
Kreu demokrat Sali Berisha, gjatë një takimi elektoral në Tiranë, duke folur për programin e PD dhe koalicionit ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’ tha se do të bëhet gjithçka që kombin ta kthejmë në moshën e rinisë.
Berisha premtoi lehtësira dhe subvencione për të rinjtë që kthehen në Shqipëri, sikundër tha se nuk do të ketë asnjë mesatare për të rinjtë që do të duan të vazhdojnë shkollën e lartë.
“Shkolla është zhytur në kaos, në inkopetencë. Mësuesit të cilët janë dhe do jenë misionarë të dijes, janë të ç’orientuar nga patronazhistët. Janë të diskriminuar nga portali një mësues për partinë.
Ne zotohemi para jush që mësuesit ti vendosim në piedestal. Nuk do ketë rrogë minimale ndën 1500 euro për mësuesin. Sikundër mjeku dhe infermieri do kenë dyfishim të rrogave.
‘Made in Albania’ është krenari jonë kombëtare.
Ne do bëjmë gjithçka që në këtë vend të prodhohet, të prodhohet, të prodhohet. Në mënyrë që shqiptarët të punësohen dhe të paguhen. Kjo është rruga. Ndaj dhe përgjysmojmë taksat për bizneset.
Pjesëtojmë me 5 herë taksën mbi ndërtimet që kanë rritur çmimin e qirasë, baraz me Parisin dhe Mynihun”, tha Berisha.
Ai tha se në rastin e taksave për bizneset, Bashkia do ketë kufirin tek thana, nuk do mund të vendosë bizneseve taksë më shumë se 1% se xhiro e tyre.
“Energjia do zbresë nga 18 në 6 lek. Pra frymëmarrje më e madhe, liri ekonomike më e madhe, iniciativë e lirë më e suksesshme. Dhe këtu ne qëndrojmë të vendosur për të ndryshuar me shpejtësi situatën e biznesit në Shqipëri.
Nuk kemi ne të ardhme çfarë do që të bëjmë, nëse të rinjtë nuk qëndrojnë në këtë vend. Në qoftë se ata nuk vendosin të ndërtojnë ëndërrën e tyre në këtë vend. Dhe përpjekja jonë do të jetë titanike që çdo i ri të ketë shansin të mbarojë shkollën e lartë. Të shkollohet asnjë mesatare nuk do të ketë.
Të punësohet dhe qeveria do paguajë 1 vit sigurime shoqërore për çdo të ri të punësuar.
Do paguajë të gjitha shpenzimet për trajnimin e tyre. Çdo çift i ri do të ketë një grand 30 mijë euro për të patuar çatinë mbi, për të paguar interesat e kredisë. Po do bëjmë gjithçka që këta qindra-mijëra të rinj që na ikën, 600 mijë kanë ikur në 10 vitet e fundit, të kthehen 5 vite pa asnjë taksë. Kredi të buta për strehim.
Do bëjmë gjithçka të kthejmë kombin në moshën e rinisë. Vetëm një komb që ruan dhe jeton në moshën e rinisë së tij, është komb me të ardhme”, tha ai.
Lini një Përgjigje