
Moti i keq ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në të mbjella, infrastrukturë, banesa dhe pemëtari edhe në qarkun e Korçës.
Një nga më të prekurat është zona rurale e Pogradecit dhe veçanërisht pjesa ku kalon lumi i fshatit të Vërdovës. Rrjedha e tij e rrëmbyeshme nga prurjet ka shkaktuar edhe probleme në unazë.
Banorët tregojnë vështirësitë që hasin, dëmet dhe rreziqet. Një prej tyre, Ferit Hafëzi, tha se uji i kalon pranë banesës dhe i ka prishur kanalizimet dhe murin. Ai shpjegon se nuk kalon dot për shkak të përroit të krijuar dhe dëmtimet e pësuara.
Edhe pse ka vendosur dërrasa në formë ure, rreziku mbetet. Kjo edhe për shkak se ka një familjar të sëmurë, të gjymtuar (me një këmbë) e që nuk mund ta lëvizë dot për problemet dhe nevojat që mund të ketë.
“Shikoni, këtu kishte edhe një urë, por edhe atë e ka marrë uji, e ka prishur. Brenda kam një të sëmurë, është pa këmbë, me 100 mijë leka e mbaj atë, vetëm ndihmë ekonomike merr ai, aq merr. Ai do ujë, po ujë s’ka. Tani s’kemi nga të dalim, jam bllokuar, vetëm me dërrasa. Ai s’del dot, ka nevojë, ka problemet e tija. Vetëm me dërrasë kalohet”, shpjegon Ferit Hafëzi.
I pyetur nëse Emergjencat kanë marrë masa në zonë për zgjidhjen e problematikës, banori shpjegon se edhe pse erdhën nuk arritën të bënin dot asgjë, madje kanë prerë edhe energjinë për arsye sigurie, pasi kanë dalë kabllot.
“Erdhën forcat e Emergjencës këtu që prej ditës së djeshme por nuk bënë dot asgjë. Madje prenë tubot e ujit dhe energjisë për arsye sigurie se ato kanë dalë hapur këtu nga ujërat e rrëmbyer, janë dëmtuar. Lumi ka shkatërruar jo vetëm urën, por edhe të gjithë rrugën dhe madje doli nga shtrati. Erdhën fadromat që penguan. Brenda kemi dëme të mëdha materiale nga përmbytja. U ngritën njerëzit gjithë natën se s’kishin çfarë të bënin. Hera e dytë që na ndodh, na e lëshojnë ujin edhe nga lart në momente të caktuara. Ndodhi edhe para një viti, shkaku kryesor është hapja e rezervuarit”, tha banori.
Ai tregon edhe momentet dramatike të përmbytjes në fshat: “Na hyri uji brenda, ka bërë dëme. E mora edhe të sëmurin se ishte në kat të parë dhe e ngjita sipër në të dytin se na hyri uji brenda. Dritat na i kthyen sot, se dje na i prenë për arsye sigurie, edhe uji po vjen”.

Reshjet me intensitet të lartë të cilat kanë rënë në Vlorë ditët e fundit kanë bërë që prurjet e kanaleve kulluese të jenë intensive.
Këto kanale derdhen në det duke marrë me vete dhera, gurë, por dhe mbeturina. Për pasojë të derdhjes së kanalizimeve në det, bregdeti i Vlorës ka marrë ngjyrën kafe.
Një pjesë e mbeturinave kanë dalë edhe në bregdetin e Lungomares.

Argjinaturat mbrojtëse të lumit të Bistricës janë çarë gjatë natës duke shkaktuar përmbytje të mëdha në disa fshatra të zonës. Më e rëndë situata është në fshatrat Çukë, Konispol dhe Shalës.
Sipas raportimeve, argjinatura e Bistricës në Çukë është çarë gjatë natës, duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë në blegtori. Më shumë se 500 krerë bagëti të imta dhe të trasha janë mbytur, ndërsa stalla të tëra janë shkatërruar.
Situata është kritike edhe në Konispol, ku lumi Pavëll ka dalë nga shtrati pranë urës në Vilë, duke izoluar 6 fshatra të Njësisë Administrative Markat: Markat, Dishat, Ninat, Janjar, Shalës dhe Vërvë.
"Ministri i Mbrojtjes, së bashku me kryetarin e bashkisë së Sarandës dhe përfaqësues të strukturave lokale, vizituan zonën e Çukës, ku ka filluar puna për mbylljen emergjente të argjinaturës së Bistricës së Madhe.
Reshjet e ditëve të fundit kanë prekur tokën bujqësore dhe familjet e zonës. Forcat e Armatosura, së bashku me vetëqeverisjen vendore, po monitorojnë nga afër situatën, teksa niveli i ujit ka rënë ndjeshëm dhe puna për normalizimin e gjendjes vazhdon", njofton Ministria e Mbrojtjes.
Ndërkohë, në Sarandë janë evakuuar 25 familje, të cilët do të akomodohen në çadra përkohësisht. Banorëve të tjerë u janë dërguar edhe ndihma pas përmbytjeve.


Pas jugut, edhe veriu i vendit vijon të jetë i prekur nga përmbytjet pas reshjeve të shiut të rëna me intensitet të lartë.
Në Bashkinë Shkodër gjatë natës ka pasur reshje të dendura, por situata është nën kontroll dhe nuk raportohen probleme serioze.
Ndërsa në Vaun e Dejes reshjet vazhdojnë me intensitet të lartë. Në Fushë-Arrëz ka prezencë gurësh dhe dherash në disa rrugë rurale si dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Gjithashtu, edhe në Lezhë janë regjistruar reshje intensive gjatë 24 orëve të fundit. Kisha e Barbullojës është mbuluar nga uji, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë menjëherë për të shpëtuar sendet e shenjta.
Pas dy ditësh pune intensive, është mbyllur argjinatura e çarë në Rrile. Mjete të shumta të ushtrisë, bashkisë dhe subjekteve private u bashkuan në ndërhyrjen emergjente për të vënë nën kontroll prurjet e ujërave të lagunës së Vainit.
Edhe pse niveli i ujit është ulur në disa prej këtyre zonave, banorët raportojnë dëme të mëdha si në të mbjella ashtu edhe në blegtorinë e tyre. Uji vijon të jetë ende prezent ndërsa banorët thonë se nuk janë larguar nga banesat e tyre, pasi nuk kanë ku të strehohen.
Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër, rezervuarit Shtodër dhe prurjet në përrenjtë kryesor janë larg pikës kritike.

Reshjet e shumta dhe kushtet e vështira atmosferike kanë sjellë përkeqësim të ndjeshëm të gjendjes së rrugëve në zonat rurale të Bashkisë Maliq dhe njësitë administrative të Pogradecit.
Për pasojë, qarkullimi është vështirësuar, ndërkohë dhjetëra banorë kanë mbetur të izoluar.
Në fshatin Dushar raportohen rreth 30 familje të bllokuara, pasi rruga është bërë e pakalueshme. Për një rast emergjent, banorët janë detyruar të ndërhyjnë vetë, duke hapur përkohësisht rrugën për të mundësuar kalimin dhe duke shmangur një situatë edhe më të rëndë.
Sipas verifikimeve në terren dhe kontakteve me kryepleqtë, në njësinë Dardhas janë konstatuar problematika serioze, konkretisht:
Në fshatin Stropckë, një lagje është bllokuar nga shembja dheut.
Në Dardhas ka shembje dhe gërryerje të rrugës që kërkon ndërhyrje. Rruga që lidh Dardhasin me fshatrat e sipërm është bërë e pakalueshme duke izoluar gati 6 fshatra të Gorës. (Osnat, Dërdushë, Niçë, Prenisht, Lekas, Stërkanj)
Në Dërdushë është bllokuar një përrua nga inertet.
Në Osnat, ura pranë lumit është e pakalueshme, ndërsa në dalje të fshatit ka shembje dherash që kërkojnë pastrim.
Në Niçë është bllokuar një urë nga prurjet e shumta dhe është e pakalueshme.
Në Stërkanj ka dëmtime të mëdha të rrugës dhe kalimi mundësohet vetëm me mjete të rënda.
Në njësinë Proptisht nevojitet ndërhyrje me fadromë për hapjen e rrugëve në fshatrat Selishtë, Zall Torrë, Rrodokal Sipër dhe Kriçkovë.
Ndërkohë, në njësinë Çërravë, rruga që lidh Çërravën me Lumasin kërkon ndërhyrje për hedhje çakulli, pasi është dëmtuar dhe vështirëson qarkullimin.


Prej disa ditësh, strukturat vendore dhe ato të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë, në ndjekje të situatës së krijuar nga reshjet e shiut që kanë vijuar në pothuaj të gjithë territorin e vendit.
Ministria e Mbrojtjes raporton se si vijon situata në qarqet më problematike të vendit.
Njoftimi i Ministrisë:
Pas ndërhyrjes së pandërprerë të forcave edhe gjatë orëve të natës, situata në të gjithë vendin paraqitet në përmirësim, pavarësisht se në disa zona reshjet e shiut kanë vijuar.
Nivelet e ujit në disa zona kanë nisur të ulen, një pjesë e madhe e akseve rrugore, ku ka patur probleme janë rikthyer të kalueshme, ndërsa ekipet e emergjencave civile, Forcat e Armatosura, OSHEE dhe strukturat vendore po vijojnë punën për stabilizimin e plotë të situatës dhe normalizimin e furnizimit me energji, pastrimin e rrëshqitjeve dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Situata sipas qarqeve:
Qarku Vlorë
Niveli i lumit Vjosa në Novoselë vazhdon me tendencë ulje, aktualisht niveli është 7.65 m.
Po vijon puna në bashkitë; Delvinë, Finiq dhe Konispol, ku për shkak shirave ditën e djeshme ka pasur prezencë dherash në rrugët që lidhin disa fshatra.
Dje është punuar për rehabilitimin e aksit rrugor, që lidh fshatrat Kakodhiq dhe Lefterhor. Në mbështetje të bashkisë kanë shkuar 30 forca dhe 3 mjete nga FA.
Në fshatin Vrion është bërë evakuimi I banorëve në një banesë, për shkak të pranisë së ujit.
Hidrovorët e bashkisë Vlorë janë në punë me kapacitet të plotë.
Qarku Fier
Vazhdon të ketë ulje në lumenjtë Vjosë dhe Seman, situata është si më poshtë:
Rreth 110 hekratë tokë është me prezencë uji në fshatrat Kashisht – Çerven dhe Ferras. Nuk ka patur evakuime të banorëve, por është punuar për largimin e ujit nga oborret e banesave ku gjatë ditës së djeshme është evidentuar kjo problematikë.
Autoritetet vendore janë në monitorim të argjinaturave pranë lumenjve, nga ku rezulton se deri në këto momente nuk ka pasur cënim të infrastrukturës kritike.
Strukturat vendore kanë kaluar në gatishmëri të plotë me gjithë kapacitet teknike e logjistike që kanë në dispozicion. Në afërsi të lumit Vjosë, në fshatin Ferras janë vendosur për mbështetje edhe kapacitetet e Ministrisë së Mbrojtjes, me mjete të kalueshmërisë së lartë, varka shpëtimi, trupa e të tjerë.
Qarku Korçë
Ekipet në terren janë në monitorim të vazhdueshëm të prurjeve në lumenjtë Devoll dhe Dunavec.
Ka prani uji në toka bujqësore dhe në disa banesa në: Lumalas, Bulgarec, Shamoll, Çiflig, Turan, Vloçisht e Sovjan. Në Sovjan janë evakuar 15 familje nga ekipet e emergjencave në terren.
Bashkia Pustec: Po mbahet nën kontroll situata në fshatin Shulin, ku uji herë pas here depërton në katet përdhese të banesave.
Bashkia Pogradec: Prurje të larta nga lumenjtë e Vërdovës, Rëmenjit dhe qytetit.
Ndërkohë po punohet për pastrimin e dherave në Dardhas, Proptisht, Çërravë.
Tek hidrovori i Tushemishtit po punohet për stabilizimin e situatës, vijon me kapacitet të plotë, janë 4 pompa në punë.
Strukturat e bashkisë, UKT dhe zjarrfikësit vijojnë në terren.
Bashkia Kolonjë: Rezervuarët e Helmesit dhe Kabash-Leskovik, po punojnë me kapacitet maksimal.
Po punohet në infrastrukturë për riparimin e disa urave në: Qafzezë, Shtikë, Gostivisht, Psar.
Pas disa orëve kërkime, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe të FA kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të zonjës 76 vjeç, në Progër.
Qarku Lezhë
Në të gjithë qarkun ka patur ndërhyrje të përqendruar të forcave, për shkak edhe situatës më komplekse, të krijuar si pasojë e reshjeve të shumta.
Deri tani janë llogaritur rreth 220 ha sipërfaqe nën ujë; (90 ha në Zejmen,70 në Shënkollë dhe rreth 60 ha Barbulloje nga dëmtimi i argjinaturës në Tale).
Hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Tales.
Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike vazhdon normalisht
Në bashkinë Lezhë
Të gjitha strukturat e MC janë në terren tek argjinatura në Lagunën Vain. Riparimi/mbyllja e argjinaturës së dëmtuar përfundoi si fazë e parë, por do të vazhdojë puna për ngritjen në lartësi të saj si dhe në ndarjen e ndihmave ushqimore për banorët, evakuim të personave të izoluar, etj.
Ekipet me varka kanë punuar për evakuimin e disa banorëve që kanë kërkuar ndihmë.
Në bashkinë Kurbin Prezencë uji, ka vetëm pjesërisht, në zonën e ulët të Gjormit.
Vijojnë punimet në shtratin e lumit Drojë, me eskavatorin e bashkisë.
Njëkohësisht, me mjetet e bashkisë, po punohet për sistemimin dhe rehabilitimin e rrugës alternative të fshatit Shpërdhet, që banorët të kenë akses dhe me mjetet e tyre.
-Vijon puna në aksin rrugor Skuraj-Vinjollë-Gallatë. Janë duke punuar, eskavatori me zinxhir i FA-se, Fadroma dhe një kamion i bashkisë. Aksi është i kalueshëm, pasi edhe ura është riparuar.
-Po ndërhyhet në shtratin e lumit Skuraj, (Vinjollë), për devijimin e rrjedhës në afërsi të rrugës.
Në bashkinë Mirditë Vazhdojnë ndërhyrjet për rehabilitimin e rrugëve të dëmtuara nga reshjet e shirave. Po punohet në njësinë administrative Rrëshen, Kaçinar dhe Fan.
Nuk ka dëme të konsiderueshme në kultura bujqësore.
Qarku Dibër
Situata është në përmirësim.
Po punohet me mjete për thellimin e kanalit kullues dhe largimin e ujit në bashkinë Bulqizë, ku ka patur probleme në aksin rrugor mes qytetit të vjetër dhe qytetit të ri, te terminali.
Po mbahet nën monitorim situata në fshatin Urakë dhe në liqenin e Ulzës, ku ka rritje të nivelit të ujit. Në terren janë edhe mjete dhe forca nga FA, për të shmangur rrezikun e përmbytjes së banesave dhe për sistemimin provizor të argjinaturës.
Qarku Shkodër
Në bashkinë Fushë-Arrëz situata paraqitet më problematike në njësinë administrative Qafë Mali, ku po punohet për pastrimin e dherave në disa segmente rrugore.
Në bashkinë Malësi e Madhe është konstatuar rritje e prurjeve të përroit të Thatë.
Qarku Berat
Situata është në përmirësim.
Ka rënie të theksuar të nivelit të lumit Osum, i cili është brenda shtratit të vet dhe ujërat në tokat bujqësore ne fshatrat përreth.
Po ashtu edhe lumi Devoll ka shënuar rënie të nivelit.
Nga shërbimet e bashkisë Dimal dhe MZSh do të filloj puna për pastrimin e baltës dhe llumit nga rrugët dhe oborret e banesave.
Qarku Gjirokastër
-Në bashkinë Dropull, ura që lidh aksin rrugor Kombëtar me fshatrat Glinë, Peshkëpi e Poshtme, Peshkëpi e Sipërme dhe Radat të bashkisë Dropull dhe fshatin Nepravishtë të bashkisë Libohovë, ka pësuar ulje si pasojë e reshjeve të shiut. Policia e Shtetit ka ndaluar qarkullimin mbi urë dhe nga bashkitë dhe bizneset private po merren masa për vënien në funksion të një rruge alternative, e cila do të mundësojë kalimin e mjeteve dhe banorëve.
-Në bashkinë Libohovë është punuar për riparimin e urës në fshatin Suhë.
Në Përmet është bërë i mundur riparimi i rrugës Frashër–Përmet (afër depos së ujit të fshatit, duke lejuar kalimin e mjeteve.
Qarku Elbasan
Në Bashkinë Gramsh po punohet në segmetin e rrugës, në njërin krah të urës së Shëmrizës.
Punohet edhe në aksin rrugor Kodovjat -Mashan, ku ishte shembur një masiv dheu si dhe në aksin nacional Gramsh-Moglicë, në vendin e quajtur Mashan, ku pas ndërhyrjes, kalimi është I lirë.
Po punohet edhe në aksin rrugor nacional Elbasan-Peqin, tek vendi i quajtur kthesa e Broshkes për pastrimin e gurëve të rënë.
Qarku Tiranë
Po vijon monitorimi si pasojë e shtimit të prurjeve të lumit Shkumbin në Rrogozhinë, I cili dje doli përkohësisht nga shtrati.
Ekipet e OSHEE në terren janë duke punuar gjithashtu pa ndërprerje për rilidhjen e energjisë në ato zona, ku ka patur dnërprerje, si pasojë e motit të keq.

I gjithë territori i Qarkut Kukës vijon të jetë nën reshje shiu me intensitet të ulët, por pavarësisht kushteve atmosferike, të gjitha akset rrugore nacionale mbeten të hapura dhe të qarkullueshme.
Reshjet kanë shkaktuar rënie gurësh, inerteve dhe vërshime uji në disa segmente, por situata është normalizuar.
Autoritetet vendore të bashkive Kukës, Has dhe Tropojë raportojnë se deri tani nuk ka emergjenca apo problematika serioze të shkaktuara nga moti.
Furnizimi me energji elektrike është i stabilizuar në gjithë qarkun, me përjashtim të fshatrave Dojan, Markaj dhe Breçan në Njësinë Bujan të Bashkisë Tropojë, ku ka ndërprerje të energjisë.
Ndërkohë, furnizimi me ujë të pijshëm po kryhet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.

Kryebashkiaku i Maliqit Gëzim Topçiu ka njoftuar mbingarkesën e prurjeve të ujit nga reshjet e dendura të shiut në digën e Moglicës.
Si pasojë, mësohet se është hapur porta e parë e emergjencës, çka pritet të shkaktojë dhe prani të dendur të ujit në tokat e zonave përreth.
“Prurjet maksimale të Lumit Devoll kanë detyruar kaskadën e HC të Moglicës të hapë portën e parë të emergjencës”, tha Topçiu për "Ora News".
Prej katër ditësh vendi ynë është përfshirë nga moti i keq, që ka shkaktuar përmbytje duke shkaktuar dëme për banorët e zonave të prekura.
Shumë familje janë detyruar të evakuohen pasi banesat e tyre janë përmbytur.

Është konfirmuar viktima e parë nga moti i keq në vendin tonë.
Një 76-vjeçare e identifikuar si Flora Hoxha, nga fshati Proger në Devoll, e raportuar e humbur që prej mëngjesit të datës 21 nëntor, është gjetur këtë të shtunë pa shenja jete nga strukturat e kërkim-shpëtimit.
Lajmi u konfirmua nga autoritetet lokale, pasi djali i saj kishte njoftuar ditën e djeshme për largimin e të ëmës nga banesa.
Sipas familjarëve, e moshuara vuante nga demenca, çka dyshohet të ketë ndikuar në largimin e saj nga shtëpia.
Ndërkohë, autoritetet njoftojnë se situata në qark paraqitet më e qëndrueshme këtë mëngjes, pasi gjatë natës nuk ka pasur reshje të tjera. Pritet një përditësim më i detajuar nga institucionet përgjegjëse në orët në vijim.
"Njoftohemi nga strukturat e kërkim-shpëtimit, lidhur me rastin e personit të humbur në fshatin Proger, bashkia Devoll, ku djali i zonjës F. H, 76 vjet, na sinjalizoi se zonja kishte dalë nga shtëpia në mëngjesin e dt. 21 Nëntor dhe nuk është kthyer. Zonja vuante nga demenca e plotë dhe fatkeqësisht ka humbur jetën.
Trupi i zonjës u gjend tani. Policia po kryen veprimet dhe FA do bëjnë nxjerrjen e trupit.
Për më shumë lidhur me situatën në qarkun tonë, ju informoj pas pak sapo të kemi një përditësim më të saktë. Por situata sot paraqitet më e normalizuar, si pasojë e mospasjes së reshjeve të tjera gjatë natës", njoftojnë uniformat blu.

Situata nga moti i keq vijon të jetë problematike në disa zona. Në Fier, lumi Seman ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa stalla dhe pemishte në Mbrostar. Edhe në zonën e Ngurrëz Imësht në Lushnje, vazhdojnë të jenë nën ujë 200 hektarë tokë bujqësore si pasojë e daljes nga shtrati të lumit.
Në qytetin e Beratit nuk ka më problematika, ndërsa në fshatra ka prani të ujit në tokat bujqësore.
Ndërkohë në Vlorë, niveli i lumit Vjosa luhatet nga 7.8–8.3 metra. Për dy ditë me radhë, niveli i Vjosës ka qëndruar mes kuotave 7.8 dhe 8.3 metra, duke shënuar ulje-ngritje të vazhdueshme, por pa rënë poshtë zonës së rrezikut.
Situata është mbikqyrur nga strukturat e emergjencave civile dhe pushtetin vendor, të cilët po monitorojnë nga afër gjithë vijën e lumit dhe zonën pranë urës së Mifolit, një nga pikat më të ndjeshme në raste reshjesh dhe përmbytjesh.

Reshjet e shumta të shiut kanë sjellë daljen nga shtrati të lumit Osum në fshatin Leshnjë të Bashkisë Korçë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe në bujqësi e blegtori.
Banorët raportojnë se uji ka depërtuar me shpejtësi në disa godina dhe stalla, duke rrezikuar jetën e njerëzve, por dhe batëgitë.
Adriatik Ropi tha se ujërat kanë hyrë brenda stallës së tij, duke vënë në rrezik çobanin që ndodhej në punë si dhe duke shkaktuar ngordhjen e rreth 50 deleve.
“Lumi ka ardhur zakonisht, ka rënë një javëm dy javë shi dhe nuk kemi pasur këto lloj përmbytje. Tani erdhi lumi, mbyti shtëpitë, bagëtitë, stallat. 50 krerë i mori lumi, disa i groposëm. Stalla është dëmtuar. Ishte bariu aty, e nxorëm me fadromë, e shpëtuam. Bagëtitë ishin brenda, mbyteshin, dilnin të mbytura. Nuk hynim dot andej”, u shpreh ai.
Të dëmtuar nga dalja e lumit Osum janë edhe banorët Robert Ropi dhe Perparim Nako, të cilët raportojnë dëme si në shtëpitë e tyre ashtu edhe në mjediset bujqësore e blegtorale.
Fshati Leshnjë, pjesë e njësisë administrative Vithkuq, është një zonë që mbështetet kryesisht në blegtori, çka e bën goditjen nga përmbytjet edhe më të rëndë për familjet që jetojnë aty. Autoritetet vendore ndodhen në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të mbështetur banorët.
Lini një Përgjigje