TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Janar 2024, 08:00

Dëshmoi për herë të parë në SPAK, GJKKO shqyrton sot ankimimin e Sali Berishës për liri

Shkruar nga Pamfleti

Dëshmoi për herë të parë në SPAK, GJKKO shqyrton

GJKKO do të shqyrtojë sot ankimimin e masës "arrest shtëpie" për Sali Berishën...

Teksa ditën e djeshme ish-kryeministri Sali Berisha dëshmoi për herë të parë në SPAK, si person nën hetim për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, sot do të mbahet seanca për ankimimin e masës ‘arrest shtëpie’.

Ka qenë Berisha që përmes avokatëve të tij ka ankimuar vendimin e GJKKO-së të datës 30 dhjetor, që e la në arrest shtëpie, ndërsa kërkon një masë më të butë.

Kujtojmë se dje për rreth 2 orë ish-kryeministri Sali Berisha dëshmoi para prokurorëve Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai.

Pas daljes nga SPAK, Berisha tha për mediat se ishte ai që i kishte marrë në pyetje prokurorët, ndërsa sulmoi ashpër qeverinë Rama dhe SPAK-un, si institucion i varur nga qeveria.

I pyetur nga gazetarët, se cilat ishin pyetjet që i drejtuan prokurorët e SPAK, Berisha tha se “nuk u mor vesh kush drejtoi më shumë pyetje, ata mua apo unë atyre”.

“Mjeranë që ripërsërisnin trillimet e tyre. Se ligji thoshin… ku u tregova ligjin e 2004 dhe nenin për shpronësimet. Por ata e kanë fshehur.

Pyetje konkrete: kishin marrë një listë personash, a i njeh ti këta. Se nga e kishin marrë listën. Më pyetën se çfarë pune ka bërë Malltezi. Ishin jashtë procedurës. Ke dijeni ti për ardhjen e atij gjeneralit. Ai s’ka asnjë lidhje me privatizimin. Pse u ndryshua ligji i sporteve. Në 2007 u bë të jepej me koncesion, në 2008 u rikthye te ligji i pronave.

Më pyetën për letrat me vlerë, por u përmbajta të mos i fyeja. Ai vendim doli një muaj pasi ishin paguar nga familja Begeja 90%. Në 10% që kishin mbetur, familja Begeja kishte gjithsej 5%. Jamarbër Malltezi përfitoi gjithsej 64%. Më pyeten për sportin, pse u ndryshua ligji, 2007-08. Ligji i 2005 në përputhje me ligjin e 2004. Privatizimin e klubit Partizani e nisi Fatos Nano, Blendi Klosi dhe Anastas Angjeli.

Rama është personi… nëse Berisha s’ka asnjë firmë në procesin e blerjen, ia ka një sërë firmash. Akuza që më bëhet se e ndryshova destinacionin për të favorizuar Malltezin, është njësoj si të thuash se bleva Ramën për të favorizuar dhëndrin. Rama ka firmosur ndryshimin e destinacionit, kur ishte pronë shtetërore. Si ka mundësi që Rama firmos lejen e sheshit të ndërtimit dhe ju nuk guxoni ta përmendni. Si ka mundësi që injoroni emrin e Ramës, kur gjykata e ka dënuar.

Kur përmenda Edi Ramën aty, vetëm sa nuk u futën nën tavolinë. Dhe i pyeta, si ka mundësi, cfarë qeniesh jeni ju, që Edi Rama ka firmosur privatizimin, ndryshimin e destinacionit në një kohë kur nuk kishte pavarësisht nga privatizimi, ishte pronë shtetërore, Edi Rama e kalon të gjithë klubin në zonë, firmos lejen e sheshit të ndërtimit, firmos lejen e ndërtimit dhe ju mashtroni, thoni se ka firmosur Basha. Si ka mundësi që injoroni emrin e Edi Ramës, ndërkohë që gjykata e ka gjobitur sepse nuk zbardhte lejen sa mori vesh se një nga përfituesit ishte Jamarbër Malltezi", tha Berisha.

Ishin prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai ata të cilët i drejtuan dje pyetje Berishës. Ky i fundit ndodhet në arrest shtëpiak prej 30 Dhjetorit 2023. Kujtojmë se në kohën kur i ishte caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” ai nuk e zbatoi asnjëherë duke e cilësuar vendimin e gjykatës si antikushtetues. Ish kryeministri akuzohet për “korrupsion pasiv” lidhur me aferën, për të cilën u prangos edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Ky i fundit është nën hetim për pastrim parash.

Edhe pse për më shumë se 3 javë, Berisha nuk lejohet të dalë jashtë shtëpisë së tij, ai e ka gjetur mënyrën si të komunikojë me demokratët. Nga dritarja e banesës së tij, ai del e mban fjalime çdo pasdite në orën 18:00, duke bërë thirrje për protesta kundër qeverisë.

Sali Berisha dhe Jamarbë Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi "Partizani". Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.

 

berisha arrest shtepie

Lini një Përgjigje