
Vijon të mbetet mister shkaku i vetëvrasjes së 17-vjeçares, Irsa Muçollari, nxënëse e klasës së 10-të në shkollën e mesme “Siri Shapllo”.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 10 shkurt, ndërkohë që pista e parë që u aludua se mund të kishte shtyrë të miturën drejt vetëvrasjes ishte bullizimi.
Por 17 ditë pas ngjarjes, Prokuroria e Gjirokastrës e ka përjashtuar si pistë. Lidhur me ngjarjen e rëndë, prokuroria ka marrë në pyetje mbi 30 persona, përfshirë prindërit, të afërmit, mësuesit dhe shokët e shoqet e 17-vjeçares. Referuar hetimeve, Prokuroria ka përjashtuar pistën e bullizimit, ndërsa pritet që të çkodohet telefoni i viktimës me shpresën që përmes bisedave mund të hidhet dritë mbi atë se çfarë ka ndodhur.
Gjithashtu raportohet se Prokuroria ka hedhur poshtë aludimet se letra që iu gjet 17-vjeçares në banesë të ishte një letër lamtumire. Nga hetimet dhe verifikimet ka rezultuar se letra ishte një detyrë shkolle në lëndën e gjuhës angleze, që vajza e ka realizuar gjatë kohës kur ishte nxënëse në sistemin 9-vjeçar.
Prokuroria ka përfshirë në hetime edhe dy psikologë të shkollës.
Referuar hetimeve të deritanishme po verifikohet edhe gjendja emocionale e vajzës në ditët e fundit të jetës, pasi nga dëshmitë e mbledhura ajo kishte një ndryshim të sjelljes.
Lini një Përgjigje