
Gazment Bardhi iu drejtua javën e kaluar Kuvendit përmes një shkrese duke bërë të ditur se anuloheshin të gjitha masat disiplinore ndaj deputetëve të djathtë, në mënyrën që ata të ribashkoheshin me grupin parlamentar të PD-së.
Mes të përjashtuarve, ai që përfiton në letër është edhe ish-kryeministri Sali Berisha i pezulluar nga grupi parlamentar i PD me vendim të Lulzim Bashës në 9 shtator 2021 dhe më pas përmes ndryshimeve statutore të PD në Kuvendin e 18 dhjetorit 2021, i përjashtuar.
Kuvendi i Shqipërisë ka reflektuar kërkesën e Gazment Bardhin për të përfshirë në grupin parlamentar të PD-së të gjithë deputetët që kishin një masë përjashtimi nga Lulzim Basha dhe tashmë në faqen zyrtare të Kuvendit lista përbëhet nga 38 deputetë.
Mes emrave gjenden edhe Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj por mungon emri i Sali Berishës.
Burime nga Kuvendi thanë se Sali berisha nuk është rikthyer në listë pasi ai nuk ka qenë anëtar i grupit parlamentar të PD-së as kur parlamenti u konstituua me 10 shtator të vitit 2021.
Në pasqyrimin e bërë në web Berisha vijon të qëndrojë krah deputetëve të pavarur të cilët janë deputetë të PSD-së, Partisë së Lirisë dhe Agron Shehaj e Kasën Mahmutaj.
Kuvendi shpjegon se përse Berisha ka mbetur jashtë, duke theksuar se ai nuk ka qenë anëtar i grupit të PD që prej nisjes së legjislaturës. Me kërkesë të Bardhit në grup janë kthyer të gjithë deputetët që kanë qenë anëtarë të grupit të PD që prej nisjes së legjislaturës më 10 shtator.
"Në datën 9 prill 2024 Kuvendi është njoftuar nga z. Gazment Bardhi mbi “Revokimin e të gjitha vendimeve për masa disiplinore të marra nga grupi gjatë kësaj legjislature. Deputeti Sali Berisha, prej fillimit të legjislaturës, nuk ka qenë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Lini një Përgjigje