
Si askush përpara tij, Erion Veliaj është përgjegjës për zaptimin e parqeve e lulishteve nga kullat, për zhdukjen e futjen në thes të monumenteve të kulturës, për ngushtimin e trotuareve dhe eliminimin e çdo hapësire loje për fëmijët...
Konvikte janë pasë quajtur vendbanimet e studentëve/nxënësve, të cilët i kryenin studimet në një qytet tjetër nga ai ku kishin jetuar deri përpara se të nisnin shkollën. Fillimisht, termi konviktor nuk ka pasur konotacion nënçmues, por ishte thjesht emri i njerëzve që jetonin në konvikte. Mes shumësisë së “konviktorëve” kanë dalë inxhinierë, mjekë, historianë, informaticienë, mësues etj., të panumërt. Vetë jeta në konvikt nuk sjell ndofarë degradimi të njeriut. Përkundrazi, mund të jetë nxitëse e solidaritetit dhe jetës së pavarur. Jo më kot ngjarja më e rëndësishme politiko-shoqërore e 33 viteve të fundit është ngjizur pikërisht në konviktet e Qytetit Studenti.
Nuk jam i sigurt nëse nënçmimi i “konviktorit” ka nisur në vitet ’80 apo ’90 të shekullit të kaluar. Ama e mbaj mend që së paku prej mesit të viteve ’90 e tutje termi nisi të përdorej në mënyrë pezhorative nga një pjesë e të lindurve në Tiranë për studentët që vinin nga fshatra e qytete të tjera. Sipas kësaj vetëmburrjeje boshe, që e ngre veten duke stigmatizuar tipare të sajuara të tjetrit, konviktori/ja ishte njeri i dorës së dytë, i pagdhendur mjaftueshëm, pa mundësi ekonomike, i veshur keq, madje edhe më keq se kaq. Kështu skalitej lumpenaristokracia e qytetit, e cila ishte mjaft më e ulët moralisht dhe në të shumtat e rasteve edhe intelektualisht krahasuar me “konviktorët”.
Nuk është hera e parë që Erion Veliaj e përdor në ligjërimin publik termin konviktor si të kundërtin e qytetarit. Për të, konviktori është një njeri i pisët, një zaptues i qytetit që vjen nga jashtë qytetit, ose një egoist i pandreqshëm që do të zërë hapësirën publike, duke rënduar kësisoj stigmën e padrejtë ndaj të rinjve që vijnë për të studiuar e punuar në Tiranë.
Çka e bën edhe më çmeritëse ligësinë e tij është se u mvesh “konviktorëve” krimin e tij më të madh ndaj qytetit: zhdukjen e hapësirave publike. Si askush përpara tij, Erion Veliaj është përgjegjës për zaptimin e parqeve e lulishteve nga kullat, për zhdukjen e futjen në thes të monumenteve të kulturës, për ngushtimin e trotuareve dhe eliminimin e çdo hapësire loje për fëmijët.
Tirana është qytet i pushtuar. Po nga oligarkia e ndërtimeve dhe mafiozët që furnizojnë me kapital dhe fuqi blerëse zaptimin e hapësirës me ndërtesa të larta. Erion Veliaj nuk është gjë tjetër veçse një kolaboracionist spitullaq në këtë pushtim. Dhe si i tillë, i pafuqishëm për t’u parë në pasqyrë pa i ngjallur krupën vetes, e gjen armikun te shumësia e të rinjve që me studimet dhe punën e tyre të palodhur e të keqpaguar janë arteriet kryesore të asaj pak jete që i ka mbetur qytetit tonë.
Lini një Përgjigje