Dosja “Buka” që SPAK ka shtuar në akuzat ndaj Arben Ahmetajt, është dëshmia e qartë se meqë akuza e parë nuk ngjiti, po tentohet të luhet me termin “sasi”.
Pra rrit numrin e dosjeve, vetëm e vetëm, që të bëjnë sa më dramatike situatën, por që në brendësi është krejt më bosh sesa e para.
Në këtë dosje, Arben Ahmetaj akuzohet për privatizimin e një pjese aksionesh shtetërore të shoqërisë “Buka”, por në të gjithë ecurinë e këtij procesi, pra privatizmit, ka hapa proceduriale normale, e që nuk ka asnjë lidhje personi i akuzuar.
Kjo shikohet në të gjitha dokumentet e dosjes, të cilën Pamfleti e zotëron.
Procedura e privatizimit të shoqërisë “Buka” daton që në vitin 2004, por një vit më pas kjo procedurë u ndërpre nga një vendim i Gjykatës së Apelit të Tiranës. E cila u lëviz nga dy prej trashëgimtarëve të truallit ku ndodhet kjo ndërmarrje, Kasëm e Salih Myderrizi. Gjykata e Apelit kërkoi anulimin e urdhrit të ministrit të Ekonomisë të vitit 2004, si dhe detyroi këtë institucion pra ministrinë e Ekonomisë për të bërë llogaritjen e saktë sipas vlerës së tregut për pronarët. E sipas kërkesës së vendimit të formës së prerë, procesi i privatizimit nisi në vitin 2014.
Me shkresën nr 332/2 të datës 20.01.2014 të ish-ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, është përcaktuar qëndrimi që duhet mbahet nga aksioneri shtetëror në këtë shoqëri, në mbledhjen e Bordit drejtues të shoqërisë “Buka”, ku është përcaktuar: miratimi i paketës shtetërore të shoqërisë, dhe llogaritja e vlerës së saj, duke caktuar edhe grupin e ekspertëve për këtë çështje.
Pas dorëzimit të raporteve të ekspertëve, në lidhje me vlerësimin e asetëve, ka dalë urdhri i ministrit për të shitur aksionet shtetërore, me procedurë të rregullt ankandi.
Ekspertët, në prill të vitit 2014, kanë përcaktuar rrugën se si do të transferohen asetet e aksioneve shtetërore, tek pronarët, për të cilët Gjykata e Apelit e ka detyruar institucionin që të bëjë veprimet. Sipas vlerësimit të vjetër, aksionet shtetërore për t’iu dhënë pronarëve ishin përcaktuar me vlerën e 3.123%. Ndërkaq, me vlerësimin e ri, u llogarit 4.73% e aksioneve shtetërore. Ky ndryshim ka ardhur pas korrektimit të sipërfaqeve të truallit dhe vlerës së tij. Pas këtij korrektimi, paketa shtetërore u llogarit 45.977%, paketë e cila ka dalë në ankand.
Pra në shitje nuk kanë dalë vlera totale e 50.71%, por vetëm pjesa shtetërore prej 45.9%, pasi diferenca prej 4.73% u jepet pronarëve të truallit, siç e kërkon dhe vendimi i Gjykatës së Apelit. Ndërkaq, në llogaritjen e aseteve, nuk është ndjekur kërkesa e familjes Myderrizi, e cila kërkonte rivlerësimin sipas vlerës së tregut të një trualli të veçuar të ndërmarrjes. Nëse do të ndodhte kjo për një sipërfaqe të konsiderueshme prej më shumë se 6 mijë metra katror, atëherë do të kishim një efekt domino, pra do të çonte në rivlerësimin e aseteve të të gjithë pronarëve të truallit ku ndodhet shoqëria, çka do ta çonte në zero paketën e aksioneve shtetërore. Pra, duhet theksuar se urdhri 11 i vitit 2004 i Ministrisë së Ekonomisë nuk ishte në fuqi, pasi u rrëzua nga vendimi i formës së prerë i Gjykatës së Apelit. E pas kësaj në 2014 ministria e Zhvillimit Ekonomik ka nxjerrë akte nënligjore në zbatim të vendimit të gjykatave, ku familjes Myderrizi i është venë në dispozicion vetëm 4.73% e aksioneve shtetërore.
Arben Ahmetaj, në cilësinë e ministrit ka thirrur mbledhjen e bordit të shoqërisë “Buka” për rivlersimin e aseteve siç e kërkon vendimi i gjykatës, e më pas ka nxjerrë shkresën për privatizimin e aseteve shtetërore. Ministri në këtë rast nuk ka vlerësuar në asnjë rast asetet, por ato janë bërë nga një ekip i gjerë ekspertësh, që e kanë detyrë këtë proces.
Por çfarë ndodhi më pas, pra pas vendimit të vitit 2014 për asetet e paketës shtetërore? Ndodhi që oreksi i pronarëve të tjerë u rrit dhe e çuan çështjen në Gjykatën Administrative, e cila në dy shkallët e saj, mori një vendim në favor të pronarëve të tjerë.
Në vitin 2017, vendimi i gjykatës merr formë të prerë nga Apeli Administrativ. Pas këtyre vendimeve, në vitin 2018, Arben Ahmetaj, tashmë ministër i Financave, nxjerr një urdhër ku anulon privatizimin e aseteve shtetërore, si dhe shfuqizon ankandin e bërë për këtë çështje, pasi këtë e kërkon Gjykata Administrative. Ky është urdhri final i këtij procesi, që rrëzon totalisht çdo aludim apo akuzë.
Në fund, procesi nuk ka prodhuar asgjë, e si i tillë nuk ka pasur as pasojë, as dëm ekonomik, e as probleme të tjera. E gjithë procedura është lineare. Me të drejtë Ahmetaj thotë që akuzohet pasi ka mbrojtur aksionet e shtetit, çka është edhe detyra e çdo ministri./Pamfleti
Lini një Përgjigje