
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi ka akuzuar qeverinë se po i bën presion elektoral administratës publike.
Në një denoncim të bërë në rrjetet sociale, Këlliçi ka publikuar një foto të një formulari që sipas tij u shpërndahet punonjësve të OSHEE-së, të cilët detyrohen të sigurojnë nga 10 votues secili për Ministrin e Brendshëm në detyrë, Ervin Hoxha.
Sipas Këlliçit, punonjësit përballen me kërcënimin e humbjes së vendit të punës nëse nuk përmbushin “detyrën”. Ai thekson se dy numra telefoni të bashkangjitur në formular janë përdorur për të kontaktuar dhe verifikuar votuesit e listuar, çka përbën, sipas tij, një formë të qartë patronazhimi politik.
Këlliçi kërkon ndërhyrjen urgjente të SPAK-ut, duke e cilësuar rastin si manipulim flagrant të votës dhe një krim elektoral që duhet të hetohet pa vonesë. Ai thekson se një procedim penal mund të nisë menjëherë mbi bazën e këtij materiali, duke e cilësuar çdo vonesë si të pajustifikueshme dhe cenuese për procesin zgjedhor.
“Ky është formulari me të cilin punonjësit e OSHEE-së në Tiranë detyrohen të gjejnë 10 votues për Ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha. Kërcënimi: humbja e vendit të punës.
Dy numrat e telefonit të bashkangjitur janë numrat të cilët telefonojnë votuesit e shënuar në listë për të vërtetuar votën e tyre pro ministrit në detyrë. Ky patronazhim bëhet në ditën qe po flasim e deri të premten, një ditë para heshtjes zgjedhore.
Task Forca e SPAK-ut mund të mjaftohet me këtë denoncim për të hapur një procedim penal, pasi faktet janë të hapura dhe manipulimi i votës skandaloz.
Çdo vonesë është e pajustifikuar dhe cenuese për procesin zgjedhor”, shkruan Këlliçi.
Lini një Përgjigje