Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thirrur një tryezë të hapur me partitë opozitare, shoqërinë civile dhe sindikatat me synimin për të ndërtuar një front të përbashkët kundër qeverisë Rama.
Tryeza, e titulluar “Zgjidhja për Shqipërinë”, do të mbahet më 9 janar, ora 11:00, dhe është njoftuar zyrtarisht nga PD si një tentativë për bashkërendimin e aksionit opozitar.
Por ftesa ka prodhuar menjëherë reagime të forta dhe të ndara. Arlind Qori, drejtues i Lëvizjes Bashkë, e refuzoi kategorikisht pjesëmarrjen në tryezën e thirrur nga Berisha, duke e cilësuar atë si pjesë të “një sistemi të kalbur dhe të korruptuar politik”.
Në një video-mesazh të publikuar pas ftesës, Qori u shpreh se: “Jo dje, jo sot, jo nesër. Lëvizja Bashkë nuk ka për ta ndyrë kurrë veten për të qenë pjesë e një sistemi të korruptuar politik. Ne jemi për rrëzimin e qeverisë së korruptuar të Edi Ramës dhe, bashkë me të, të gjithë këtij sistemi të vjetruar e servil ndaj oligarkisë.”
Qëndrimi i Lëvizjes Bashkë mbetet i prerë: asnjë bashkëpunim me forcat tradicionale të politikës shqiptare.
Ndërkohë, Adriatik Lapaj, themeluesi i nismës “Shqipëria Bëhet”, u tregua më i matur, por jo më pak kritik. I pyetur mbi pjesëmarrjen në tryezën e 9 janarit, ai e vuri theksin tek nevoja për protesta masive qytetare dhe jo për forume politike me axhenda të konsumuar. “Për çfarë na duhen tryezat? Na duhen qytetarët në shesh. Unë jam i gatshëm të bëj një hap pas dhe të jem qytetar i thjeshtë, nëse ky (Rama) detyrohet të ikë”, tha ai.
Po Gonia?!