TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Prill 2025, 16:33

11 maji, OSBE/ODIHR publikojnë raportin: Moment kyç për Shqipërinë, disa rekomendime s’janë implementuar. Ka polarizim dhe mosbesim

Shkruar nga Pamfleti

11 maji, OSBE/ODIHR publikojnë raportin: Moment kyç për

OSBE/ODIHR ka publikuar raportin e parë lidhur me zgjedhjet e 11 majit, ndërsa në të përfshihet periudha nga 1 në 20 prill.

Raporti thekson se zgjedhjet konsiderohen si një moment kyç për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe për rrugën drejt Bashkimit Europian.

OSBE/ODIHR theksojnë se mjedisi politik karakterizohet nga një shkallë e lartë polarizimi dhe mosbesimi mes dy partive kryesore”.

OSBE/ODIHR theksojnë se për herë të parë në një proces elektoral në Shqipëri do të aplikohet votimi nga jashtë vendit, ndërkohë që sistemi zgjedhor është ndryshuar me një formulë të kombinuar mes listave të mbyllura dhe preferenciale.

Në raport theksohet se disa rekomandime të OSBE/ODIHR, si heqja e pragut kombëtar për kandidatët e pavarur dhe ndalimi i kandidimit të liderëve të partive në disa zona zgjedhore, janë përfshirë, por shumë rekomandime të tjera mbeten të paimplementuara.

“Ndryshimet në kuadrin ligjor gjatë viteve 2024 dhe 2025, sollën rregulla të reja në sistemin zgjedhor dhe lejuan votimin nga jashtë, por ende nuk është bërë një rishikim gjithëpërfshirës i ligjeve zgjedhore.

Sipas sistemit të ri, subjektet zgjedhore paraqesin lista të mbyllura dhe lista me preferenca. Fillimisht, mandatet ndahen sipas listave të mbyllura.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve. Përgatitjet janë në rrugën e duhur, përfshirë edhe procesin e votimit nga jashtë përmes postës, për të cilin KQZ ka ndërmarrë një fushatë të gjerë informimi.

Gjithashtu, janë lancuar fushata edukimi për votuesit, duke përfshirë minoritetet kombëtare dhe personat me aftësi të kufizuara.

Votimi dhe numërimi elektronik do të pilotohet në disa bashki, me testime dhe demonstrime publike para ditës së zgjedhjeve”, thuhet në raport.

Pjesë nga Raporti:

Ndryshimet në kuadrin ligjor në vitet 2024 dhe 2025 modifikuan sistemin zgjedhor dhe futën votimin nga jashtë vendit, por nuk është kryer një rishikim gjithëpërfshirës i kuadrit ligjor. Sipas sistemit të ri zgjedhor, çdo subjekt zgjedhor paraqet lista të mbyllura dhe lista preferenciale. Mandatet e fituara nga një parti ose koalicion në një qark zgjedhor i caktohen fillimisht kandidatëve nga listat e mbyllura. Ndërkohë që janë adresuar disa rekomandime të ODIHR-it siç është ndryshimi i pragut kombëtar për kandidatët e pavarur dhe ndalimi i mundësisë për drejtuesit e partive politike që të kandidojnë në disa qarqe, shumë rekomandime të mëparshme të ODIHR-it mbeten të pazbatuara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është përgjegjës për mbikëqyrjen e administrimit të zgjedhjeve. Përgatitjet për zgjedhjet po ecin sipas planit, duke përfshirë edhe votimin nga jashtë vendit, dhe deri më tani administrata zgjedhore ka respektuar kryesisht afatet ligjore. Votimi nga jashtë do të realizohet përmes fletëvotimeve postare dhe KQZ ka zhvilluar një fushatë të gjerë informimi për regjistrimin e votuesve jashtë vendit. KQZ gjithashtu ka nisur fushata të posaçme edukimi për votuesit që u drejtohen popullatës së përgjithshme, pakicave kombëtare dhe personave me aftësi të kufizuara. Votimi dhe numërimi elektronik do të pilotohet në disa bashki të përzgjedhura, me testime dhe demonstrime publike të planifikuara para ditës së votimit.

Rreth 3.7 milionë votues janë të regjistruar për këto zgjedhje, përfshirë rreth 246 mijë për votimin nga jashtë. Për të mundësuar regjistrim gjithëpërfshirës të votuesve jashtë vendit, KQZ vendosi të zgjasë vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit të skaduara. Votuesit mund të verifikonin të dhënat e tyre dhe të kërkonin korrigjime, përfshirë edhe online, gjatë periudhës së shqyrtimit publik. Identifikimi i votuesve në ditën e zgjedhjeve bëhet duke përdorur pajisje të identifikimit elektronik.

Zgjedhjet mund të kontestohen nga kandidatë të propozuar nga parti politike, koalicione partish ose kandidatë të pavarur të propozuar nga grupe votuesish. KQZ regjistroi njëmbëdhjetë subjekte zgjedhore – tetë parti politike dhe tre koalicione, me një total prej 2,046 kandidatësh. Kodi Zgjedhor përfshin një kuotë gjinore, e cila kërkon që një në çdo tre kandidatë në të dyja listat të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar.

Gratë janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë në postet ministrore, duke mbajtur gjysmën e posteve në qeverinë aktuale. Megjithatë, gratë mbeten të nënpërfaqësuara në parlament, ku mbajnë 50 nga 140 ulëse (36 për qind). Tre nga 12 anëtarët e KQZ-së dhe rreth 31 për qind e anëtarëve të Komisioneve të Administrimit Zgjedhor në zona janë gra. Nga kandidatët e regjistruar, 787 (38.47 për qind) janë gra. Disa bashkëbisedues të misionit vëzhgues të ODIHR kanë theksuar vazhdimësinë e stereotipeve gjinore.

Fushata zyrtare zgjedhore filloi më 11 prill. Pas disa aktiviteteve të profilit të lartë për të shënuar nisjen e fushatës, ajo ka vijuar në mënyrë të vakët.

Sulmet personale mes liderëve të partive kryesore janë të zakonshme, përfshirë edhe online. Përdorimi i burimeve shtetërore dhe zhvillimi i fushatës brenda institucioneve publike janë të ndaluara, por vazhdojnë të ekzistojnë shqetësime lidhur me presionin ndaj nëpunësve civilë, ndikimin e padrejtë ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e aseteve publike.

KQZ ka marrë një numër të madh ankesash për shkelje të rregullave të fushatës dhe vazhdon të monitorojë aktivisht respektimin e tyre, duke përfshirë edhe aktivitetet online të 50 institucioneve publike. Edhe pse fushata në rrjetet sociale mungon në rregullim formal, partitë politike janë zotuar vullnetarisht të respektojnë një Kod Sjelljeje që promovon etikën në fushatat dixhitale. Janë prezantuar ligje dhe udhëzime të reja për mbrojtjen e të dhënave personale për të mbrojtur informacionin e votuesve, ndërkohë që autoritetet kanë bërë thirrje për vigjilencë kundër keqpërdorimit të të dhënave personale gjatë fushatës.

Fushata mund të financohet nga fonde publike dhe private, përfshirë kredi. Ligji vendos kufizime për donacionet dhe shpenzimet. KQZ mbikëqyr respektimin e rregullave të financimit të fushatës. Nuk janë bërë ndryshime të rëndësishme në kuadrin rregullator që nga zgjedhjet e fundit. Rekomandimet e ODIHR-it mbi raportimin e ndërmjetëm, rregullimin e financimit nga palët e treta dhe zgjerimin e financimit publik për kandidatët e pavarur mbeten të paadresuara.

Kuadri ligjor mbron lirinë e shprehjes, megjithatë shpifja mbetet e kriminalizuar dhe çështje civile dhe penale për shpifje ndaj gazetarëve vazhdojnë të ndodhin. Pavarësia e medias dhe diversiteti i raportimit ndikohet nga përqendrimi i pronësisë mbi media dhe nga varësia e pronarëve ndaj tenderëve publikë për interesat e tyre më të gjera të biznesit. Ekzistojnë shqetësime lidhur me pavarësinë e bordeve drejtuese të rregullatorit të transmetimeve dhe të transmetuesit publik. Kodi Zgjedhor parashikon që partitë që fituan më shumë se 20 për qind të vendeve në zgjedhjet e fundit të përfitojnë dyfish më shumë mbulim në lajme sesa partitë e tjera parlamentare që garojnë.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) shërben si organi i shkallës së parë për ankimet kundër vendimeve të KQZ-së dhe komisioneve më të ulëta, të cilat mund të apelohen si instancë e fundit në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Subjektet zgjedhore kanë tre ditë për të paraqitur një ankesë, përveç ankesave mbi rezultatet e zgjedhjeve, për të cilat afati është pesë ditë. Palët e treta me interes të ligjshëm mund të paraqesin një ankesë administrative. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ngritur një task-forcë për hetimin e krimeve të caktuara zgjedhore dhe një platformë online për denoncimet nga publiku.

Kushtetuta garanton të drejtat politike, civile dhe sociale të plota për pakicat. Lejohet zhvillimi i fushatës në gjuhët e pakicave kombëtare. KQZ ka deklaruar se do të prodhojë disa materiale zgjedhore në gjuhët e pakicave kombëtare dhe ka nisur një seri aktivitetesh informuese për të promovuar pjesëmarrjen e grupeve të nënpërfaqësuara.

Kodi Zgjedhor parashikon vëzhgimin qytetar dhe ndërkombëtar në të gjitha nivelet. Deri më 11 prill, ishin akredituar 26 organizata kombëtare dhe 10 ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile kanë informuar misionin vëzhgues të ODIHR-it se mungesa e fondeve do të ndikojë në kapacitetin e tyre për të ndërmarrë një vëzhgim gjithëpërfshirës në ditën e zgjedhjeve. Përfaqësuesit e partive, koalicioneve dhe kandidatëve të pavarur gjithashtu mund të vëzhgojnë.

 

 

Lini një Përgjigje