TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Nëntor 2023, 10:25

Degjeneron Kuvendi/ Opozita; tymuese, zhurmë dhe kaos në sallë, Nikolla kalon me urgjencë ligjet dhe mbyll seancën

Shkruar nga Pamfleti

Degjeneron Kuvendi/ Opozita; tymuese, zhurmë dhe kaos në sallë,

Maxhoranca ka votuar projekt ligjet mes kaosit dhe zhurmës të shkaktuar nga deputetët e Sali Berishës në Kuvend.

 Deputetët e maxhorancës kanë miratuar në këmbë pr/ligjet në rend. 

Pas votimeve me shpejtësi, kryeparlamentja Lindita Nikolla ka deklaruar të mbyllur seancën e sotme parlamentare.

Kryeparlamentarja Nikolla lexoi nga vendi i saj nismat ligjore për miratim, ndërsa deputetët e opozitës u binin tavolinave në përpjekje për të penguar zhvillimin e mëtejshëm të seancës. Ligjet kanë marrë nga 74 vota.

Deputeti Ervin Salianji ka tentuar të ndalë punimet në Kuvend duke ndezur disa tymuese ngjyrë blu. Salianji është përplasur me gardistin në Kuvend pasi ndezi një tymuese me ngjyrë blu. Punonjësi i sigurisë i hoqi tymuesen nga dora Salianjit, ndërsa ky i fundit i hodhi një karrige, por që nuk e kapi gardistin.

Degjeneron Kuvendi/ Opozita; tymuese, zhurmë dhe kaos në sallë,

Më pas Salianji ka ndezur një tymuese lejla. Teksa ndezi tymuesen, Salianji u pa i buzëqeshur dhe u tha deputetëve socialistë se kjo është ngjyra juaj.

Mirëpo Ervin Salianji si duket nuk i ka menduar pasojat e hedhjes së tymueses në Kuvend për shëndetin e Sali Berishës. Ky i fundit është ndjerë keq pasi deputeti ndezi tymuesen dhe ka dalë nga Kuvendi.

Degjeneron Kuvendi/ Opozita; tymuese, zhurmë dhe kaos në sallë,
Berisha teksa largohet nga Kuvendi pas hedhjes së tymueseve

Gjatë seancës së sotme teksa ministri i Financave, Ervin Mete tentoi të shpjegonte projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji i ndërpreu fjalën duke theksuar se për Partinë Socialiste, ky buxhet është bakllava dhe për qytetarët ditë zie.

Ai tha se kërkesat e opozitës duhet të plotësohen me çdo kusht pasi synojnë llogaridhënien për taksat e shqiptarëve.

"Buxheti i Partisë Socialiste është buxhet për oligarkët, për mafiozët dhe njerëzit e lidhur me Partinë Socialiste. Ditët që ka diskutim buxheti, PS ka festë për të ngrënë bakllava ndërkohë që qytetarët e kanë ditë zie pasi u vidhen paratë. Prej ditësh kemi kërkuar që PS të japë llogari për qindarkat që vjedhin për shkak të mungesës së kontrollit. E çon 25 milionë euro 1 km rrugë. Ne nuk kërkojmë asnjë gjë më shumë që ky parlament që po kthehet në terrorizëm parlamentar t’i kthehet qytetarëve. Jeni të mbaruar. Jepni fjalën për procedurë se nuk e keni pronë. Nuk do të lejmë të hanin Shqipërinë si bakllavanë. Nuk është ditë feste."-u shpreh Salianji.

Siç e kishin paralajmëruar deputetët mbështetës të Sali Berishës, në hetim për korrupsion me dhëndrin e tij në aferën e privatizimit të sport klub Partizanit, krijuan kaos në seancën e sotme parlametare.

Deputetët fillimisht grumbulluan karriget e deputetëve para foltores, më pas deputeti Salianji ndezi tymuese në foltore dhe hodhi karrige drejt podiumit të ministrave ndërsa thërriste "Turp! Turp! 

Me përjashtim të disa momenteve, deputetët e maxhorancës nuk i janë kundërpërgjigjur dhunës së deputetëve të Berishës duke u përpjekur të ruajnë qetësinë dhe më pas në këmbë votuan pr/ligjet që ishin në rend dite. 

Në një moment Sali Berisha shpalli dhe grevën.

"Jemi në grevë. Largohuni' u tha Berisha në orën 09:53 minuta deputetëve të maxhorancës brenda në sallën e kuvendit ku tashmë mbizotëronte kaosi.

Kjo shkaktoi dhe përplasje mes disa deputetëve të maxhorancës dhe deputetëve të Berishës.

Jashtë Kuvendit deputeti i PS-së, Erion Braçe akuzon Berishën se po kërkon të mbrohet me imunitet politik nga akuzat penale të ngritura nga SPAK.

"Kjo sjellje është fashiste. Ai njeri brenda po përdor imunitetin poliitk për tu mbrojtur nga akuzat penale" tha Braçe.

Deputeti i PS-se Xhemal Qefalia u perplas me Edmond Spahon. Pati dhe përplasje dhe nga deputetja Antoneta Dhima dhe Toni Gogu me deputetët e Rithemelimit. Sot pati një prezencë e shtuar të Gardës

Seanca nisi në orën 10:00 me kryetaren e Kvuendit duke lexuar rendin e ditës ndërsa deputetët e Rithemelimit i bien tavolinave dhe u mbyll 30 minuta më pas pasi deputetët e maxhorancës votuan në këmbë të gjitha pr/ligjet e caktuara në rendin e ditës.

kuvend kaos

Lini një Përgjigje