
Ndërkohë që 1 marsi, dita kur do të zhvillohen primaret në PD po afron, ka një tërheqje të disa prej emrave nga gara për të siguruar një vend në listën e kandidatëve për deputet të kësaj partie për zgjedhjet e 11 majit.
Kështu pas Helidon Bushatit, deputetit të Qarkut të Shkodrës, që njoftoi tërheqjen pasditen e së martës, një tjetër emër nga strukturat drejtuese të PD-së është tërhequr nga gara. Bëhet fjalë për Sekretarin e Diasporës, Indrit Hoxha. Ky i fundit në një njoftim në rrjetet sociale thekson se “pas një reflektimi të thellë dhe me përgjegjësinë më të madhe ndaj jush dhe ndaj misionit tonë të përbashkët, kam vendosur që të mos jem pjesë e garës në primaret për kandidatët për deputet”.
“Kjo nuk është një tërheqje, por një angazhim i ri për të forcuar Partinë Demokratike dhe për të mbështetur çdo përpjekje që na çon drejt fitores.
Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë. Pas viteve të një keqqeverisjeje të lodhshme dhe të korruptuar, është koha për një rotacion politik që do t’u rikthejë shqiptarëve shpresën dhe besimin tek institucionet. Ky ndryshim nuk do të vijë vetë – ai kërkon sakrificë, përkushtim dhe angazhim nga çdo demokrat dhe çdo qytetar që e do këtë vend.
Nuk ka më vend për qëndrime pasive. Është detyra jonë që me vullnet dhe vendosmëri të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të sjellë ndryshimin. Çdo përpjekje, çdo angazhim, çdo sakrificë është një hap drejt një Shqipërie të lirë nga korrupsioni dhe padrejtësitë”, shprehet Hoxha.
Ashtu si në rastin e Bushatit edhe Hoxha premton besnikëri ndaj Berishës dhe PD-së, por duket se tërheqja nga primaret është një sinjal jo shumë pozitiv jo thjesht për garën e brendshme, por edhe për frymën me të cilën forca më e madhe e opozitës hyn në zgjedhje. Ndoshta fakti se vendet në atë që konsiderohet si ‘lista e sigurtë’ janë paracaktuar është një arsye për tërheqjen nga primaret, pasi shumë prej atyre që hyjnë në garë dhe do të shpallen fitues, thjesht mund të jenë mbushës në listën zyrtare të kandidatëve për deputet.
Lini një Përgjigje