
Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe Kryetar i PS-së, takimin e rradhës në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, e ka zhvilluar në Fier me të rinjtë dhe të rejat e këtij qarku.
Ai e konsideroi procesin zgjedhor si mjaft të rëndësishëm, veçanërisht për ata që do të votojnë për herë të parë, ndërsa e konsideroi 11 majin si një takim me historinë.
"Nuk ka zgjedhje të parëndësishme, por nganjëherë fati të vë mbi supe, kur ditën e zgjedhjeve bashkohen edhe detyra për të zgjedhur një palë apo një individ për të drejtuar vendin, edhe misioni për të çuar përpara vendin tëndë, duke u takuar me historinë. 11 maji është takim me historinë", tha Rama.
Ai tha se 11 maji nuk duhet parë si garë mes socialistëve dhe demokratëve, por si një ditë që u shërben shqiptarëve europianë
“Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme, po aq të rëndësishme sa ato të vitit 1992 kur u votua PD-ja për ndryshimin historik të sistemit dhe jo se ishin për PD-në, por për vendin. Kështu janë edhe këto zgjedhje të 11 majit, takim me historinë dhe për fatin e vendit në integrimin europian, për t’i dhënë pasaportën europiane. Do ndani historinë e derisotme me historinë që nis pas 11 majit, që do e kthejmë historinë e vendit tonë me anëtarësimin në BE.
Për herë të parë PS ka një skuadër që është më e reja në fletën e votimit. Dhe këtu në qarkun e Fierit, një djal dhe një vajzë që vijnë drejtpërdrejt nga radhët tuaja, nuk janë në listën e deputetëve, por janë tashmë dy deputetë të rinisë së qarkut të Fierit në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe në listën ku do bëni zgjedhjen tuaj, ka vajza dhe djem të tjerë, që vijnë nga gjiri juaj. Asnjëherë më parë PS nuk ka kërkuar siç kërkon më 11 maj, angazhimin dhe mbështetjen e të rinjve. Jo si socialist dhe demokratë, por si shqiptarë europianë”, tha Rama.
Lini një Përgjigje