Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit dje për herë të parë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u mor në pyetje në lidhje me aferën Partizani.
Pas daljes nga SPAK Berisha tha për mediat se në Prokurorinë e Posaçme kishte gjetur një atmosferë mortore dhe shtoi se nuk u kuptua se kush drejtoi më shumë pyetje, ai prokurorëve, apo anasjelltas.
Në lidhje me këtë, ish-deputeti i PD, Klevis Balliu tha se demokratët kanë një plan B për drejtimin e partisë nëse Sali Berisha mbetet në arrest shtëpie.
“Nesër në gjykatë, gjykata duhet të vendosë nëse ky person paraqet rrezikshmëri për t’u larguar, këta duhet ta heqin nesër masën, por duke qenë se në këtë vend gjithçka mund të ndodhë, opozita duhet të fillojë të reflektojë, të ketë një plan B për çdo segment të planeve të qeverisë, se ne vijë ligjore nesër Berishë i ulet masa por në shtetin e Edi Ramës gjithçka pritet. Mund t’ju siguroj që ne kemi marrë të gjitha masat për çdo lloj vendimi. E di çfarë vuri në dukje kjo e Berishës, që 60 për qind e të burgosurve janë pa vendim”, tha Balliu në Euronews Albania.
Gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar Sali Berisha refuzoi dy vendime gjyqësore që e detyronin të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme SPAK.
Por mëngjesin e së martës së 23 Janarit në orën 10:04 ish-kryeministri kaloi këtë portë për të vajtur në prokurori dhe përballur sy më sy me prokurorët që e akuzojnë për korrupsion.
Përballja e Berishës më prokurorët nuk zgjati më shumë se 1 orë e 40 minuta dhe sipas ish-kryeministrit, nuk kishte qenë një përballje klasike mes prokurorëve dhe një personin nën hetim.
“Gjeta aty një grup të terrorizuar. Në një karrige bosh qëndronte McGonigal. Në karrigen tjetër qëndronte Edi Rama. Nuk u mor vesh se kush drejtoi pyetje më shumë, ata mua, apo unë atyre. Kam ardhur këtu, ju thashë, te shemb piramidën e turpshme të mashtrimit, që keni ndërtuar, me shpifje, trillime, mashtrime e falsifikime”, deklaroi Berisha pas daljes nga SPAK.
Berisha i konsideroi pyetjet e prokurorëve si mediokre, ndërsa avokati si jashtë procedurës.
Ish-kryeministri pretendoi se ka prokurorë të SPAK që kanë bashkëpunuar me ish-agjentin e FBI, Charls McGonigal dhe se PD ka dërguar një material në SHBA për këtë çështje.
“Një atmosferë mortore nga skandali McGonigal dhe Rama. Skapistët kanë patur lidhje të ngushta me McGonigal dhe në momentin e caktuar absolutisht do t’i bëj publike, por sqaroj gjithashtu se ne kemi dorëzuar një dosje pranë SHBA, me të gjitha të dhënat që ne disponojmë për këtë aferë”., tha ai.
Lini një Përgjigje