TAGS-AT E JAVËS

Kulture18 Qershor 2024, 14:04

Studiuesi Adriatik Kallulli: Si nisën prapaskenat me librin e Odise Paskalit

Shkruar nga Afrim Imaj
Studiuesi Adriatik Kallulli: Si nisën prapaskenat me librin e Odise
Odise Paskali /

 Rrëfimi i redaktorit për odisenë e dorëshkrimit të kujtimeve

Pjesa e dytë; Vijon nga Pjesa e Parë

“Njerëzit e shtëpisë botuese e çuan dosjen e dorëshkrimit në zyrat e Sigurimit”

“Kur priste botimin e librit me kujtime, do të përballej me Sigurimin e Shtetit. Gjatë leximit të dorëshkrimit, dikush kishte dalluar devijimin nga vija e Partisë dhe kishte adresuar autorin në bankën e të akuzuarve”. Për studiuesin e njohur, Adriatik Kallulli, kjo ka qenë një nga momentet më të vështira të mjeshtrit të skulpturës shqiptare, për të cilën ai nuk foli asnjëherë në ngjallje. Gjatë një interviste të marrë para disa kohësh, duke kujtuar miqësinë e hershme me Paskalin e madh, ai sqaron për herë të parë lidhjen e veçantë me procesin e librit-legjendë, për të cilin për pak nuk u prangos gjeniu i daltës. “Ishte në dëshirën e tij, - rrëfen Kallulli, - që unë të isha redaktor i dorëshkrimit me kujtime, të cilin kishte vendosur për ta botuar në fundin e jetës. Kishte në të përjetimet e 60 viteve, që i kishte hedhur në letër me një mjeshtëri të rrallë. Pasi e lexova, u takova me Paskalin, ramë dakord për ndonjë ndryshim të pjesshëm dhe e dorëzuam veprën në shtëpinë botuese. Aty, të tjerë “studiues” e kishin parë atë në një optikë tjetër dhe e kishin denoncuar pas krahëve Odise Paskalin. Që këtej, jeta e tij do të futej në të tjera hulli e andralla, për të qartësuar jo vetëm pozicionin si krijues, po edhe për tu mbushur mendjen “vigjilentëve” se nuk e lidhte asgjë me veprimtarinë antikombëtare për të cilën akuzohej”. Gjithsesi, odiseja me librin që mund t’i kushtonte shtrenjtë njeriut të skulpturës do të vazhdonte gjatë, duke përshkruar tërë hierarkinë e strukturave të shtetit komunist, madje deri në zyrën e Enver Hoxhës. Gjatë rrëfimit të këtij fakti të panjohur, studiuesi Kallulli thotë se vetëm një rrethanë sporadike mundi ta shpëtojë Odise Paskalin nga prangat dhe ferri i Burrelit. Po si u procedua me dorëshkrimin që penalizmi mjeshtrin e daltës shqiptare? Kush ishin njerëzit që e bënë objekt të Sigurimit të Shtetit skulptorin e papërsëritshëm? Si e përjetoi gjeniu i skulpturës shqiptare lojën e njerëzve hije, që ngritën prapaskenat monstruoze dhe kërkuan ta bënin banorë të ferrit të Burrelit?

Zoti Adriatik, ju jeni redaktor i librit të vetëm të “Skulptorit të Popullit”, Odise Paskali. Çfarë mbani mend nga marrëdhëniet me autorin gjatë kohës që përgatitej botimi i tij?

Bashkë me shumë skulptura të ndryshme që kanë “pushtuar” sheshet e qyteteve shqiptare, Odise Paskali na ka lënë edhe një libër që titullohet “Gjurmë jete”. Në pasaportën e tij është shënuar emri im si redaktor letrar. Po e vërteta nuk është tërësisht kështu...

Pse nuk jeni marrë ju me redaktimin e librit “Gjurmë jete”?

Mua më është besuar redaktimi i dorëshkrimit nga mjeshtri Paskali, por të tjerë vunë dorë fshehtas dhe bënë jo thjesht redaktimin, po censurimin e librit. Me këtë mekanizëm tinzar u retushuan mjaft nga vlerat e vërteta të tij. Janë hequr e përqethur nga lënda origjinale gjërat më të bukura, frymëmarrja e përjetimeve dhe janë lënë disa nga ngjarjet e meditimet që nuk zgjojnë ndonjë interes të veçantë. Për ironi të fatit ka mbetur aty edhe emri im si redaktor, që edhe sot nuk e di në cilat kushte censuruesit e tij e kanë vendosur në pasaportën e librit “Gjurmë jete”.

A ju kujtohet çfarë është retushuar në dorëshkrimin e autorit?

Kanë kaluar shumë vite që nga ajo kohë dhe detajet nuk mund t’i mbaj mend me hollësi. Ajo që kam parasysh nga censurimi i librit të Paskalit është pjesa e përjetimeve nga bota studentore në Torino të Italisë, si dhe përqasjet filozofike nga optika e idealistit, Bled Paskali. Mbi të gjitha veprës i është hequr nervi i rrëfimit, çka e bënte atë interesante dhe shumë të veçantë në llojin e vet.

Në cilat rrethana jua besoi Paskali redaktimin e librit të kujtimeve?

Ka qenë një mbrëmje pranvere e vitit ‘83, në mos gaboj, kur më telefonoi Odise Paskali në shtëpi. Pas përshëndetjeve të rastit më tha se kërkonte të takoheshim për të biseduar për një problem që kishte të bënte me botimin e kujtimeve të tij. Të nesërmen, aty nga ora 17:00 u takuam te kafe “Flora” në rrugën e “Durrësit”. Qysh në fillim më njohu me angazhimin për sistemimin e kujtimeve, me qëllim botimin e tyre. Aty për aty më zgjati bllokun e zverdhur dhe nisi të më sqarojë për përmbajtjen e lëndës që kishte hedhur prej vitesh në të. “Kam shkruar aty, më shpjegoi, meditime të ndryshme, fragmente autobiografie, ngjarje të veçanta, kronika në formë ditari, ese, pikëpamje, gjykime, vlerësime, opinione, rrëfime intime, si dhe mjaft shpërthime të momentit, të cilat kam menduar se, pavarësisht privatësisë së përjetimit, kanë vlera edhe për të tjerët”. Si më orientoi me këtë, më tha se më kishte besuar redaktimin e tyre për t’i përmbledhur në një libër të vetëm. Dhe të them të drejtën oferta më gëzoi jashtë mase, kur kisha parasysh emrin e madh që kishte krijuar me daltën e famshme. Sa i shpreha gatishmërinë për t’iu përgjigjur me kënaqësi, ai u çua nga karrigia dhe u largua, duke më marrë leje vetëm për dy minuta. Shkoi në shtëpinë e tij që e kishte aty pranë dhe mori një album të veprave të tij të porsabotuar dhe ma fali me një autograf të veçantë. Pimë kafen e porositur dhe u çuam. Unë mora me vete dorëshkrimet, me premtimin se brenda një jave do t’i ktheja mendimet e mia. Ai më përqafoi me përzemërsi dhe u largua.

Pastaj ju filluat me studimin e dosjes, ku Paskali kishte mbledhur materialin që kërkonte të botonte...

Që ditën e parë fillova ta lexoja me shumë kërshëri dorëshkrimin e mjeshtrit të skulpturës. Ishin rreth 500 faqe. Iu ktheva dy herë lëndës së ngjeshur hedhur në letër me shumë pasion e çiltërsi. Pastaj nisa të hedh shënime, për të cilat do të komunikoja me autorin. Më kishte qëlluar të redaktoja me dhjetëra libra, po në rastin konkret kisha të bëja me një vepër të një lloji të veçantë. Ca më tepër kur bëhej fjalë për autorin e saj, gjeniun e artit shqiptar, që përpara se të shkëlqente si skulptor, kishte demonstruar dimensionin e një dijetari dhe filozofi që lexonte në disa gjuhë të huaja. Dorëshkrimi që më kishte besuar kishte brenda lëndën e 60 viteve që e kishte qëmtuar me kujdes. Pasi krijova një perceptim timin rreth tij, sipas premtimit i ktheva përgjigje profesorit. U takuam sërish te kafe “Flora”. I dhashë dosjen e dorëshkrimit, në të cilën kisha edhe shënimet e mbajtura. Duke pirë kafen, i shpreha konsideratën për veprën e bukur që kishte fjetur për dekada të tëra në studion e tij. Ai u lumturua dhe më përqafoi me përzemërsi, duke u hedhur aty për aty një sy atyre pak sugjerimeve që kisha hedhur unë në fund të materialit.

Çfarë ndodhi më tej me dorëshkrimin e Paskalit?

Ai e çoi menjëherë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, madje këmbënguli pranë autoriteteve të institucionit që redaktor të isha unë. E vërteta është se librin ia pranuan, ndërkohë që mirëpritën edhe propozimin e tij për redaktorin. (Unë kisha punuar prej vitesh si redaktor i jashtëm i shtëpisë botuese). Por gjërat u komplikuan më tej. Njohja me lëndën, mesa kam marrë vesh më vonë, kishte zbuluar përmbajtjet delikate të përsiatjeve të Paskalit. “Njerëzit e besuar” që kishin lexuar veprën me vigjilencë, kishin mbajtur shënim e kishin raportuar tinëz për aspektet që penalizonin librit e mjeshtrit të shquar. Në argumentet e goditjes, kishin nënvizuar teprinë e intimitetit, ndikimet nga vepra e idealistit Bled Paskalit, cenimin e filozofisë marksiste në trajtimin e subjekteve të veçanta, si dhe një lloj nostalgjie për metropolet italiane.

Ndërkaq, ju ishit redaktor i librit, a u njohën me këto defekte të veprës gjatë procesit të përgatitjes për botim?

Libri “Gjurmë jete” gjatë procesit pati shumë probleme, me të cilat ballafaqohej një grup i vogël i besuar i elitës politike. Ishin nga ato ngjarje që përshtjellohen prapa kuintave. Duart që operonin fund e krye mbeteshin anonime. Kuptohet që për mua, njërin nga redaktorët e zgjedhur nga autori, gjithçka e kontestuar për veprën nuk mund të më bëhej prezente. Nga mënyra si ishte pozicionuar kritika politike e veprës, gjërat e kishin kapërcyer çështjen e botimit dhe ishin përqendruar në penalizmin e autorit të saj, pavarësisht një rrethane sporadike që do ta shpëtonte nga prangosja.

Kur e morët vesh se autori i librit që ju kishit në proces botimi rrezikohej nga prangosja?

Këtë do ma tregonte vetë Paskali, që me sa dukej e kishte ndjerë se ndiqej nga njerëzit e Sigurimit. Ishte koha kur ishte mbyllur historia e librit, madje disa muaj më vonë. Pikërisht në një nga ato mëngjese kur pinim kafen te “Pallati i Kulturës” ai më la të kuptoja se me të diçka nuk shkonte. Kur e pyeta përse e kishte fjalën, pasi pa rreth e rrotull, më tha se dikush përpiqej për të përbaltur veprën dhe emrin e tij me probleme të karakterit politik. Vetëm kaq më shpjegoi. Me thënë të drejtën mendova ndonjë ndjenjë vetëpersekucioni që ndodh shpesh me njerëzit e mëdhenj të artit dhe pasi e qetësova ndërrova drejtimin e bisedës.

Në kohën që merreshit me redaktimin e librit, a i konstatuat përpjekjet që bëheshin për penalizmin e autorit?

Unë nuk bëja pjesë në shpurën e njerëzve të besuar, që shpesh procedurën e botimit të librave e bënin “lëndë të parë” për punonjësit e Sigurimit. Për këtë arsye nuk kisha si të njihesha me atë që ndodhte jashtë procedurave krijuese që kishin të bënin me botimin e librit. Kjo është një histori, të cilën e kam mësuar shumë më vonë. Kritikët e besuar të shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, pasi kishin konkluduar mbi përmbajtjen e dyshimtë të veprës, e adresuan atë te organet e Sigurimit, të cilat do të operonin me prangosjen e Paskalit. Pikërisht gjatë kësaj kohe mua më vdiq babai dhe u shkëputa për disa ditë nga puna. Për javë të tëra u shkëputa edhe nga fati i dorëshkrimit të Paskalit. Atë, gati çdo natë gjatë periudhës mortore, e kisha mysafir në shtëpi, bashkë me miqtë e tij, Sterio Spase e Andrea Varfi. Asnjëherë gjatë kësaj periudhe ai nuk ma zuri në gojë punën e librit. Gjithsesi, pak kohë më vonë, profesor Paskali më mori në telefon dhe më dha lajmin se ishte botuar “Gjurmë jete”. Ishte një lloj hibridi i përqethur në mënyrën më të keqe i dorëshkrimit të tij. Megjithatë, autori, që më në fund ishte ballafaquar me të gjitha prapaskenat që desh i kushtuan shtrenjtë, kishte rënë në një lloj qetësie.

Deri ku shkoi ndëshkimi i Odise Paskalit për çështjet politike të librit?

Problemet që kishin të bënin me përmbajtjen e dyshimtë të librit të tij “Gjurmë jete” ishin vetëm njëra nga arsyet, shtysa e procesit që e vuri emrin e mjeshtrit të skulpturës në objektivin e një operacioni special të Sigurimit të Shtetit. “Kompetentët” kishin hulumtuar mandej në tërë jetën dhe komunikimin e përditshëm të tij dhe kishin plotësuar një dosje të tërë me fakte e dëshmi që e kryqëzonin Paskalin e madh si njeri me mentalitet borgjez dhe me prirje dekadente. Pritej vetëm verdikti i kreut të shtetit komunist për ta dënuar “Për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Për fatin e tij të mirë, skema nuk funksionoi deri në fund, sipas regjisë antinjerëzore. Përfundimisht, gjeniu i daltës do ta mbyllte këtë kalvar të papriturash me një qortim në zyrën e sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës.

E mbani mend kur ju ka njohur me këtë fakt?

Unë diçka kisha marrë vesh nga të tjerët dhe një ditë e pyeta spontanisht për atë që kishte ndodhur me të. “Të shkuara të harruara” më tha me një qetësi të brishtë pas atij makthi të jashtëzakonshëm që kishte përjetuar.

Detaj 1

Profili i rilindësit

Nga tërë albumi i fotografive që ka lënë Odise Paskali, janë të rralla ato ku ai ka pozuar me të tjerë. Arkivi i fotove në pjesën më të madhe ka portrete të tij. Miku i Paskalit, studiuesi, Adriatik Kallulli, ndihet i privilegjuar që ruan një fotografi, në të cilën ka dalë në krahun e gjeniut të skulpturës shqiptare. “Ai kishte profilin e një rilindësi dhe këmbëngulte për t’iu përshtatur atij, deri në intimitetin më të skajshëm”, shpjegon Kallulli, duke kujtuar këtë pasion të veçantë të tij.

Detaj 2

Historia e veprës “I urituri”, punuar fillimisht në argjil

Paskali: Si e bëra skulpturën e parë  

“Në vitin 1914, në moshën 11-vjeçare, plasën trazira e turbullira. Ishte pragu i Luftës së Parë Botërore. Asgjë nuk zinte vend. Në atë rrebesh politik, shumë fshatarë përmetarë shtrëngohen të braktisin vatrat e kasollet, e të zdirgjen si refugjatë në Ullishtet e Vlorës. Shumë nga ata u borën dhe u rraskapitën. Pati edhe momente tragjike. Në ato rrethana të vështira mungonte buka dhe uji. Shumë pleq e fëmijë vdiqën. Këto ngjarje të llahtarshme më kujtoheshin kur isha student në Itali. Në atë moshë njëzetvjeçare kujtoja ato peizazhe të djegies së kasolleve prej kashte dhe fieri të përmetarëve. Mora lapsin, shkrova poezi. Por m’u duk pak. Më lindi një ide tjetër. Nga ai det fytyrash të vuajtura veçoja më markanten. Ishte vepra ime e parë në argjil. Skulptura ime e parë. Guximi i fjetur në damarët e mi.

E dyta skulpturë që kam bërë pas kësaj ka qenë medaljoni i Avni Rustemit. Avni Rustemi, idhulli i rinisë së kohës time, kishte ndikim të madh. Kështu, çdo punim i imi synonte të pasqyronte pos të tjerash edhe jetën e vështirë të popullit shqiptar. Menjëherë pas vrasjes së Avni Rustemit nga dora tradhtare unë përpiqesha të bëja diçka që ta kujtoj dhe ta përjetësoj në vepër këtë trim kombëtar. Kështu, nga një medaljon të parë që bëra për Avniun e ri, m’u kujtua se ishte dhjetëvjetori i atyre refugjatëve të mjerë, që pasuan në Ullishtet e Vlorës. Krahas punimit të medaljonit të Avni Rustemit, më doli parasysh një galeri pleqsh të lodhur nga vuajtjet, nga uria dhe skamja./(Vijon...)Pamfleti

Detaj

Mjeshtri: 28 vepra për Skënderbeun

“Portretin e parë të Gjergj Kastriot Skënderbeut e kam bërë në vitin 1918 me lapsa me ngjyra. Deri në vitin 1972 këtë figurë e kam bërë 28 herë. Në çdo rast kam menduar se duhet të merrem prapë me madhështinë e tij”.

Në vijim do të lexoni:

Odiseja e dorëshkrimit të Paskalit nga shtëpia botuese në zyrat e Sigurimit të Shtetit

Si u fotografua në laboratorin e Kriminalistikës të Ministrisë së Brendshme vepra e skulptorit të shquar

Rrëfimi i Neshat Tozës: Spiunët e vegjël nuk mund ta kryqëzonin mjeshtrin e madh

Dosja e fshehtë e Sigurimit të Shtetit për Sekretariatin e KQ, ku kërkohej leja për prangosjen e Paskalit

Angazhimi i Ramiz Alisë me procedurën që kërkonte lejen e Enverit për arrestimin e gjeniut të skulpturës

 

adriatik kallulli odise paskali libri prapaskenat

Lini një Përgjigje