5 ditë larg zgjedhjeve vendore, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se PSD, Partia Demokratike, Partia e Lirisë nuk kanë sjellë anëtarët e komisioneve për disa qendra votimi.
“PSD nuk kanë dërguar komisioner për 415 qendra votimi. PD nuk ka sjellë anëtarët e komisioneve për 422 qendra votimi, PL nuk i ka sjellë në 75 qendra votimi”, tha Celibashi.
KQZ ka bërë me dije se në qendrat e votimit nuk do të lejohen që të qëndrojnë persona që nuk kanë lidhje me procesin e votimit. Kryekomisioneri, Ilirjan Celibashi tha se nëse do të identifikohet një person që nuk ka lidhje, atëherë do të njoftohet Policia e Shtetit.
“Nëse konstatojnë situata të tilla, do njoftojnë KQZ, zgjedhës që kanë përfunduar votimin, nuk ka asnjë arsye të ligjshme për të qëndruar në këto ambiente. Shpresoj që kjo thirrje të marrë jehonën që duhet, se ata që rrinë kur nuk kanë punë aty, lidhet me interesa të partive politike”, tha Celibashi.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi u shpreh se është kërkuar verifikim të thelluar për 10 kandidatë për kryetar bashkie dhe 28 anëtarë të këshillit bashkiak.
“Për procesin e dekriminalizimit kemi vendosur për të kërkuar verifikim të thelluar prej prokurorisë. Janë 10 kandidatë për kryetar bashkie. Janë 28 kandidatë për anëtar të këshillit bashkiak të cilët janë dërguar për hetim të thelluar. Sipas detyrimit që KQZ i ka bërë publik formularët e vetëdeklarimit për të gjithë kandidatët por edhe emrat e atyre që janë dërguar për hetim të thelluar”, tha Celibashi.
Lini një Përgjigje