TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Shkurt 2025, 18:05

Zbardhet vrasja në Tiranë/ Viktima një 24-vjeçare palestineze, burri i saj dyshohet se është arratisur jashtë vendit

Shkruar nga Pamfleti
Zbardhet vrasja në Tiranë/ Viktima një 24-vjeçare
Foto nga vendi i krimit

Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që u zbulua mesditën e sotme në Tiranë, ku në një banesë të marrë me qiran ë rrugën ‘Gjon Muzaka’ u gjet e pajetë një shtetase e huaj.

Policia ka arritur të identifikojë viktimën, e cila është një shtetase palestineze, ndërsa ka shpallur në kërkim Fadi Alwan, edhe ai shtetas palestinez, 49-vjeçar, që rezulton bashkëshorti i 24-vjeçares të vrarë, Ryyan Alwan.

Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit, i cili dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.

Viktima dyshohet se është goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit që i kanë shkaktuar vdekjen, ndërsa do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktojë kohën e humbjes së jetës.

Nga hetimet, në banesën e marrë me qira nga çifti me origjinë palestineze janë gjetur vetëm 10 cent, çka dyshohet se autori i krimit, mund të ketë marrë nga banesa edhe gjërat me vlerë ose të hollat.

Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se çifti nuk ka marrë banesën me qira duke dorëzuar karta identiteti, me pretendimin se nuk i kishin të disponueshme.  

Njoftimi nga policia

Falë veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i vrasjes së 24-vjeçares, të gjetur pa shenja jete në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”.

Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, si dhe analizimit të provave, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 24-vjeçares, shtetasin F. A., 49 vjeç.

Rreth orës 12:55, shërbimet e Policisë u njoftuan për gjetjen e një shtetaseje pa shenja jete në një apartament me qira, në rrugën “Gjon Muzaka”. Gjatë fazës së parë të hetimeve, u konstatua se viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës.

Në vijim të veprimeve, Policia bëri të mundur edhe identifikimin e viktimës, shtetases R. A., 24 vjeçe, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin F. A., 49 vjeç, rezultojnë të jenë shtetas palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja.

Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit, i cili dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.

Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara.

Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

 

Lini një Përgjigje