
Ç’kodimi i mesazhit të Bablokut që do ta bëjmë jo mavi por “kuq fare”…
Edi Rama, tashmë ka marrë një revansh të pandalshëm si pasojë e heshtjes së amerikanëve. Thuajse çdo ditë, në deklaratat e tij live në facebook, ka një mesazh të koduar për Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Mesazhi i djeshëm ishte më i forti nga të gjithë. Kryeministri i bëri thirrje Altin Dumanit që të mos përgjojë asnjë nga detashmentet politike në zgjedhjet e 11 majit. Për të cilat ka thënë se do të jenë “jo mavi, por të kuq, flakë”. Një mesazh i qartë për bandat se kanë liri të plotë. Me pak fjalë, siç ka thënë Efraim Diveroli për Gërdecin: “Bishat kanë dalë nga kafazi”.
Po çfarë do të thotë Edi Rama në mesazhin e tij?
Partia Socialiste, sikur namin të bëjë, nuk arrin dot të marrë votat e demokratëve, maksimumi mund t’i shkojë afër rezultatit të vitit 2021.
Lepuri, në të vërtetë fle diku tjetër. Rama po bëhet gati për të përsëritur operacionin e vitit 2016 në zgjedhjet e pjesshme në Dibër, ku në lojë do të hyjnë xhagajdurët-të fortit.
Të cilët, duke përfituar nga kaosi ndërkombëtar dhe mungesa e një mbështetje të fortë ndaj SPAK, të ndodhë e ashtuquajtur “mbushja e boshllëkut” të opozitës.
E këtu përveç Edi Ramës, ka faj edhe Sali Berisha, i cili ka relativizuar si Non- Grata-n e tij, edhe akuzat e SPAK. Si pasojë e këtij relativizimi, loja ka nisur e rëndë, siç thotë Rama “e kuqe flakë”.
Tom Doshi, një personazh njësoj si Sali Berisha, i shpallur Non Grata, i cili dha dorëheqjen në vitin 2021, ka premtuar rikthimin në fushë, pra rikandidimin për deputet.
Mbështetës mediatikë të Tomës, kanë nisur një PR invaziv, duke bërë të ditur se surpriza e këtyre zgjedhjeve do të jetë Partia Socialdemokrate.
E cila, nuk do të mbajë pozicionin e saj vetëm në qarkun Shkodër, ku synon dy mandate, por edhe në Dibër, Elbasan, Durrës e veçanërisht në Tiranë.
Në Dibër pritet rikthimi i një deputeteje të njohur e propozuar nga çamët e kthyer në socialdemokrate prej pagëzuesit të “Bablokut”.
Ndërkohë në Elbasan, pozitat e Qifes pritet të rriten edhe me një deputet tjetër nga familja e tij. Po ashtu në Durrës, por mbi të gjitha në Tiranë. Përkatësisht në Kamëz dhe Vorë, ku do të luhet një betejë e fortë për 3 deputetë. PSD e Tomës, e mbështetur nga Babloku po bëhet gati për një grup parlamentar me 7 deputetë, që do të jenë realisht Garda Pretoriane e Edi Ramës për çdo rast.
Pikërisht ky është çkodimi i mesazhit të Ramës që do ta bëjmë jo mavi por “kuq fare”. Mesazh që nuk kishte lidhje me elektoratin, por thjesht me të fortët. Të cilët janë thirrur që të rikthehen fuqishëm. Natyrisht që ky kod po merr shtysë nga një tërheqje amerikane në protagonizmin ndaj SPAK, por fajin këtu e ka edhe opozita. E cila, për interesat meskine të liderëve të saj sulmon SPAK dhe Altin Dumanin, madje arrin deri aty sa Sali Berisha ka premtuar shkrirjen e Prokurorisë së Posaçme.
Edi Rama ka marrë gjoja peshën e njeriut që po bën gjithçka për të shpëtuar SPAK. Kur në të vërtetë po i thotë që të bëjë prapaktheu dhe të mos i fusë hundët në zgjedhje.
Berisha, mund të vijojë sërish retorikën e përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhje, por kësaj radhe nuk ngjit, ngaqë e ka djegur me sulmet dhe shantazhet kundrejt SPAK-ut, por edhe me paktet e vazhdueshme me Edi Ramën kundër Drejtësisë së re.
Një raport i shërbimeve sekrete evropiane për shefat e tyre fillon me fjalët se zgjedhjet e 11 majit do të nxjerrin ‘djajtë nga shishja’, pasi që tani ka mbërritur një sasi e stërmadhe parash që po qarkullon për të paguar ushtritë kundërshtare. Që siç thotë Edi Rama do të “skuqen fare” Qoftë pa qeder!/Pamfleti
Lini një Përgjigje