
Ndonëse pati një reagim sot nga KLGJ, ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi sërish gjyqtarët dhe prokurorët që e morën të pandehur.
Ai pati sot një takim me ekspert të ekonomisë për të diskutuar buxhetin e ri dhe sërish është ndalur te akuzat që SPAK ka ngritur kundër tij për aferën me ish-kompleksin “Partizani”. Po ashtu, Berisha u ndal dhe te aksioni opozitar. Sipas Berishës, një grup deputetësh të opozitës, qëndrojnë në një mosbindje civile sepse aty, ai që sundon sot këtë vend, në mënyrën më të inkriminuar, ai u ka privuar atyre të drejtat themelore kushtetuese.
“Të harrojnë intelektualët se ekziston liria intelektuale, se ekziston liria akademike, se ekziston liria si e tillë. Ju i ndiqni skemat. Çfarë kërkojnë deputetët aty? Kurrë, që nga rrëzimi i diktaturës, nuk ka pasur kërkesa të tilla. Kërkojnë t’u respektohet e drejta e tyre kushtetuese për të ngritur komisione hetimore parlamentare, në emër tuaj. Në emër të transparencës për qytetarët. Sot të përndjekurit politikë në këtë buxhet, kanë gjithsej 11 milionë euro. Edi Rama me ‘Ismailin’ e tij në dy vite ka harxhuar 22 milionë euro. Prandaj nuk pranon kurrsesi të hetohet. Ne nuk mund të vazhdojmë më tutje. Sot, absolutisht njëlloj si në diktaturë, se diktatura nuk është se nuk kishte ligje, kishte parlament, kishte komisione parlamentare, kishte kryetar Parlamenti.
Por diktatura thoshte se Shqipëria është diktaturë proletariati dhe ishte Sekretari i Parë ai që është i gjithëfuqishëm. Kurse Kushtetuta jonë thotë se ne jemi republikë parlamentare. Dhe në këtë vend dhe në këtë kohë, gjykatës dhe prokurorë mercenarë, i marrin parlamentit pushtetin. I marrin pushtetin Parlamentit. Imagjinoni se cila është situata. Kushtetuta përcakton atribut Parlamentin, kurse mercenarët në prokurori dhe gjykata, njëlloj si dikur në zyrat e hetuesisë së Sigurimit të Shtetit, vendosin për atë që duhet të vendosë parlamenti. Ua them këtë për të kuptuar se në çfarë situate dramatike është Shqipëria sot”, tha ai.
Lini një Përgjigje