
A jemi rikthyer në vitin 1961 kur presidenti francez Charles de Gaulle e pyeti John Kenedin: Nëse udhëheqësi sovjetik Nikita Khrushchev do të nisën ushtritë e tij kundër Evropës, a do të ishin vërtet të gatshme SHBA-të të sakrifikonin Nju Jorkun në një shkëmbim bërthamor për të mbrojtur Parisin?”
Kur presidenti John F. Kennedy u takua me homologun e tij francez gjatë krizës së Berlinit të vitit 1961, ai u detyrua të rikonfirmonte mbrojtjen e SHBA-së për Evropën. Me Moskën që kërkonte nga NATO të tërhiqte forcat e saj nga qyteti i ndarë, presidenti francez Charles de Gaulle hodhi dyshime mbi vendosmërinë e Amerikës për të mbrojtur Evropën.
Ai e pyeti direkt presidentin amerikan: Nëse udhëheqësi sovjetik Nikita Khrushchev do të nisën ushtritë e tij kundër Evropës, a do të ishin vërtet të gatshme SHBA-të të sakrifikonin Nju Jorkun në një shkëmbim bërthamor për të mbrojtur Parisin?”.
“Nëse vetë ju gjeneral, që keni bashkëpunuar kaq gjatë me Shtetet e Bashkuara mund të vini në dyshim vendosmërinë e Amerikës, atëherë këtë mund ta bëjë edhe zoti Hrushov”- u përgjigj Kennedy sipas shënimeve të marra në atë takim. Në fund, SHBA-ja dhe aleatët e hodhën poshtë ultimatumin, Moska u tërhoq nga presioni dhe Berlini Perëndimor mbeti i lirë.
Dilema ekzistenciale e një parandalimi të zgjeruar - A do të rrezikonte një fuqi bërthamore asgjësimin e atdheut për të mbrojtur një aleat shumë larg saj? - ka qenë në qendër të qasjes gjeopolitike që kur Uashingtoni e zgjeroi për herë të parë ombrellën e tij bërthamore në Evropë kur u themelua aleanca e NATO-s në vitin 1949.
Edhe pse sovjetikët hodhën publikisht dyshime mbi vullnetin e Amerikës, ata nuk e vunë asnjëherë në provë atë. Sot, ndërsa Ukraina është përfshirë në luftën më të përgjakshme në Evropës në gati 8 dekada, dhe presidenti rus Vladimir Putin bën rregullisht kërcënime bërthamore, pyetja e ngritur dikur nga De Gaulle vërtitet sërish në mendjet e aleatëve dhe kundërshtarëve të Amerikës.
A do të ishte i gatshëm një president amerikan, veçanërisht Donald Trump nëse rizgjidhet president në nëntor, të rrezikonte një luftë bërthamore për Helsinkin, Talinin apo Varshavën? Dhe nëse jo, a do të munden 2 fuqitë bërthamore të Evropës - Franca dhe në një masë më të vogël, Britania e Madhe - të ofrojnë një frenim të mjaftueshëm për ta dekurajuar Putinin të testojë vendosmërinë e Perëndimit dhe të cenojë anëtarët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian që ishin dikur nën sundimin e Moskës?
Ndonëse Franca nuk është ofruar zyrtarisht ta zgjerojë ombrellën e saj bërthamore, dhe është aktualisht e përkushtuar në mbrojtjen e “interesave jetike” të vendit, presidenti Emmanuel Macron ka deklaruar se këto interesa kanë “një dimension evropian”.
Muajin e shkuar ai e cilësoi si “ekzistenciale” për Evropën dhe Francën luftën në Ukrainë. Në një takim të zhvilluar në shkurt me homologët gjermanë dhe polakë, Ministri i Jashtëm francez Stéphane Séjourné u bëri thirrje aleatëve evropianë që të zhvillojnë një “policë suplementare të sigurimit të jetës”, duke pasur parasysh forcimin e izolacionizmit në politikën amerikane.
Në vendet që ndodhen në kufi me Rusisë, shumë njerëz e shohin si jetike pengesën bërthamore franceze dhe britanike. “Ekzistojnë disa rrugë për të kompensuar humbjen e mbrojtjes bërthamore të SHBA-së, në mënyrë që të mos ndodhë një sulm”- thotë Tomas Jermalavičius, kreu i studimeve në Qendrën Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë në Talin, Estoni.
“Për Putinin, ajo që ka realisht rëndësi është që pala tjetër që e kundërshton të ketë armë bërthamore, dhe të jetë e besueshme për përdorimin e tyre në rrethana ekstreme. Për sa kohë që ekziston ende kjo mundësi, qoftë edhe 1 për qind, parandalimi mund të vazhdojë të qëndrojë në këmbë”- thekson ai.
Reagimi i De Gaulle ndaj krizës së Berlinit ishte zgjerimi i programit francez të armëve bërthamore. Aktualisht Franca zotëron rreth 290 bomba bërthamore, të ndara midis një force strategjike prej 4 nëndetësesh, njëra prej të cilave është në patrullime të vazhdueshme parandaluese në det, por edhe tek avionët luftarakë “Rafale” që janë të aftë të lëshojnë raketat bërthamore me një ngarkesë më të vogël.
Ky programi parandalimi mbetet plotësisht i pavarur nga NATO. Franca është e vetmja anëtare e aleancës që nuk është pjesë e Grupit të Planifikimit Bërthamor dhe presidenti Macron ka autoritet të plotë mbi përdorimin e mundshëm të këtyre armëve.
Ndërkohë forca bërthamore më e vogël në sasi dhe më pak e gjithanshme e Britanisë së Madhe është plotësisht e integruar në komandën e NATO-s. Duke mos pasur një element ajror, ajo mbështetet tek raketat Trident të furnizuara nga Amerika për 4 nëndetëset e saj dhe zotëron gjithsej nën 260 koka luftarake.
Kryeministri britanik mban autoritetin e vetëm mbi përdorimin e armëve bërthamore, dhe doktrina e vendit thotë se kjo mund të ndodhë “vetëm në rrethana ekstreme të vetëmbrojtjes, duke përfshirë mbrojtjen e aleatëve tanë të NATO-s”.
Edhe pse shumë pak krahasuar me mijëra armë bërthamore që zotërojnë Rusia dhe SHBA-ja, zyrtarët e Francës dhe Britanisë besojnë se armët e tyre bërthamore mund të ofrojnë një parandalim të besueshëm në rastin e një krize të rëndë, dhe kjo për shkak të natyrës asimetrike të luftës bërthamore.
Tek e fundit, edhe vetëm perspektiva që një bombë të arrijë të kapërcejë mbrojtjen ajrore dhe të shkatërrojë Moskën, ka të ngjarë të mjaftojë për t'i imponuar përmbajtje udhëheqjes ruse. “Të kesh një parandalim më të fortë bërthamor evropian nuk do të thotë domosdoshmërisht të jetë më i madh në arsenal”- thotë Bruno Tertrais, zëvendësdrejtor i Fondacionit për Kërkime Strategjike në Paris, i cili e ka këshilluar më herët qeverinë franceze mbi politikën bërthamore. “Është në thelb një çështje e besueshmërisë politike dhe jo e besueshmërisë teknike”- shton ai.
Peter Watkins, bashkëpunëtor në grupin e ekspertëve “Chatham House” në Londër, që ka mbikëqyrur parandalimin bërthamor si drejtor i përgjithshëm i Ministrisë britanike të Mbrojtjes, thotë se NATO nuk ka nevojë të shtojë forcat e saj bërthamore pasi kohët e fundit mirëpriti anëtarët e rinj si Finlanda dhe Suedia.
“Parandalimi nuk është diçka lineare. Është e qartë se ka një parandalim më të mirë nëse ke një forcë më të madhe, dhe nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të kontribuonin në një mënyrë a tjetrën, ombrella bërthamore e NATO-s nuk do të ishte aq e fortë sa është tani. Por aftësitë e britanikëve dhe francezëve janë gjithsesi të rëndësishme”- shton më tej Watkins.
Diskutimet paraprake në Evropë mbi elementin bërthamor të frenimit të Rusisë kufizohen nga një prioritet kryesor: Asnjë qeveri aleate nuk dëshiron të bëjë ndonjë gjë që mund të dëmtojë marrëveshjen aktuale të “ndarjes bërthamore” të udhëhequr nga SHBA, që ka funksionuar aq mirë për të ruajtur paqen brenda kufijve të NATO-s.
Përveç arsenalit strategjik bërthamor, SHBA-ja ka vendosur armë bërthamore në Gjermani, Holandë, Belgjikë, Itali dhe Turqi. Pilotët nga këto vende fluturojnë me avionë me aftësi të dyfishta që mund të lëshojnë armë bërthamore.
Kur në shkurtin e vitit 2020, Macron i ftoi aleatët evropianë të merrnin pjesë në stërvitjet franceze të forcës bërthamore, dhe të diskutonin se si aftësitë parandaluese franceze mund ta forcojnë sigurinë evropiane, oferta e tij ra fillimisht në vesh të shurdhër.
Gjermania e refuzoi shpejt atë ide, dhe zgjedhja e presidentit Biden disa muaj më vonë, bëri që shumë liderë evropianë të arrinin në përfundimin se kërcënimet me të cilat përballej NATO nën administratën Trump ishin një stuhi kalimtare. Por kjo qasje po ndryshon.
Sepse udhëheqja republikane në Kongres ia ka dalë të pengojë politikën e jashtme të administratës Biden, dhe të rrisë dramatikisht ndjenjën e cenueshmërisë së Evropës, duke e bllokuar ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën. Rezultati i ndërprerjes së furnizimeve me municione ka mundësuar përparimet e forcave ruse në front dhe e ka trimëruar Putinin.
Ndërkohë, Trump vazhdon të sulmojë NATO-n në fjalimet elektorale dhe ka thënë publikisht se do ta inkurajonte Rusinë të sulmonte aleatët amerikanë që nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen. Ndërsa rritet frika, janë shtuar edhe diskutimet midis qeverive evropiane për parandalimin bërthamor ndaj Rusisë.
Në retrospektivë, duket sikur liderët evropianë u treguan budallenj që e shpërfillën propozimin e Macron në vitin 2020 për një dialog strategjik mbi opsionet bërthamore, thotë Nathalie Tocci, drejtore e Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare në Romë dhe një ish-këshilltare e krerëve të diplomacisë së BE-së.
Edhe pse mbeten jashtë Grupit të Planifikimit Bërthamor të NATO-s, muajt e fundit përfaqësuesit francezë kanë filluar t’u ofrojnë aleatëve të tyre prezantime shumë më të hollësishme mbi statusin dhe aftësitë e parandalimit bërthamor francez dhe mbi politikat që e drejtojnë atë.
Po ashtu Parisi ka nisur bisedime dypalëshe me vende të interesuara për të mësuar se si të thellojnë bashkëpunimin për këtë çështje, si Polonia dhe Suedia. Bisedime ka pasur edhe midis ekspertëve bërthamorë francezë dhe gjermanë, por Berlini mbetet i kujdesshëm, pavarësisht thirrjeve në rritje brenda institucionit politik dhe të sigurisë gjermane për të eksploruar alternativat bërthamore./Përshtati Pamfleti nga “Wall Street Journal”
Marrë me shkurtime
Lini një Përgjigje