TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Dhjetor 2023, 07:47

Sali Berisha drejt arrestimit, Kuvendi autorizon sot kërkesën e SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Sali Berisha drejt arrestimit, Kuvendi autorizon sot kërkesën e SPAK
Sali Berisha

Kuvendi do të mblidhet sot në një nga seancat më të rëndësishme plenare, ndërsa në pikë të parë të rendit të ditës është dhënia e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Nuk priten shumë surpriza, pasi socialistët do të votojnë pro kërkesës së SPAK.

Vetë Berisha ka paralajmëruar se nuk do të njohë vendimin e Parlamentit. Ndërsa e enjtja parlamentare pritet të prodhojë kaos me flakadanë brenda sallës së Kuvendit dhe paralelisht protestë në ambientet e jashtme të legjislativit.

Këtë herë, pas vetes, për të kundërshtuar SPAK-un dhe për skenarin e së enjtes, ka edhe deputetin Gazment Bardhi.

Seanca plenare këtë të enjte ka si pikë të parë të rendit të ditës shqyrtimin dhe votimin e raportit të Këshillit të Mandateve, këshill i cili i dha dritën jeshile autorizimit të kërkuar nga SPAK,  për arrestin me burg apo arrest shtëpie për deputetin Sali Berisha.

Deputetët e opozitës pritet të mbërrijnë në parlament rreth orës 9. Së bashku me ta do jenë edhe tre deputetët më të fundit të përjashtuar me 10 ditë Edmond Spaho, Kastriot Piroli dhe Saimir Korreshi.

SPAK iu drejtua Kuvendit me kërkesën për dhënien e autorizimit për rëndimin e masës ndaj Sali Berishës në arrest, më 12 dhjetor pasi ish-kryeministri, nën akuzë për privatizimin e ish kompleksit Partizani, nuk respektoi masën e parë, atë të detyrimit për paraqitje.

 

sali berisha spak

Lini një Përgjigje