edhe Golemin që e ka pasur bastion historik, edhe në ditën më të keqe, ka humbur Helmësin, po ashtu bastion, Synejin dhe ka fituar lehtë në Luz të Vogël, zonë ku PS ka fituar edhe në 1992.

Që Pandeli Majko nuk është ndonjë lojtar që lëviz votat në territor, kjo nuk është më enigmë. Majko, në 1992 doli deputet nga lista proporcionale, në 1997 fitoi si pjesë e valës anti-Berishë, në 2001 e 2005 mezi fitoi në Maliq, duke bërë aleancë me familjen Koloneci që garoi një anëtar të saj për komunistët. Në 2013 doli deputet në njësinë 5 në Tiranë, në 2021, humbi por u zëvendësua rrugës e tani sërish humbi.

Majko, edhe pse mburrej se në Kavajë ka një elektorat që e do, sidomos në Qerret ku ai jeton në shtëpinë e vjehrrit, është i njohur për tipin e tij jo tërheqës me njerëzit.

Në vitin 2021 pasi nuk arriti të thyente herësin, u mbyll në shtëpi për një kohë të gjatë dhe nuk doli në asnjë aktivitet të PS-së, derisa Edi Rama e garantoi se do të zinte vendin e një kandidati tjetër që do të jepte dorëheqjen. Por që sot nuk e ka të garantuar, pasi bazë është numri i votave.

Megjithatë, si pak e çuditshme që Spiropali dhe Majko nuk mundën të bindnin bastionet e PS në Kavajë të votonin për ta, kur në 2021, Erion Veliaj si kryetar i qarkut e bëri me diferencë të madhe.

Këtu duket qartë dhe fort faktori Elvis Rroshi. Ish-kryebashkiaku i Kavajës dhe jaran i Edi Ramës, u përmend shumë në këtë fushatë, pasi kishte kandidat për PD-në, kushëririn e tij Elton Rroshi.

Rroshi u përmend nga Spiropali dhe nga Rama, jo duke e sulmuar, por për të nxirë Berishën se po punon me kriminelët tanë.

Nga ana tjetër “krimineli i Ramës” i thau jo kënetën por detin e votave PS-së dhe Pandeli Majkos. Sipas gjasave, Edi Rama, është më i sigurt me Elton Rroshin në Parlament sesa me Majkon. Të cilin e ka dërguar me të shumtit senatorë që do të nisin qurravitjet e sharjet për “lavdinë e dikurshme të PS-së që i bëri ata kryeministra e ministra”.

Ndërkohë Ramës i ngelet lista e mbyllur dhe ata që kanë fituar sipas orientimit të tij, ose të shokëve të tij, si për shembull Orlandoja i Qifes që i dha triumfin e PS në Vorë e Rrogozhinë.

Shkurt, Rama lëshoi Pandeli Majkon siç bëri edhe me Lali Erin për të mbajtur Tomën, Qifen, Elvisin e deputeten e Suel Çelës, me të cilët ndihet i sigurtë për “Shqipërinë në BE-në” e horrave./Pamfleti

dështimi i ps në kavajë majko elvis rroshi rama

Lini një Përgjigje