TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Gusht 2024, 15:52

Celibashi nuk krijon pengesa, KQZ dorëzon në SPAK të dhënat e tenderëve për pajisjet elektronike

Shkruar nga Pamfleti

Celibashi nuk krijon pengesa, KQZ dorëzon në SPAK të dhënat

KQZ ka dorëzuar në SPAK dokumentet e plota mbi dy tenderët që po heton prokuroria. Pak ditë më parë, Altin Dumani dërgoi një letër në KQZ ku kërkonte të dhënat e tenderëve për identifikimin elektronik dhe votimin elektronik të vitit 2021, pasi ka dyshime se ka pasur abuzime. Mësohet se sot KQZ ka dorëzuar në prokurori të gjithë dokumentacionin.

Referuar shkresës së Altin Dumanit, SPAK kërkoi të dhënat për dy tender, konkretisht: Të prokurimit me nr. ”REF-83073-12-23-2020″ me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor” dhe të praktikës së procedurës të prokurimit me nr. “REF-89113-03-04-2021”, me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave”.

Por për çfarë tenderësh bëhet fjalë?

Tenderi me numër reference REF-83073-12-23-2020, pra tenderi për blerjen e pajisjeve për identifikimin e votuesve, është praktikisht më i rëndësishmi dhe me një fond shumë të madh.

Tenderi është hapur më 24 dhjetor 2020 dhe procedura e shpalljes ka qenë me negocim. Më 18 janar 2021 është bërë publikimi. KQZ e ka shpallur tenderin me fond limit: 2,112,304,484 lekë të reja pa TVSH. Ai u fitua nga kompania “Smartmatic International Holding B.V”. me seli në Holandë. Ajo që bie në sy është se vlera fituese e kompanisë me bazë në Holandë është 2,016,354,628 lekë të reja pa TVSH. Pra shumë pranë fondit limit. Kjo ishte kompania e vetme në garë, pasi 5 të tjerat u tërhoqën.

Tenderi i dytë ka të bëjë me blerjen e pajisjeve elektronike të votimit, për eksperimentimin e votimi elektronik në zgjedhjet e 2021, në 32 qendrat e votimit të njësisë administrative numër 10 në Tiranë. Fondi limit ishte 109.999.500, ndërsa kompania fituese ka ofruar 99.424.460 lekë. Pra sërish shumë pranë fondit limit.

Janë mbi 21 mln euro të shpenzuara dhe kjo ka ngritur dyshime te SPAK se kemi të bëjmë me një skemë abuzive. Nëse konfirmohen shkeljet, Ilirjan Celibashi e ka punën pisk.

Lini një Përgjigje