“Esat Pasha nuk ishte trupmadh, megjithëse i fuqishëm fizikisht. Sytë i dukeshin si të një derri të egër, që mund të shihen si simptoma të një sëmundje nga e cila do të vuante pak më vonë. Ishte mjaft lakmues për pushtet dhe për këtë çfarë nuk bënte kundër Ismmail Qemalit. Idoli i tij shpirtëror ishte Ali Pasha i Janinës.”
Pjesa e Katërt
Vijon nga Pjesa e Parë, Pjesa e Dytë dhe Pjesa e Tretë
E djelë, 7 shtator,1913.- Në Vlorë arritëm në mëngjes herët dhe u takuam me Mehmet Bej Konicën. Zbritëm në tokë duke vozitur në një det si një pasqyrë përvëluese dhe gjetëm qytetarët që ishin grumbulluar për të na pritur ne. Paria e Vlorës doli përpara dhe më dhanë falënderimet formale të popullit shqiptar të cilat duhej t’ia përcillja Komitetit Shqiptar për punën e bërë. Dëgjuam fjalimet dhe mbajtëm të tilla me stomakë bosh. Atje ndodheshin dhe djemtë e nipërit e Isa Buletinit të cilët më sollën përshëndetje nga i ati. Mes tyre ishte edhe djali që qëlloi Njaziun. Me të nuk fola.
Ne këtë orë të herët Ismail Qemal Beu po vëzhgonte mbi fatet e vendit të tij. Më mori në shtëpinë bosh të Moris Bernardit, një minator krye francez, shtëpi të cilën qeveria e kishte vënë në dispozicionin tim. Atje u ulëm dhe fshimë ballin ndërkohë që munda të ha pak mëngjez. Ishte një ditë mjaft e ngarkuar dhe një i nxehtë i tmerrshëm.
Vajtëm te Konakët, vendqëndrimi i qeverisë së Ismail Qemalit. “Ka shumë njerëz që duan t’u shohin - më tha – ne mund të bisedojmë edhe më vonë”. Deputetët po arrinin një nga një duke rreshtuar krimet e bëra nga serbët në veri dhe grekërit në jugë. Hasan Bej Prishtina ishte i pari në këtë radhë e pas tij erdhi një turmë qytetarësh nga Gjirokastra. Jashtë, nën diellin përvëlues, qëndronte një grup i madh njerëzish që duartrokisnin vazhdimisht; brenda zhvilloheshin një sërë bisedash brengoseshe. Arriti ministri i Luftës, Mehmet Beu. Ai trajtoi nevojën urgjente për të ndihmuar refugjatët dhe për hidhërimin që ndihej nga mënyra se si po silleshin me vendin e tij. Ai tregoi historia pa fund për masakrat e tmerrshme të serbëve ndaj shqiptarëve të çarmatosur. Serbët e kishin ftuar që të kthehej të qeveriste në Gjakovë e Prizren, por kishte refuzuar ofertën e tyre, duke pranuar humbjet e sipërme. Brohoritjet vazhdonin dhe unë e ndjeja veten keq, duke qenë i vetëdijshëm se nuk mund të bënim asgjë.
Erdhi një burrë tjetër, me të cilin isha njohur më parë, duke dhënë detaje për gjithçka që kishin bërë serbët në Mitrovicë. Pakënaqësia e tij ishte që një neutral duhej të lejohej t’u jepte armë njërit apo të dy ndërluftuesve. Ai shkoi edhe me tutje duke folur për Ismail Qemalin, duke thënë se Qeveria ishte shumë e paqëndrueshme; populli shqiptar ndodhej në mes të djallit dhe detit të thellë. Ismail Qemali përflitej se u kishte bërë koncesione shumë të rëndësishme Austrisë dhe Italisë dhe se kishte shitur monopole, por në se do të rrëzohej, kjo do të sillte triumfin e Esadit gjë që do të ishte njëkohësisht edhe rrënimi i plotë i vendit. Pas kësaj erdhi një lajmëtar dhe më kërkoi të shkoja tek kryetari, ku shkova menjëherë. Besoja se Ismail Qemali gjithçka e kishte në dorë. Por ai ishte i vjetër e i ngadaltë dhe shumë që i llogariste si miq, ishin në fakt armiq të tij. Ai ishte në rregull për sa kohë që Vlora dhe Jugu ishin me të, por në se nuk do të arrinte që të fitonte edhe besimin e Veriut, Esadi do të vazhdonte punën e tij; kjo përsëri do të thoshte një Shqipëri të ndarë, pastaj shpejt apo mbase pak pas vdekjes së mundshme të Esadit, një luftë evropiane.
Më pyeti lidhur me të rejat nga Veriu, çfarë mendoja për situatën dhe cili ishte qëndrimi i qeverisë britanike ndaj Shqipërisë. Ju përgjigja që besoja se i kishte lexuar fjalimet e Sër Eduard Grej, i cili ishte shprehur publikisht se ç’mendonte privatisht: ai hapur ishte në favor të Shqipërisë. Përsa i përkiste Veriut u shpreha se situata ishte mjaft kritike: tokat ishin lënë djerrë dhe nuk kishin për të mbjellë misër. Ishte tepër e rëndësishme që ai të kryente detyrën si kryetar, por ekzistonte rreziku që ai të rrëzohej në se qeveria e tij nuk do të ishte në gjendje të ndihmonte aktivisht. A mundej të mblidhte ca mijëra nga doganat e Vlorës dhe Durrësit? Kjo do të bënte mirë ekonomikisht dhe politikisht. Një gjë e tillë do të ndryshonte mjaft gjendjen në Veri.
Ai u shpreh pro asaj që i thashë dhe më kërkoi t’i shkruaja Sër Eduard Grejit (Edvard Grey) dhe Admiralit Bërnej (Burney) dhe t’u shpjegoja për atë që ai po bënte. Më tha se ishte gati të niste ministrat e tij në Veri më synimin që të shikonin situatën në vend. I sugjerova se me që koha nuk priste ata duhet të zotëronin autoritet të plotë për të vepruar. Për këtë m’u përgjigj pozitivisht- por unë gjykoj se këtë e bëri vetëm për të mos iu futur një diskutimi. Nuk para ishte i prirur për delegim pushtetesh dhe për më shumë nuk i besonte vartësit.
Më foli për shtypin evropian që ishte aq i padrejtë ndaj Shqipërisë. Vendet e tjera ballkanike kanë familjet e tyre mbretërore, diplomatët e tyre dhe shtypin e tyre të paguar. Ndërsa Shqipëria nuk i ka këto mundësi dhe është e vetme në një rreth armiqsh. I thashë se do të doja të bëja gjithçka mundja për t’ju ndihmuar në Angli, por e keqja është se liberalët mendonin që shqiptarët janë të gjithë turq dhe myslimanë, ndërsa konservatorët mendonin se ata janë ngatërrestarët e paqes, si irlandezët. Ai fliste me kujdes për bankat dhe koncesionet.
I thashë se e kuptoja se sa shumë të nevojshme do të ishin paratë tani, por nuk pashë se si një qeveri e përkohshme mund të lidhej me ndonjë vend për një rregullim permanent, përderisa nuk shihej avantazh. Ai foli për grekët dhe makutërinë e tyre dhe ndërkohë se sa e lehtë do të ishte një mirëkuptim mes Greqisë dhe Shqipërisë. “Grekët e shqiptarët kanë të njëjtit armiq, sllavët”, tha ai “ dhe në se nuk kanë të njëjtët paraardhës, të paktën janë fqinjë që kanë fituar të dy palët lirinë. Por grekët janë llafazanë dhe mburravecë. Oratoria e rrjedhshme e Perikliut shkatërron shtetarin e Venizellosit”.
Pas drekës të gjitha dyqanet mbylleshin dhe një turmë festive e cila përbëhej përgjysmë nga refugjatë dhe që nuk kishin ndonjë arësye të gëzonin, vazhdonte punën e vet duke demonstruar nëpër qytet, fillimisht para konsullit italian zotit Façiendi dhe pas kësaj para shtëpisë sime duke më përshëndetur mua, në fakt gabimisht, si përfaqësues të Anglisë:
Vonë pasdite, ndërsa po hidhja shënime nga biseda me një tjetër deputet, më thanë që kishte ardhur guvernatori i Vlorës Feim Leskoviku, një burrë i gjatë e hijshëm. U ngrita në këmbë e shtrëngova duart me të. Filloi bisedën me shprehjen “Shyqyr Zotit që jemi të dy gjallë”. I thashë “në një ditë kaq të bukur si sot, çfarë është ajo e veçantë që duhet thënë kështu?”. “A të kujtohet Sienica?” ma ktheu duke vazhduar “dhe vrasja e Ilia Popoviçit?” Pas kësaj u kujtova dhe e njoha. Ishte personi që kishte qenë mytesarif (Prefekt) në Sienicë kur u vra Ilia Popoviçi, në atë kohë që na kishin burgosur të dyve. Pimë bashkë nga një kafe e biseduam miqësisht.
E pyeta për fatin e katër vëllezërve që kishin qënë me ne në atë kohë. Më tha që tre vëllezërit e mëdhenj që më kishin shoqëruar ishin vrarë. Ai mendonte se atje kishin mbetur shume pak shqiptarë. Ata ose ishin vrarë ose ishin larguar duke lënë gjithçka kishin. Më pyeti se çfarë kisha dëshirë dhe unë i kërkova të bëja një vizitë në burg. Ramë në një mendje dhe shkuam bashkë nën një diell verbues.
Burgu ishte në një gjendje të tmerrshme; Feim Beu u trondit dhe u lemeris prej saj. Dhoma ku ishin, më mirë të themi, rrasur të burgosurit, ishte tepër e vogël dhe kishte fare pak ventilim, ndërkohë që temperatura jashtë arrinte mbi 4O°C. Brenda vinte një erë mjaft e rëndë ndërsa fytyrat e të burgosurve kishin ngjyrën e verdhë të kërpudhave; zërat e tyre ishin të tmerrshëm. Gardiani i burgut i tha zyrtarit shqiptar “Hap sytë se mos të rrëmbejnë shpatën, pasi janë njerëz të pashpresë”.
U ktheva tërë mllef tek Ismail Qemali dhe i thashë që burgjet në Marok, të krahasuar me atë të Vlorës, janë sanatoriume. Ai më premtoi se do të ndërhynte menjëherë që të liroheshin ata që nuk akuzoheshin për krime të rënda, ndërkohë që do të kërkonte që atë ditë ndërrimin e ndërtesës. Kjo u bë menjëherë.
Pasi u largua deputeti i fundit më treguan një histori të çuditshme. Kryekomandanti turk Xhavid Pasha, të cilin e kisha takuar në Mitrovicë, kishte zënë, bashkë me shtabin e tij, shtëpinë e një mikut tim nga Shqipëria jugore. Era e luftës po frynte egërsisht kundër turqve kështu që gjenerali vendosi të këshillohej me shpirtrat e mirë. Urdhëroi marangozin e shtëpisë të bënte një tavolinë druri me tre këmbë pa përdorur asnjë gozhdë në mbërthimin e saj, pasi sipas Xhavid Pashës shpirtrat e mirë urrenin metalin. Turqit e rinj thirrën shpirtin e Nazim Pashës, kryekomandanti i fundit, i cili ishte vrarë për t’u sjellë lajme nga varri. Për këtë nuk erdhi ndonjë përgjigje, fantazma e munguar e Nazimit u mallkua që kishte refuzuar t’u jepte këshilla atyre që e kishin vrarë atë vetë.
Darkova me Ismail Bej Qemalin, që më foli një kohë të gjatë për Gordonin, shoqërues i të cilit kishte qenë dikur në Komisionin e Danubit. Siç më tha, ai e kishte ftuar të shkonte bashkë me të në Sudan. Për të Gordoni ishte një njeri i zoti, kokulur dhe i thjeshtë të cilin e kishte dashur dhe adhuruar, por që kishte teka të habitshme. Ai nuk i duronte dot përgojimet midis njerëzve të tij të shtëpisë dhe për këtë i zgjidhte shërbëtorët nga rraca të ndryshme që të mos e dinin gjuhën e njëri tjetrit. Kjo vërtet ndihmonte në mbylljen e thashethemeve, por, tha Ismail Qemali, ishte tepër e vështirë t’i shpjegoje kuzhinierit hungarez, që fliste vetëm këtë gjuhë, të mësonte që Gordoni nuk i donte fare qepët. Por kjo besoj se nuk ishte e vetmja vështirësi për një staf të tillë të pazakontë. M’u duk mjaft e çuditshme se si një student biblik si Gordoni të kishte harruar mësimin e nxjerrë nga Kulla e Babilonit.
Pas darkës erdhi një tjetër përfaqësi që numëroi masakrat e grekeve në Gjirokastër, Grabosh, Përmet, Kolonjë dhe në shumë vende të tjera si dhe raporte për burgjet e Korçës dhe Follorinës. Grekët, u ankuan ata, dëshironin rreth një të tretën e Shqipërisë, pjesë që në fakt ekonomikisht përbënte dy të tretat e vendit. Si do t’ja bënit ju pa Jorkshirin dhe Lankashirin, më pyeti dikush që kishte ardhur nga Amerika. Ata i detyronin shqiptarët të lyenin shtëpitë me ngjyrat e flamurit grek; fëmijët gjobiteshin po qe se dëgjoheshin të flisnin shqip; në Korçë dhe Gjirokastër ishin sjellë grekë të hiqeshin si shqiptarë me qëllim që të mashtrohej Komisioni i Kufijve.
Para se të shkoja për të fjetur takova përsëri Ismail Qemalin. Kish plasur një krizë politike. Esad Pasha, ministri i Brëndshëm, i kishte dërguar një telegram mos kompromisi kryetarit të Shtetit shqiptar. Ai ankohej që qeveria nuk ishte zhvendosur në Durrës, që Asambleja Kombëtare nuk ishte mbledhur dhe që nuk ishte kryer rikonstituimi i Ministrisë. Me fjalë te tjera kjo do të thoshte që Esad Pasha refuzonte të nënshtrohej, qeveria duhej të rivendosej në Durrës, ku ai, Tirani i Tiranës, do të kishte mundësi të diktonte vullnetin e tij. Ismail Qemali ndodhej në një gjendje të plotë ankthi. M’u shpreh se në Durrës kishte shumë para, të cilat Esadi ishte në gjendje t’i merrte; këtë e tha pa asnjë lloj lëkundje. I sugjerova që në se ai më jepte një premtim me shkrim për të harxhuar këto para për refugjatët, Esadi do ta kishte disi të vështirë që t’i përvetësonte. Ai e gjykoi këtë si një ide të ndritur, por ishte i paaftë të gjente letër e penë që ta materializonte në veprime konkrete. Sipas tij Esad Pasha ishte mjaft i dhënë për të bërë pazarllëqe për para. Esadi ishte një njeri mjaft egoist dhe luante gjithnjë lojën e tij; ai e ftonte presidentin të bashkohej me të dhe të ndanin bashkë plaçkën. “Mirëpo – tha Ismail Bej Qemali – unë tashmë jam i moshuar. Do të doja ta shihja vendin tim të ecte me këmbët e veta dhe pastaj do të tërhiqem. Jam i lodhur. Jam vërtet shumë i lodhur.” Në Shqipëri, vazhdoi ai, vështirësitë janë mjaft të mëdha. Kishte nëpunës që kishin humbur vendet e tyre të punës, kishte jetimë dhe gra të veja, kishte refugjatë; nuk kishte ndihma nga jashtë por as dhe para brenda.
Në Vlorë lamë pas një situatë politike të komplikuar: partitë politike në vend ishin akoma fluide, ndërsa kishte mjaft nga ata që zotëronin pushtet dhe influencë, nuk kishte ndonjë lider që të administronte plotësisht situatën. Akuza kryesore që i bëhej Ismail Qemalit ishte se ai kishte lejuar bërjen e koncesioneve. Në fakt këto ishin të paevitueshme dhe në të vërtete tepër të dëshiruara, por për të mos shpërfillura kritikët e tyre, duhet pranuar që ato nuk duheshin dhënë nga një qeveri provizore.
Ditën tjetër shkova për t’u përshëndoshur më kryetarin e qeverisë. Ai ishte i bezdisshëm me dashamirësinë e tij. Ai donte që unë të rrija dhe më premtoi përmbushjen e çdo lloj dëfrimi apo interesi politik. Ismail Beu nuk ishte i sigurtë se sa e gjerë ishte mbështetja e Mehmet Konicës dhe Filip Nogës dhe nuk i vinte aspak mirë që një anëtar i rëndësishëm i Parlamentit të largohej prej tij dhe të shkonte në kampin e armikut të tij, Esadit. Anëtarët e Parlamentit ishin të dobët por edhe të aftë që të sillnin dëme; një letër për Thë Tajmsin mund ta godiste rëndë atë dhe qeverinë që drejtonte. Na la të largoheshim pa dëshirë. Por, pasi kishte arritur atje ku donte, zhvilloi një bisedë mjaft të këndshme mbi tim atë dhe tim ungj, Oberon Herbertin (Auberon Herbert). “Lordi Karnarvon (Carnarvon) u përpoq të zgjidhte çështjet e Irlandës. Mbase do të kishte qënë më mirë për Anglinë sikur të ishte pranuar pikëpamja e tij. Ndërsa yt ungj, Oberon Herberti, ishte ndryshe. Një njeri i ndritur. Il marchait trop vite.”
Të trembëdhjetë vetët që përbënin shoqërinë tonë gazmore karakterizoheshim nga fakti që vërtet ishim disi të kundërt me njëri tjetrin, por kjo shërbente si kripë e muhabetit për ta bërë argëtues udhëtimin: bashkë me ne udhëtonte një prift poet, patrioti që thoshte që nuk i interesonte politika por e mira e vendit të vet, Filip Noga, gjuhëtar dhe muzikant që vërtiste violinën e tij pothuaj të padukshme gjatë tërë rrugës, e cila shpesh i binte nga duart, një vrasës që do të mbetet anonim, këngëtari që këndonte këngët e poetit, diplomati Mehmet beu, që argëtonte shokët e tij si kthim për llogari të asaj që mbetej, një rumuno-shqiptar me një dhuratë Tamani për organizatën e, së fundi, një bari mbret.
Më treguan për përvojën e këtij bariu mbret, që ishte mjaft e pazakontë për natyrën e një nëpunësi: punëtorët e tij kishin ngritur krye për pagat e vogëla. Ja si ishte historia. Ai ishte matematicien dhe përmes përllogaritjeve të tij të pakuptueshme kishte arritur në përfundimin se në thellësinë e një mali të pashpresë kishte ujë të shkëlqyer e të bollshëm; uji ishte më se i domosdoshëm për të vaditur tokat, pa të cilin ajo nuk mund te prodhonte asgjë. Kështu në mal u hap një tunel i thellë dhe punëtorët u robtuan por pa asnjë rezultat. Vazhduan deri sa më në fund u bë e qartë se bariu-mbret do të rrënohej plotësisht në se puna do të vazhdonte. Punëtorët pas kësaj ngritën krye duke kërkuar paga më të mëdha, kërkesë të cilën ai ua plotësoi. Më në fund përpjekjet e tij u kurorëzuan me sukses dhe ujët shpërtheu furishëm dhe me bollëk. Toka pjellore rriti misër dhe që të gjithë u lumturuan e shijuan bollëkun.
Vetë ai më tregoi se si kishte shpikur një pajisje për lëvizje të përhershme dhe se kishte ardhur në Londër tre muaj që të siguronte patentën e saj. Qëndruam mbi shkëmbinj nga ku zbuloheshin pamje mahnitëse. I thashë “ Është e pabesueshme t’ia thuash këtë çdo njeriu, O perëndi e këtyre shkrepave madhështorë!” “Hëngsha veten time, në se nuk është e vërtetë”, ma theu bariu mbret “ dhe pajisja ishte e tëra prej druri”.
Më se një herë ajo që çdo njeri bënte thjesht për kënaqësinë e vetes na argëtonte të gjithëve: rumuno-shqiptari tregonte fotografi të Princ Vidit kur pushonim në mugëtirën e blertë të pyllit të ahut; poeti recitonte vargjet e tij; vrasësi ishte çuditërisht i heshtur; Mehmet Beu diskutonte me skepticizëm mbi mundësinë e përmirësimit të botës; ish guvernatori i Libisë, një burrë shumë i aftë, fliste në një mënyrë gjysmë poetike; i gjithë ky grup shqiptarësh uleshin për të ngrënë në qafat e maleve përzhitësh dhe shihnin shpatullat e mishit të qingjit për të parashikuar luftrat gjakderdhëse dhe të pafundme. Kundërmimi djegës i pishave të përcëlluara, trumza dhe levandoja e egër shërbenin si një salcë e vërtetë për ushqimin tonë por zbuste edhe ashpërsinë e dallimeve tona politike, duke e bërë shoqërinë edhe më të këndshme.
Pas Vjosës së blertë, takuam Omer Pashanë që na priste pranë Fierit, ku më paraqitën një peticion dhe u mbajt një fjalim në një anglishte elokuente nga një profesor. U trajtuam me një mikpritje të tejskajshme shqiptare, që e lë mikun të mpirë si një boa kur kullufit gjahun, sidomos në një mesditë vere të nxehtë. Diskutuam për politikë dhe shqiptarët që morën pjesë në këto biseda dukeshin sikur të ishin xhentëlmenë anglezë fshati. Mëngjesin tjetër erdhi Fejzi Beu. Ai ishte emëruar Governator i Beratit, në vend të Mehdi Bej Frashërit. Kjo mund të interpretohej si një deklarim politik lufte nga ana e Ismail Qemalit, përderisa ai ishte emëruar Guvernator prej tij, ndërkohë që kjo duhej bërë nga Esad Pasha, pra ministri i Brendshëm.
Udhëtuam nën shoqërimin e Fejzi Beut në një terren të bukur rrëzë kodrave dhe diku pranë rrugës gjetëm një kryq dhe nën të kuti për të hedhur të holla, ku udhëtarët besimtarë hidhnin kontribute. Kjo fliste më së miri për ndershmërinë e njerëzve me besime të përziera, që ky vend i shenjtë i varfër ishte një mburojë e mjaftueshme për bamirësinë.
Në urën e Vjosës u takuam me Guvernatorin e Beratit, Mehdi Bej Frashërin, i cili nuk dinte gjë për shkarkimin. Ishte Mehmet Korica ai që i solli të rejat e padëshëruara për të, që megjithatë ai i priti me dinjitet; ai u ankua që veprime të tilla mund të shkaktonin effet pénible tek të huajt.
Në rrethinat e Beratit na doli para Islam Beu, një mysliman aristokrat i moshuar dhe i hijshëm, ndërsa banorë të qytetit pas tij me flamurë, ku secili kërkonte të fliste duke përfunduar me thirrje të forta “Rroft Ingliterra”¹)
Vazhduam ecjen përpara, pa dyshim nën valëvitjen e flamurëve shoqërues, duke arritur rreth nja njëmijë vetë. Më shpunë në shtëpinë e Aziz Pasha Vrionit. “Zoti ju ndihmoftë, o të huaj – tha mikpritësi – Ju jeni të rrallë si diamantet ndaj dhe duhet të flisni. Është e vështirë, por jeta e rëndë është për të gjithë”. Shkova të lahesha nga koka tek këmbët. Kur sapo po mbaroja së pastruari, u dëgjuan thirrjet me zë të lartë le people vous veut ². Pas kësaj isha i detyruar të mblidhja nxitimthi rrobat dhe mbajta pa marrë frymë, nga një ballkon disa fjalime për turmën e mrekulluar poshtë tij. Paskëtaj vërshuan vizitorët brenda. Arriti dhe myftiu, si një murg qejfli, që kishte qenë jashtë luftimit për tre muaj me pak fat, siç tha vetë. “Vetëm në se komisionarët gjatë anketimeve të tyre arrijnë të bëjnë të flasin më të moshuarit, atëherë do të mësonin të vërtetën – tha ai – sepse të moshuarit dinë vetëm shqip”. I thashë që ishte e pamundur të gjeje një njeri më të mirë se Dauti Vili (Doughty VVylie). “Ëhë, po si t’ua bësh të tjerëve?” shtoi ai më tej.
Pak më vonë, i pasuar nga një turmë tjetër njerëzish, erdhi mitropoliti grek. Foli për kishën ortodokse dhe privilegjet që ajo gëzonte. I thashë se shpresoja që kisha ortodokse duhej të gëzonte në Shqipëri të gjitha ato privilegje që u ishin dhënë shqiptarëve në Greqi. “Ah, tha ai, shqiptarët dhe grekët janë fëmijë të një babai, por grekët janë diplomatë dhe shkencëtarë, doktorë e filozofë, ndërsa shqiptarët janë vetëm barinj dhe qënie fshatare”. Ju përgjigja se para njëqind vjetësh edhe grekërit kanë qenë një popull barinjsh pa ndonjë famë në shkencë. A ishte Kollokotroni shkencëtar, apo Odiseja i Ithakës i njohur për humanizmin e tij? Greqia u ndihmua shumë nga të tjerët, kështu që edhe ajo gjithashtu duhet të ndihmojë vëllezërit e vet të varfër. Mitropoliti ma ktheu duke thënë se do të donte t’i përdorte fjalët që i thashë në një nga predikimet e tij.
Berati ishte një qytet i bukur me shtëpi të bardha dhe ura i ndërtuar në të dy anët e një lugine të përshkuar nga lumi që rridhte mes maleve. Tërë natën e natës dëgjohej kënga e bilbilit që vinte bashkë me zhurmën e rrjedhjes së lumit.
Ditën tjetër, gjatë rrugëtimit befas na thanë se serbët ndodheshin mu para nesh. U këshilluam me nxitim dhe vendosëm që të vazhdonim rrugën dhe kthyem pas xhandarët në se takonim sllavët. Kishte shumë mundësi që serbët kishin përparuar si aleatë të Esat Pashës. Një nga grupi dukej mjaft solemn: ”Kjo mund t’i bënte dëm vendit. Serbët mund të vrisnin një anëtar të parlamentit me qëllim që t’ja ngarkonin krimet shqiptarëve dhe për ta akuzuar vendin jashtë; ata do të donin të na zhduknin edhe ne si dëshmitarë”. Gjatë tërë kësaj dite udhëtuam përmes fushave deri sa mbërritëm tek ura më e gjatë e Shqipërisë, që përmes moçalishtes të çonte deri në Elbasan, populli i të cilit kishte dalë i tëri për të na pritur.
Bisedonim më zë të lartë por ëmbëlsisht para turmës që dukej disi e zymtë që na kishte dalë përpara me rënien e mbrëmjes, ndërkohë që vetëtimat luanin në majat e maleve duke krijuar idenë e një amfiteatri që ngrihej mbi fushë. Qëndrova me Aqif Pashën në shtëpinë e tij të madhe.. Atë mbrëmje erdhi një telegram nga Ismail Qemali, që i kërkonte guvernatorit të Elbasanit të arrestonte shoqëruesit e mi, Mehmet Beun dhe Filip Nogën, të cilët në atë moment mungonin. Këtë ma lexoi edhe mua. I thashë “kjo më vinte në pozitë të vështirë. Unë nuk mund t’i braktis miqtë e mijë e kështu duhet të bëni edhe ju”. “Pasha Zotin, kurrë!” ma ktheu guvernatori. “Sigurisht që ju i doni shokët e tu me vehte, me shpresë të zotit nesër që në mëngjes duhet të shkoni”.
Në Elbasan pata kënaqësinë që të rruhesha dhe u befasova kur berberi më ofroi kozmetikë. Në mëngjes një fëmijë mrekullohej duke mbajtur një fjalim ndërsa shokët e tij më të mëdhenj e kishin rrethuar dhe e ndiqnin me admirim. Aqif Pashën e kujtoj si një mikpritës të sjellshëm e që zotëronte mjaft informacion. Çështjet politike dukeshin mjaft konfuze. Përflitej se Esad Pasha kishte pranuar shuma të mëdha nga serbët dhe se kishte krijuar me shpejtësi një parti aristokratike të bejlerëve. Nga ana tjetër shumë bejlerë besonin se koha e demokracisë kishte ardhur për të zezën e tyre dhe se Shqipëria do të mund të behej moderne përmes shkatërrimit politikisht të klasës së tyre të çifligarëve.
Ditën tjetër udhëtuam nga Elbasani në Tiranë me ndonjë incident të vogël. Ashtu si simpatizant që jam pas Shqipërisë dhe shqiptarëve gjithnjë përpiqesha të isha i drejtë dhe i saktë për këtë vend e për popullin e tij dhe i këshilloj të gjithë udhëtarët të kenë parasysh udhëtimet gjatë verës përmes këtyre pyjeve.
Para se të mbërrinim në Tiranë takuam Fadil Pashën, Dervish Bej Elbasanin dhe Dervish Himën. Biseduam me mirësjellje. Fadil Pasha ishte një burrë i këndshëm shpirtmirë; Dervish Beu një kavalier mesjetar lirik; Dervish Hima një kafshë e madhe, e racës së pastër, shkopi elastik i Esadit, me të gjithë të metat e sjelljes dhe gjuhën e xhonturqve më të rinj.
Dervish Hima: “Qeveria e Ismail Qemalit është e mallkuar!”
Unë: “Kini mirësinë të ma shpjegoni këtë, ju lutem”
Dervish Hima: “Nuk ka bërë një qytet të ri, bile dhe kështu serbët na kanë marrë Gjakovën. Nuk ka bërë asnjë rrugë. Nuk u ka dhënë të hanë siç duhet dymbëdhjetë mijë refugjatëve. Duhet të kemi një qeveri te re”.
I shtrova pyetjen në se qytetet do të kishin ndonjë vlerë pa njerëz ose rrugët pa aktivitet tregëtar, duke vazhduar më tej “A nuk do të kishte qënë më mirë të kishit bërë diçka për të ushqyer refugjatët dhe të ishit përqëndruar në arritjen e disa përmirësimeve qofshin dhe të vogëla, në vend që të vazhdonit grindjet politike?”
Pas kësaj biseda u venit.
Kur arritëm në Tiranë, një qytet miqësor, i gjelbër nga qiparisët dhe kopshtet e mëdhenj, i vaditur nga përrenj; një qytet me shtëpi të rregullta e me çati të kuqe, ku kishin ndërtuar foletë të patrazuara shtërgat, baballarët Piligrim të turqve. Ishte vërtet një qytet i këndshëm me muret gri, qiparisat dhe zhurmën e ujit të rrjedhshëm e gugitjen e pëllumbave. Në Tiranë pashë se shkolla e modës se vjetër të myslimanëve ishte në kundërshti me të rinjtë shqiptarë nga Amerika që flisnin me një aksent hundor. Një njeri lakuriq, Bibi, i cii, për arësye shënjtërimi, nuk mbante veshje dimër e verë, shëtiste në rrugën kryesore, duke u llafosur tërë kënaqësi me këdo që takonte.
Qëndrova në shtëpinë e Abdi Bej Toptanit një burrë i sjellshëm dhe disi i drojtur, që më kujtonte Lordin Lendsdoun ( Lansdovvne). Esad Pasha erdhi gjatë drekës. Fillimisht biseduam turqisht, por kur erdhi një shqiptar, që fliste frengjisht, filloi të na përkthente.
Esat Pasha nuk ishte trupmadh, megjithse i fuqishëm fizikisht. Ato ditë sytë i dukeshin si të një derri të egër, që mund të shihen si simptoma fillestare të një sëmundje nga e cila do të vuante pak më vonë. Nuk ishte njeri joatraktiv. Mbase do të ishte më e saktë të thoja se kishte diçka tërheqëse në vetvete. Fillimisht m’u duk si timid, por mjaft lakmues për pushtet. E gjithë biseda e tij vërtitej të qartësonte diçka dhe ndryshe nga bashkatdhetarët e tij, nuk ishte mesjetar. Idoli i tij shpirtëror ishte Ali Pasha i Janinës. Pas një bashkëbisedimi të gjatë shkuam të hanim drekë me Fadil Pashën, ndërkohë që vëllai i tij i madh na priste lart sipas zakonit të vjetër shqiptar.
Esadi fliste shumë për Shkodrën. Përgjithësisht çka tregonte ishte interesante dhe gjithnjë thuhej duke pasur një objektiv. Ai e dinte që vija nga Ismail Qemali, rivali i tij, dinte që kisha qëndruar me Aqif Pashën, mik i tij i mundshëm; kërkonte të shmangte bisedat politike për të ardhur tek subjekti që donte. Folëm për Luftën Ballkanike. Tha se ishte jashtë goditjes kur malazezët sulmuan të parët dhe ai vrapoi rastësisht drejt tyre sepse kishte dalë për gjah thëllëzash. Në këtë rast kishte shpëtuar për qime.
Nuk ishte për ndërtimin e rrugëve, mungesa e tyre për Shqipërinë i shërbente sigurisë së saj. Por tani për popullin ishte e vështirë pa transport dhe komunikim. Tregoi se vetë ai e kishte bërë me kalë një herë për nëntë orë nga Tirana në Shkodër; kjo tregonte se çfarë duhej bërë.
Pas drekës Esadi u fut në një diskutim të fortë politik: qeverisë së Vlorës i kishte dhënë ultimatum gjashtëditor për të mbledhur Asamblenë Kombëtare dhe me këtë rast e shihte vehten në një pozitë të vështirë. Në se nuk do të arrinte gjë ai humbiste prestigj; në se do të bënte ndonjë lëvizje ishte e vështirë të shihje se ku do ta kishte fundin. Sido që të ishte dukej qartë që ai mbështetej nga Serbia e mbase edhe nga Greqia.
Propozimet e paraqitura prej tij ishin:
1. Qeveria shqiptare të shkonte në Durrës.
2. Rikompozimin e kabinetit qeveritar.
3. Të mos jepeshin konçesione nga qeveria provizore për fuqi të huaja
4. Konçesionet e dhëna deri tani të anullohen.
5.Thirrja e Asamblese Kombëtare.
Pastaj më kërkoi se cili ishte mendimi im. Pas disa frazave me modesti i thashë se në se ai do ta luftonte qeverinë dhe humbiste betejën, Shqipërisë i hiqej mundësia të përfitonte nga shërbimet e tij. Në se ai do të sillej qetësisht, nuk do të ndodhte asgjë, megjithatë deklarimet e tij të mëparshme e kishin vështirësuar pozitën e tij. Unë nuk e kuptoja pse të mos arrihej një kompromis. T’i thuhej qeverisë “”Mos jepni konçesione dhe, nga ana tjetër, mund të merrni një hua për refugjatët e uritur” do të fitoje falenderime dhe jo sharje. Të gjithë bashkëatdhetarët e tij mbase ishin rreptësisht kundër konçesioneve të parregullta dhe njëherazi po aq favorizues të një ndihme të organizuar për bashkatdhetarët.
Tha se tashmë ai i kishte përcaktuar kushtet dhe s’mund të kthehej më prapa. Ç’plan tjetër mund të sygjeroja pas tërë këtyre? I thashë se nuk kishte lënë vend për sygjerime: plani i tij ishte “ose pranoni kushtet e mija ose në të kundërt do t’u bëj të pranoni me detyrim”
Esadi: Ismail Qemali është një hajdut, një endacak. Unë dua vetëm të shpëtoj Shqipërinë dhe pastaj të tërhiqem në pension.
Unë: Ismail Qemali ka po këtë opinion që keni ju shkëlqesi për të. Vendi do të shpëtonte në qoftë se ju të dy nuk e përçani me zënkat tuaja.
Esadi: Dallimi mes meje dhe Ismail Qemalit është se ndërsa unë jam i ndershëm, ai nuk është i tillë. Unë mund t’ju them se çfarë ka bërë ai.
Unë: Një i huaj nuk mund t’u futet të gjithë këtyre gjërave. Evropa e njeh më mirë Ismail Qemalin se sa njeh shkëlqesinë tuaj dhe do të preferonte dikë që e njeh, megjithë të metat që mund të ketë, se sa dikë që nuk e njeh, i cili gjithashtu mund të ketë të meta.
Esadi: Pak muaj më parë isha në Vienë dhe ata më premtuan prurjen e një princi brënda dhjetë ditëve. Pastaj shkova në Romë në pritje të ratifikimit të premtimit, por nuk ndodhi kështu. Dyshova që Ismail Qemali t’u ketë thënë italianëve se ishte më mirë të mos caktohej princi deri sa të zgjidheshin disa probleme të vështira që do ta bënin më të lehtë punën e tij. Mendoj se Ismail Qemali synon krijimin e situatave që do ta bënin atë princin faktik të Shqipërisë dhe ndaj po përpiqet ta bëjë një ligj të tillë që ta arrijë këtë synim.
Unë: Përderisa ky ligj të pranohet nga Komisioni, ky ligj nuk do të ketë asnjë efekt.
Esadi: Pas një farë kohe Komisioni dhe diskutimet e tij mund të zgjaten në mënyrë të mërzitshme dhe më në fund mund ta pranonte si një fait açompli. Ju nuk e dini se sa dëm më bëri thashethemnaja e përhapur se doja të bëhesha Princ i Shqipërisë”.
Unë: Po të isha në vendin e Shkëlqesisë Suaj nuk do të turbullohesha aspak, pasi ka akoma gjëra më të tmerrshme që thuhen për Ju.
Përkthyesi: A duhet t’ja them kaq në mënyre brutale?
Unë: Po. Gjëndja aktuale, me pushtimin e vendit tuaj dhe kur nuk kishte asnjë dorë të sigurt që ta drejtonte, është mjaft e rrezikshme. Planet e Shkëlqesisë Suaj më duken se e rrisin më tej gjurulldinë dhe duket se bëjnë lojën e Greqisë e Serbisë, të cilët duan t’u tregojnë ju para Evropës si popull i pacivilizuar dhe i përçarë.
Esadi: Unë dua që të thërras njerëzit më të mirë. Dua të thërras një Asamble Kombëtare.
Unë: Me këtë doni të merrni mandatin nga tërë vendi?
Esadi (me hezitim): Shqiptarët e jugut më mbështesin më pak nga ata të këtyre krahinave, por unë kështu do të bëj në se Qeveria vjen në Durrës.
Unë: Po qe se Qeveria vjen në Durrës, opinioni i jashtëm do të thotë se shkak për këtë je ti, Esad Pasha që dominon Durrësin.
Esadi: Po qe kështu atëhere të mblidhet ku të dojë. Nuk dua të grindem me Ismail Qemalin. Faji është i tij. Kam besim të madh tek mbështetja angleze.
Unë: Shqipëria do ta ketë këtë mbështetje në se Ju vetë në radhë të parë nuk krijoni trazira.
U përshëndosha me Esad Pashën me përshtypje të papëlqyeshme, por plotësisht i interesuar për këtë vend që kishte arritur të mbijetonte që nga Mesjeta, pikëpamja e publikut të tij ishte e kufizuar nga horizonti i majave të maleve të larta, prej nga ai apo gjakësi qëllonte mbi armikun personal. Ai ishte një njeri i zgjuar démodé i Lindjes, që urrente rënien e regjimit të vjetër turk, një nga ata që si ai e kuptojnë si privilegj mosrespektimin e ligjit dhe ka monopolin e pardonit. Kthimin e bëra me Abdi beun, i cili e mënjanoi çdo bisedë të natyrës politike dhe abstenoi t’i referohej fisit të tij, Esadit.
Takova konsullin italian, që ishte proesadist dhe si bankier ishte edhe pro inflacionit; e pas tij, konsullin austriak, Teodor Hornbostel (Theodore de Hornbostel) që ishte një burrë i mençur. Ai fliste turqisht, frengjisht, shqip, gjermanisht, hungarisht dhe një anglishte perfekte; ai ishte simpatizant i këtij populli dhe i sinqertë në dëshirën për të më ndihmuar.
Shkova bashkë me Dervish Himën për të pare refugjatët – një grumbull fatkeqësh që përpiqej të ndjente të gjitha kënaqësitë që ofronte kjo ditë e bukur.
Ditën tjetër u nisëm për në Durrës me katër karroca. Aty takuam zotin dhe zonjën Kenedi (Kennedy) që ishin kthyer nga Dibra e Poshtme, ku serbët kishin djegur shtatëmbëdhjetë fshatra dhe populli po vdiste për bukë.Kishin bërë edhe një takim në shtëpinë e Ahmet Bej Zogut, i pari i Matit, një djalë tetëmbëdhjetëvjeçar. Ai u kishte thënë se duke lexuar Shekspirin bëheshe një luftëtar i vërtetë. Kenedi tregoi se si kishin dashur të merrnin dikë nga njerëzit e tij të plagosur. “Jo” kishte thënë Ahmed Mati, “Nuk mund t’i kursej njerëzit. Ai ose duhet të shërohet ose duhet të vdesë”. Tani edhe grupi ynë filloi të shpërbëhej : shpikësi i makinës së lëvizjes së përhershme u largua. Roli i tij i fundit ishte të gjente mollë për mua dhe të parashikonte të ardhmen nga shpatullat e qingjave. Edhe një zotëri tjetër nga jugu iku. Ai mund të thërriste 5000 njerëz në luftë, por sikundër tha mund të sillte shumë pak në veri sa për simbol të unitetit shqiptar. Poeti qëndroi në Tiranë.
Një nga këta burra, që do ta quaj Rexhep Efendi, një mysliman që u fut në jetën time gjatë luftës, ishte një bashkudhëtar i devotshëm. Ai kishte dëshirë të vinte e stërvitëj në Angli si polic ose ushtar. Ishte një burrë i pashëm dhe i sertë, shtëpinë e kishte në Himarë; kishte një vëllam të krishterë. Mendova se në gjakun e këtij njeriu kishte rebelim të përhershëm dhe nuk e inkurajova idenë e tij për të ardhur në Angli. Njohja e mëvonshme me të në luftë vërtetoi se unë kisha të drejtë.
Të enjten më 18 shtator 1913 u ktheva në Shkodër dhe më kishin zënë ca ethe të poshtra. Vajta të shihesha më Admiralin Bërnej i cili më tregoi se malazezët ishin vrarë mbi kufirin e Hotit e Grudës, afër Rapshës dhe se të gjitha gazetat austriake ma ngarkonin mua përgjegjësinë për shkak të fjalës që kisha mbajtur në kufi në fillim të verës.
Shumë gjëra kishin ndodhur në vendin tim për të cilat dinim pak. Çështja shqiptare në vetvete ishte rënduar dhe ishte e mjaftueshme të shërbente si shkak për një luftë; Italia nuk mund ta pranonte të lejonte Austrinë të merrte Vlorën dhe Durrësin; admiralët kishin pasur një mbledhje, mirëpo ai austriak nuk kishte ardhur dhe, për më tepër, nuk kishte dhënë asnjë lloj shpjegimi. Askush nuk ishte i sigurtë ne se ishin ndërprerë marrëdhëniet ose jo.
Ekstrakte nga ditari
Admirali Bërnej ishte një njeri i mirë, por që nuk pati këshilla , ose të themi nuk ishte nga ata që mos i vlerësonte ato dhe thuhej që kishte marrë për këtë një njeri që kishte qënë kamarier në një hotel egjiptian, governator të Bushatit. Ded Gjon Luli dhe njerëzit e tij hynë brenda dhe unë u ngrita nga shtrati t’i shihja. Pesëqint vetë thanë ata janë masakruar nga serbët dy javët e fundit. Për katër ditë me radhë isha me ethe dhe erdhën shumë njerëz për të më parë – ndër ta Faik Konica ishte më i këndshmi për një të sëmurë. Raportet ishin të tmerrshme dhe brengosëse. Një natë më parë kishin ardhur gra refugjate nga Gjakova. Në fakt nuk i pashë vetë por Domeniku më tregoi gjithçka që kishin thënë ato. Serbët kishin arritur në mjaft raste të vrisnin gra shtatzana duke vënë baste se kush do të gjente seksin e foshnjës në bark. Gratë në fjalë kishin qënë dëshmitare të gjërave të tilla. Mis Durhami kishte të tjera histori po kaq të dhimbshme mbi shtazërinë e pushtuesve.
Muhaxhirët në Tiranë tregonin të njëjtat gjëra të pabesueshme. Këta janë fshatarë që nuk shpikin dhe i tregonin këto ngjarje aq gjallërisht sa që ishte e vështirë të mos i besoje. Në Shkodër, thonë, burrat edhe gënjejnë ndonjëherë, por gratë kurrë. Në se këto janë të vërteta, duket se këtë serbët e bëjnë si hakmarrje për çdo vdekje në Kosovë katërqint vjet më parë. Erdhi të më takonte një grua që fliste italisht. “Ne jemi pula – thosh ajo – nën mbrojtjen e Evropës dhe ja se ç’po na ndodh: Basta che siano Albanesi! (Hajde se shqiptarë janë), dhe asgjë nuk mund të bëhet me serbët”. Unë vetë do të dëshiroja që Austria të merrte nën mbrojtje në të ardhmen katolikët e Serbisë përpara katolikëve shqiptarë.
U ngrita që të haja darkën me Pitër Granet (Peter Granet), atashe ushtarak. Më tregoi historinë e një gruaje plakë në Gjakovë. E kishin kërkuar të dilte në dritare të shihte të birin të rrethuar nga serbët me bajoneta. U dha të gjithë paratë që kishte. Suma e pyeti “A e shpëtoi jetën e djalit?”. “Po”, tha ajo. “Mirë me kaq” u përgjigj ai. Deri në këtë pikë ka arritur puna për këtë popull. Ishte e mjaftueshme të falenderoje zotin që kishe shpëtuar lakuriq, mjaft që ishe gjallë.(Fund...)/Pamfleti
Lini një Përgjigje