Martin Scorsese, është një nga regjisorët më të mëdhenj në historinë e kinemasë botërore. Me një karrierë që shtrihet në 6 dekada, ai ka drejtuar filmat më të famshëm në një mori zhanresh dhe ka fituar shumë çmime. Në këtë 83-vjetor, ja cilat janë disa nga fakte interesante rreth jetës së tij:
U rrit në Manhattan
Martin Charles Scorsese lindi në lagjen Kuins në Nju Jork më 17 nëntor 1942. Prindërit ishin të dy rrobaqepës. Familja u zhvendos shpejt në “Italinë e Vogël”, një lagje e Manhatanit. Ai mjedis e formoi djalin e vogël, dhe është vendi ku janë realizuar shumë filma të Skorcezes
Sëmundja e fëmijërisë nxiti dashurinë për kinemanë
Martini vuante nga astma dhe nuk mund të luante sporte ose të merrte pjesë në ndonjë aktivitet fizik me fëmijë të tjerë. Prandaj, prindërit dhe vëllai i madh, Frenku, e çonin Martinin e vogël në kinema, gjë që zhvilloi pasionin dhe dashurinë e Skorcezes për këtë fushë. Kur ishte adoleshent, ai merrte shpesh filma me qira.
Ishte një fëmijë shumë i talentuar
Kur ishte vetëm 11 vjeç, krijoi një film fiktiv mbi Perandorinë Romake të quajtur “Qyteti i Përjetshëm”.
Në fillim donte të bëhej prift!
Skorceze ndoqi shkollën e mesme “Cardinal Hayes” në Bronks, ku dhe u diplomua në vitin 1960. Fillimisht synoi të bëhej prift katolik, por planet e tij ndryshuan pasi dështoi vitin e parë
në një seminar përgatitor. Në atë moment, nisi të merrte formë dashuria e të riut Martin për kinemanë. Gjithsesi, u regjistrua në Universitetin e Nju Jorkut dhe u diplomua për anglisht në vitin 1964.
Në universitet, filloi të zhvillonte aftësitë e tij në regjinë e filmave
Gjatë studimeve të larta, Skorceze nisi të përfshihej në regjinë e filmave. Ai realizoi disa filma me metrazh të shkurtër, ndërsa në vitin 1967, realizoi filmin e tij të parë me metrazh të gjatë, “Kush po troket në derën time?”.
Njohja me të mëdhenjtë e zanatit
Në vitin 1970, Skorceze u takua dhe u bë mik me kineastë të rinj por me ndikim si Brian De Palma, Francis Ford Coppola, George Lucas dhe Steven Spielberg. Ishte Brian De Palma ai që e prezantoi Skorsezen me bashkëpunëtorin e tij të ardhshëm, Robert De Niro. Në atë kohë, nisi të punonte ndihmës/regjisor dhe montazhier për producentin Roger Corman.
Ishte ky i fundit ai që i mësoi Skorcezes se filmat argëtues mund të xhiroheshin me buxhete të vogla dhe në pak kohë. Këto mësime ai i përfshiu në filmin e tij të ardhshëm “Mean Streets” (1973), që e bëri të njohur për herë të parë.
Dikur ishte shumë supersticioz
Gjatë viteve 1970, Scorsese vuante nga një ankth i tmerrshëm për shkak të numrit 11. Ai shmangte fluturimet në të cilat numrat shkonin deri në 11, refuzonte të udhëtonte më datën 11 të muajit dhe nuk qëndronte në katin e 11-të të hoteleve. Vetë Skorseze thotë: ”Gjëra të çuditshme vazhdonin të ndodhnin me atë numër gjatë asaj periudhe. Zbulova se kur kisha pasur një përvojë të keqe, ose ndoshta më kishin pushuar nga puna nga një projekt, numrat në adresën e një ndërtese shtoheshin deri në 11, ose ishte dita e 11-të…”.
Kulmet dhe rëniet
Pas sukseseve të filmave “Mean Streets” dhe “Alice Doesn’t Live Here Anymore”, Skorceze vazhdoi me filmin “Taxi Driver” në vitin 1976. I konsideruar ende si një gur themeli i kinemasë amerikane dhe një nga filmat e tij më të mirë, ai u nominua për 4 çmime Oscar, përfshirë atë për Filmin më të Mirë, dhe shënoi fillimin e bashkëpunimit të Skorsezes me Robert De Niron.
Ai sukses e inkurajoi Skorcezen të realizonte projektin e tij të parë me buxhet të madh: muzikalin “New York, New York” (1977). Por filmi dështoi bujshëm në arkëtime dhe sot mbahet mend më shumë për kolonën zanore të interpretuar në mënyrë të shkëlqyer nga Frank Sinatra. Pritja zhgënjyese që mori filmi “New York, New York” e zhyti Skorcezen në depresion. Në këtë fazë të jetës, ai pati probleme serioze me varësinë nga kokaina.
Ka shkaktuar herë pas here polemika gjatë karrierës së tij
Me temat e forta që trajton shpesh në filmat e tij, ndoshta nuk është çudi që Skorceze ka shkaktuar në më shumë se sa në një rast zemërimin e disa shtresave të publikut. Në vitin 1988, ai përshtati romanin e shkrimtarit grek Nikos Kazantzakis të vitit 1955, “Tundimi i fundit i Krishtit”.
Përshkrimi i Jezu Krishtit si një njeri me të meta njerëzore dhe dëshira seksuale, shkaktoi një protestë publike dhe u kritikua si një blasfemi. Protesta katolikësh u zhvilluan jashtë kinemave ku u shfaq filmi, dhe vetë Skorceze mori kërcënime me vdekje dhe iu desh të shoqërohej nga truprojat për 2 vjet.
Ndërkohë, në vitin 1997, drejtoi filmin biografik “Kundun”, bazuar në jetën e Tenzin Gyatso, udhëheqësit politik në mërgim të Tibetit. Ai u kritikua ashpër nga udhëheqësit kinezë, që e shtuan Skorcezen në listën prej 50 personave që i ndalohet hyrja në Tibet.
Ka krijuar një grup të rëndësishëm për ruajtjen e filmave
Si një njeri i fiksuar pas filmave dhe studiues i tyre gjatë gjithë jetës së tij, Skorceze është një figurë kyçe në ruajtjen e filmave që nga viti 1990, kur krijoi Fondacionin e Filmit, një organizatë jofitimprurëse që bashkëpunon me studiot për të restauruar filma të vjetër ose të dëmtuar. Fondacioni ka restauruar më shumë se 800 filma nga e gjithë bota, dhe jep kurse falas për të rinjtë mbi gjuhën dhe historinë e filmit./Pamfleti
Lini një Përgjigje