TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Tetor 2023, 14:15

Berisha bojkoton sërish seancën, dërgon avokatin e tij për të marrë pjesë në gjyq

Shkruar nga Pamfleti

Berisha bojkoton sërish seancën, dërgon avokatin e tij për

Ditën e sotme në orën 14:30 do të zhvillohet seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme, për verifikimin e masës “Detyrim Paraqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili akuzohet për korrupsion pasiv, në lidhje me privatizimin e ish kompleksit Partizani.

Berisha do të përfaqësohet nga dy avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjezi.

Të dy avokatët, kanë mbërritur pak para fillimit të seancës, ndërsa Berisha ka bojkotuar sërish gjyqin duke mos marrë pjesë.

Pak orë para nisjes së seancës, Berisha doli në një konferencë për mediat. Ai që në nisje të fjalës së tij lëshoi akuza në drejtim të SPAK dhe të kryeministrit Edi Rama. Berisha u sqarua mbi procedurën e ndjekur për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

“Dacibao politike ndaj vendimeve kolegjiale dhe ligjeve të parlamentit, në zbatim të programit të qeverisë së PD në mandatin e saj të viteve 2005-2009, për reformat në fushën e pronësisë, ekonomisë, forcave të armatosura, sportit, etjm, paraqet fytyrën e vërtetë dhe kriminale të Edi Ramës dhe laro skapistëve të tij.

Përbën përpjekjen më monstruoze të vendosjes së kontrollit politik policesk mbi veprimtarinë e qeverisë dhe parlamentit nga një grup prokurorësh të lidhur si mishi me thoin me pushtetin kriminal të Edi Ramës.
Dëshmon se çdo pushtet përcaktohet dhe kontrollohet nga Edi Rama përmes 4-5 larove të tij skapistë. Dacibao e djeshme ndaj reformave, nga të cilat kanë përfituar qindra-mijëra dhe në disa raste, mbarë shqiptarët, e bën këtë çështje procesin politik të shekullit.

Dje u njohua ju me njohjen monstruoze të Edi Ramës dhe larove të tij skapistë, që shkruanin në dacibaon e tyre se vendimi i qeverisë për përdorimin e letrave me vlerë për pagesën në masën 80 përqind të shumës në blerjen e objekteve të privatizuara, nga i cili kanë përfituar qindra e mijëra shqiptarë, duke blerë objekte në privatizim, legalizuar banesat e tyre dhe destinacione të tjera.

Ky vendim sipas tyre qenka marrë për të ndihmuar dhëndrin tim, i cili kishte paguar në të holla 88.6 përqind të shumës për blerjen e objekteve të ndërtuara nga shteti komunist në tokën e familjes së tij, të grabitur 50 vite më parë.
Dhe ky vendim doli një muaj pasi ata kishin paguar 88.6 përqind të shumës për objekte të ndërtuara në tokën e konfiskuar për 50 vite më radhë”, u shpreh Berisha.

Ditën e djeshme, Berisha duhej të njihej me masën e sigurisë, por avokatët e tij kanë shkuar me skenar. Ata kërkuan përjashtimin e gjyqtares, Irena Gjoka, pasi pretendojnë se ajo ka shkelur Kushtetutën. Sipas tyre, Berisha ka imunitet deputeti dhe nuk mund të ketë masë sigurie.

Po ashtu ata kanë kërkuar të njihen me aktet e dosjes. Fillimisht seanca u shty për në orën 18:00, por më vonë u vendos të mbahet sot në orën 14.30, ku dhe do shihet nëse do pranohet kërkesa për përjashtimin e gjyqtares.

Vetë avokati, Genc Gjokutaj informoi se ata kanë bërë edhe një padi në SPAK ndaj saj për shpërdorim detyre.

“Sot është bërë kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Pasi vendimi bie ndesh me Kushtetutën. Ne kemi kërkuar përjashtimin e gjyqtares, Irena Gjoka dhe gjykimi është ndërprerë për të shqyrtuar këtë kërkesë. Ne po presim për vendimin e shqyrtimit të kërkesës për përjashtimin e saj. Jemi për një proces të rregullt dhe një mbrojtje efektive. Do të presim vendimin e gjykatës”, tha avokati Gjokutaj.

berisha gjyq seanc bojkot

Lini një Përgjigje