
CIA amerikane “radiografi” për Shqipërinë, nga ekonomia te ushtria dhe organizimi politik. Njeh Bashën kryetar të PD, Rithemelimi dhe Berisha nuk figurojnë...
Agjencia Qendrore e Inteligjencës në SHBA (CIA) ka publikuar raportin më të fundit për Shqipërinë. CIA çdo vit përditëson të dhënat për secilin shtet dhe këtë herë sa i takon Shqipërisë ka bërë një riorganizim total të të gjitha të dhënave, që nga klima e gjeografia, deri te organizimi politik, ekonomik etj.
Ajo që mund të veçojmë nga ky raport është fakti se vendi ynë shihet si një shtet ku lulëzon kanabisi dhe përdoret si portë për futjen e drogave të forta në Evropë.
“Një vend burimi për kanabisin dhe një pikë aktive transporti për organizatat shqiptare të narkotrafikut që lëvizin droga të paligjshme në tregjet evropiane”, thuhet në raport.
Një element tjetër që mund të veçojmë është se amerikanët e kanë “zhdukur” Berishën totalisht. Në raportet e vjetra ai cilësohej si ish-president apo ish-kryeministër. Në pjesën e organizimit politik përmend koalicioni “Aleanca për Ndryshim” i 2021, teksa si drejtues i PD përmendet Lulzim Basha. Berisha dhe Rithemelimi nuk figurojnë askund.
“Partitë politike dhe liderët: Aleanca për Ndryshim (koalicioni elektoral i udhëhequr nga PD); Partia Demokratike ose PD [Lulzim BASHA]; Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ose PDIU [Shpëtim IDRIZI] (pjesë e Aleancës për Ndryshim); Partia Socialdemokrate ose PSD [Tom DOSHI]; Partia e Lirisë ose PL [Ilir META] (ish Lëvizja Socialiste për Integrim ose LSI); Partia Socialiste ose PS [Edi RAMA]", thekson raporti.
Por CIA ka përmendur firmat piramidale. Aty thuhet se gjithçka u bë me bekimin e qeverisë së asaj kohe, pra me bekimin e Berishës. "Në fillim të viteve 1990, Shqipëria i dha fund sundimit komunist dhe vendosi një demokraci shumëpartiake. Skemat piramidale të miratuara nga qeveria në 1997 çuan në kolaps ekonomik dhe çrregullim civil, i cili përfundoi vetëm kur ndërhynë trupat paqeruajtëse të OKB-së", thekson raporti.
Një element tjetër që mund të veçojmë është mbrojtja. Sipas raportit, gjë që në fakt dihet, është se vendi ynë ka një sistem mbrojtje modeste.
“FASH është një forcë e vogël, e armatosur lehtë, e cila i është nënshtruar një përpjekjeje modernizimi për të përmirësuar aftësinë e saj për të përmbushur misionet e NATO-s, duke përfshirë trajnimin dhe blerjen e pajisjeve; njësitë kryesore luftarake tokësore përfshijnë disa batalione të lehta këmbësorie (ose grupe beteje), duke përfshirë një të trajnuar dhe të certifikuar për misionet e NATO-s dhe një regjiment të operacioneve speciale; Forca Detare dhe Roja Bregdetare operojnë me një forcë të vogël anijesh patrullimi ndërsa Forcat Ajrore kanë një inventar të vogël helikopterësh (2023)”, thekson raporti. /Pamfleti
Lini një Përgjigje