TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Maj 2026, 12:19

“Asnjë reagim nga Rama”, Bardhi për protestën në Shkup: Të rinjtë shqiptarë u trajtuan në mënyrë çnjerëzore (Video)

Shkruar nga Pamfleti
“Asnjë reagim nga Rama”, Bardhi për protestën në
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas ndalimit të rreth 40 të rinjve shqiptarë nga policia e Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar ngjarjen si një “pengmarrje shtetërore”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi dënoi atë që e quajti ndalim arbitrar dhe trajtim çnjerëzor ndaj të rinjve shqiptarë, të cilët sipas tij u mbajtën për afro nëntë orë në pikat kufitare, pa akuzë dhe pa shpjegime nga autoritetet maqedonase.

Sipas Bardhit, shumica e të ndaluarve ishin studentë shqiptarë të moshës 18-20 vjeç, mes tyre edhe vajza, të cilët po udhëtonin për të mbështetur protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu mungesën e reagimit nga institucionet shqiptare, duke akuzuar qeverinë dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për heshtje ndaj situatës.

Ai pretendon se autoritetet shqiptare ishin vënë në dijeni për lëvizjen e të rinjve shqiptarë nga kufiri me Shqipërinë drejt Kumanovës dhe më pas pranë kufirit me Serbinë, pa procedura të qarta dhe pa shpjegime zyrtare.

“Ky nuk është kontroll kufitar. Kjo është pengmarrje shtetërore”, shprehet Bardhi në reagimin e tij.

Më tej, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë shqiptare për mungesë reagimi në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë, duke e cilësuar këtë qëndrim si “kapitullim dhe braktisje të turpshme”.

"Dënoj me forcë ndalimin arbitrar dhe trajtimin çnjerëzor që policia e Maqedonisë së Veriut u bëri rreth 40 të rinjve shqiptarë, të cilët për afro 9 orë u mbajtën praktikisht peng në pikat kufitare, pa asnjë akuzë, pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë të drejtë minimale njerëzore.
Është skandaloze që studentë shqiptarë, shumica 18-20 vjeç dhe shumë prej tyre vajza, të trajtohen si kriminelë vetëm sepse po udhëtonin për të mbështetur protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata të rinjë meritojnë vetëm respekt dhe mirënjohje për guximin dhe sakrificën.

Por po aq skandaloze është heshtja e e Tiranës zyrtare. Asnjë reagim nga Qeveria Shqiptare. Asnjë reagim nga Ministria e Jashtme. Asnjë mbrojtje për qytetarët shqiptarë të poshtëruar dhe të keqtrajtuar në kufi. Asnjë reagim edhe pse, shteti shqiptar u vu në dijeni se policia e Maqedonisë së Veriut i ka lëvizur 40 të rinjtë shqiptarë nga kufiri me Shqipërinë, në Kumanovë, deri pranë kufirit me Serbinë, pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë procedurë normale.
Ky nuk është kontroll kufitar. Kjo është pengmarrje shtetërore.

Kur bëhet fjalë për propagandë boshe mbi “stabilitetin rajonal”, për rolin e “liderit global” që Edi Rama ka aq qejf t’ia përsërisin autokratët e Ballkanit apo për foto e samite para kamerave, Tirana zyrtare nuk lë vend pa u mburrur. Por kur policia e Maqedonisë së Veriut merr praktikisht peng të rinjtë shqiptarë, i ndalon për orë të tëra pa asnjë akuzë, i trajton si kriminelë vetëm pse mbështesin protestat për gjuhën shqipe dhe identitetin kombëtar, Edi Rama dhe qeveria e tij zhduken. Asnjë reagim. Asnjë dënim. Asnjë mbrojtje për qytetarët shqiptarë.
Kjo nuk është diplomaci. Është kapitullim dhe braktisje e turpshme e qytetarëve shqiptarë.", shkruan Bardhi.

 

Lini një Përgjigje