Tirana është bërë gati 24 orë para mbërritjes së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku do të kalojë Blinken, janë vendosur flamuj shqiptarë dhe amerikanë dhe në fasadën e Fakultetit Politeknik, është vendosur një banderolë e zyrtarit të lartë amerikan, me mbishkrimin “Mirë se vjen zoti Blinken”.
Për këtë ngjarje policia ka forcuar masat e sigurisë për ndalesën 8 orëshe të sekretarit amerikan i cili në 2021 shpalli non grata ish-kryeministrin Sali Berisha.
Të angazhuar për sigurinë do të jenë 1000 forca policie ndërkohë që do të bllokohen rrugët që nga Rinasi e zonat ku Blinken do ketë takime.
Forcat e angazhuara për sigurinë e vizitës së zyrtarit të lartë amerikan do të jenë forcat RENEA, ato Operacionale dhe FKS.
Konferenca për shtyp mes kryeministrit Edi Rama dhe sekretarit amerikan Antony Blinken është parashikuar që të mbahet përgjatë harkut kohor 16:00-17:00.
Në axhendën e tij, Blinken ka edhe një takim me Presidentin Begaj.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller pak para mbërritjes në Tiranë të Blinken, komentoi vizitën e sekretarit amerikan dhe tha se Shqipëria është partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor si dhe një zë i fortë i mbrojtjes së Ukrainës.
Në një konferencë për mediat ka dhënë disa detaje në lidhje me agjendën e zyrtarit të lartë amerikan.
Në deklaratën e tij, Miller njofton se vizita e Blinken, në Shqipëri është e para dhe riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë. Po ashtu një tjetër pikë që vlerëson Miller është mandati që mbajti Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020.
Ndërkohë zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, ish ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, tha se vizita e Blinken në Shqipëri do të përqendrohet tek “e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”.
Ish-ambasadorja e Shqipërisë Yuri Kim tha se Blinken do të veçojë bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.
Ajo tha se Sekretari Blinken do të qëndrojë në Shqipëri që nga ora 11:00 paradite deri në 19-20:00 në mbrëmje dhe gjatë vizitës do të ketë takime me Presidentin Bajram Begaj dhe me Kryeministrin Edi Rama. Më pas pritet të ketë dhe një dalje para medias me kryeministrin Rama. Ish-ambasadorja Kim tha gjithashtu se Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP.
Masat e ndërmarra dhe kufizimet para dhe gjatë vizitës sipas Policisë janë :
▪️Ndalim parkimi
Duke filluar nga ora 19:30 e datës 14.02.2024 deri në orën 20.00 të datës 15.02.2024, në rrugët "Faik Konica", "Dervish Hima", "Ismail Qemali" (para Kryesisë së Kuvendit), "Gjergj Filipi", "Lek Dukagjini", Rruga e Elbasanit, "Papa Gjon Pali II", bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rruga "Ukraina e Lirë" (Gjykata Kushtetuese), do të ndalohet parkimi i mjeteve në rrugë dhe në hapësirat e caktuara për parkim.
▪️Ndalim qarkullimi
Në fashat orare 09:30-12.30 dhe 17:30-20.00, të datës 15.02.2024, do të ndalohet qarkullimi në rrugët si më poshtë:
1. Interurbane dytësore Fushë Prezë-Rinas;
2. Interurbane dytësore Rinas-Qafë Kashar dhe anasjelltas;
3. Interurbane kryesore Qafë Kashar - ish-sheshi Shqiponja dhe anasjelltas;
4. Interurbane kryesore ish-sheshi Shqiponja-Teg-Sanatorium dhe anasjelltas;
5. Rruga e Elbasanit, rruga "Dervish Hima", rruga "Faik Konica", rruga "Papa Gjon Pali II", rruga "Ismail Qemali", rruga "Themistokli Germenji", rruga "Abdyl Frashëri", rruga "Ukraina e Lirë", rruga "Gjergj Filipi", bulevardi "Dëshmorët e Kombit" dhe bulevardi "Bajram Curri".
▪️Rrugë alternative
Qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 15.02.2024, nga Durrësi dhe veriu, do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, Fushë Krujë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, ndërsa nga juglindja dhe Tirana, do të ndjekin unazën lindore-Farmacia 10-Stacioni i Trenit-Bulevardi i Ri-Paskuqan-Kamëz -Valias-Aeroporti i Rinasit, dhe kthimi në të njejtin itenerar.
Për emergjencat mjekësore që mund të afektohen në oraret e bllokimet, të ndiqen rrugët dytësore dhe të tjera, në drejtim të spitaleve perkatëse, të ndryshme nga ato që do të përshkohen nga delegacioni amerikan.
Policia e Shtetit kërkon mirekuptimin e të gjithë qytetarëve për masat e sigurisë dhe apelon për të shmangur qarkullimin me mjete rrugore në oraret dhe rrugët ku parashikohen kufizimet e levizjes, për qëllime sigurie.
Lini një Përgjigje