Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, mori pjesë në edicionin e 10-të të Shkollës së Integrimit Evropian, ku foli për perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe rolin e shoqërisë shqiptare në këtë proces.
Gonzato theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian është një projekt mbarëshoqëror, që kërkon përfshirjen e të gjitha forcave politike dhe të qytetarëve.
“Secili prej jush ka mundësi të kontribuojë në integrimin në BE. Shqipëria ka nevojë për këtë kontribut, sepse siç thuhet në raportin e anëtarësimit integrimi është një projekt që duhet të ketë autorësi jo vetëm të qeverisë, por edhe të opozitës, qytetarëve dhe komuniteteve lokale,” deklaroi ambasadori.
Ai shtoi se procesi i integrimit duhet të mbështetet nga legjitimiteti demokratik dhe konsensusi politik e shoqëror, duke vlerësuar energjinë dhe angazhimin e brezit të ri.
“Duke parë një grup kaq të larmishëm e të ri, besoj se këto fjalë gjejnë jehonë,” u shpreh Gonzato.
Ambasadori vuri në dukje se Shqipëria po hyn në një fazë thelbësore të anëtarësimit, ndërsa po vijon me çeljen e të gjithë grupkapitujve të negociatave.
Sipas tij, kjo është një arritje e qartë, por faza e ardhshme do të jetë më e vështirë, pasi mbyllja e kapitujve kërkon përmbushje të plotë të reformave dhe përshtatje me ligjin evropian.
“Ky është momenti kur Shqipëria do të vihet në sprovë për të zbatuar reformat në përputhje me ligjin evropian. Për të mbyllur negociatat në vitin 2027, nevojiten fokus, qasje gjithëpërfshirëse dhe vendosmëri,” theksoi Gonzato.
Ambasadori foli edhe për domosdoshmërinë e Shqipërisë që të përmbushë në mënyrë konsistente reformat në kuadër të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Urgjenca e reformave në kuadër të anëtarësimit në BE nuk duhet dhe nuk mund të vijë në kurriz të cilësisë, sepse integrimi në BE nuk është një proces ku ke një listë e ku shënjon detyrat. Presim që Shqipëria të arrijë reforma konsistente”, tha Gonzato gjatë fjalës që mbajti sot në edicionin e 10-të të Shkollës së Integrimit Europian.
Gjithashtu ai tha se mbyllja e grup kapitujve për anëtarësimin në BE do të jetë një fazë më sfiduese për vendin tonë, pasi ky process është më i vështire se sa çelja e tyre.
Lini një Përgjigje