
Një ditë pas miratimit të buxhetit në parim, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave zhvilloi një seancë ku u debatua mbi propozimin e kryeministrit për krijimin e një fondi special për pensionet. Propozim që u përball me kritika të forta nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila e cilësoi këtë skemë si një lëvizje elektorale dhe momentale, pa një plan të qëndrueshëm për të adresuar sfidat reale të skemës së pensioneve.
Tabaku ngriti shqetësimin për rritjen kumulative të çmimeve, duke theksuar se “nga viti 2013 e deri më tani, çmimet kumulative janë rritur me 55%, duke e bërë Shqipërinë vendin me inflacionin më të lartë në Europë.” Ajo vuri në dukje se ndërkohë që çmimet rriten, fuqia blerëse e shqiptarëve, sidomos pensionistëve, është ndër më të ulëtat në kontinent.
“Pensionistët shpenzojnë 50% të të ardhurave të tyre për ushqimet bazike dhe pjesën tjetër për energjinë, ujin dhe ilaçet, të cilat shpesh nuk janë të rimbursueshme. Kjo situatë po i shtyn ata drejt varfërisë ekstreme”, tha Tabaku.
Duke ironizuar premtimet e qeverisë, Tabaku tha: “Kryeministri premtoi një rritje 5% të pensioneve, por kjo nuk ndodhi. Ndërkohë që ai flet për inteligjencën artificiale, pensionistët përballen me një krizë konsumi gjithnjë e më serioze”.
Tabaku akuzoi qeverinë si promotoren kryesore të informalitetit, duke theksuar se rritja e pagës minimale ka qenë një barrë për punëdhënësit dhe nuk ka sjellë përmirësime reale në skemën e pensioneve. Ajo kritikoi gjithashtu mungesën e një strategjie të qartë në luftën kundër informalitetit, duke theksuar se aksionet momentale nuk adresojnë problemin në thelb.
Duke iu referuar të dhënave nga Eurostat, Tabaku deklaroi se shqiptarët sot paguajnë 20% më shumë për produktet bazike të shportës sesa dhjetë vite më parë, ndërkohë që fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm.
Tabaku bëri thirrje për krijimin e një fondi të përhershëm për pensionet, duke theksuar se ai nuk duhet të përdoret si një manovër elektorale, por të jetë një mekanizëm i qëndrueshëm që adreson sfidat demografike dhe ekonomike të vendit.
Ajo theksoi se “në vend që fondet të përdoren për inceneratorë dhe projekte korruptive, ato duhet të ridrejtohen për të siguruar një jetë më dinjitoze për pensionistët”.
Deputetja e PD-së kërkoi që shqetësimet e ngritura nga opozita të merren seriozisht, duke theksuar se skema aktuale e pensioneve ka nevojë për ndryshime rrënjësore dhe politika afatgjata, jo thjesht masa të përkohshme për qëllime elektorale.
Ky debat i nxehtë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave vjen në një kohë kur çështja e pensioneve është bërë një ndër temat më të diskutuara, duke reflektuar shqetësimet e thella të qytetarëve për një sistem të drejtë dhe të qëndrueshëm”, u shpreh Tabaku.
Lini një Përgjigje