TAGS-AT E JAVËS

Kronike 6 Shtator 2024, 11:04

Zbardhet vrasja e Elis Rroshkodolit në Shkodër, arrestohet njëri nga bashkëpunëtorët në krim; shpallen në kërkim tre të tjerë

Shkruar nga Pamfleti
Zbardhet vrasja e Elis Rroshkodolit në Shkodër, arrestohet njëri
Elis Rroshkodoli

Është zbardhur krimi që tronditi Shkodrën një javë më parë, ku mbeti i vrarë Elis Rroshkodoli.

Policia e Shkodrës ka zbardhur atentatin që tronditi Shkodrën më 30 gusht 2024. Bëhet fjalë për 4 persona të cilët sipas policisë kanë qenë vrasës me pagesë.

Një person është arrestuar ndërsa janë në kërkim 3 bashkëpunëtorët e tij. Zbulohet një garazh në territorin e bashkisë Tiranë, që iu shërbente 4 shtetasve, si bazë kriminale për të fshehur automjete të trafikuara, të cilat do të përdoreshin gjatë kryerjes së krimeve.

"Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe me Prokurorinë e Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.), kryer më datë 30.08.2024, në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”, u finalizua operacioni policor i koduar “Fjalëkryqi”.

Në kuadër të këtij operacioni, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xh. M., 26 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Veprime që pëngojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit J. Xh., 31 vjeç, V. Xh., 38 vjeç dhe D. M., 42 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se këta 4 shtetas kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen e shtetasit E. Rr. (Sh.).

Në vijim të operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë, u zbulua në territorin e bashkisë Tiranë, një garazh, ku këta 4 shtetas mbanin automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës, të cilat dyshohet se janë siguruar për të shërbyer gjatë kryerjes së krimeve të rënda kundër personit.

Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 automjete të dyshuara të trafikuara dhe pjesë të automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.).

Vijojnë intensivisht kërkimet me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme"-njofton policia.

Atentati që tronditi Shkodrën

36 vjeçari, një person me precedent të mëparshëm kriminal, u ekzekutua me breshëri plumbash më 30 gusht teksa ishte ulur në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia” në Shkodër.  Sipas dëshmive të mbledhura atë ditë autori i maskuar kishte shkuar me një Benz ngjyrë gri, kishte ndaluar para lokalit dhe kishte qëlluar me breshëri plumbash ndaj të riut. Viktima mori 14 plumba në trup nga 18 gëzhoja që janë gjetur në vendin e ngjarjes. 

Kush ishte Elis Rroshkodol?  
Viktima 36 vjeç nuk është emër i panjohur për blutë në Shkodër, ndërsa njihej si person tejet problematik brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2023, Elis Rroshkodol plagosi me thikë një të ri rumun, periudhë në të cilën u arratis drejt Stambollit.

Shqiptar u shpall në kërkim nga autoritetet rumune për plagosjen, sherri për të cilën nisi në një qebaptore mes Rroshkodolit dhe pronarit të një klubi nate. 36-vjeçari u ngrit nga tavolina dhe me një thikë qëlluar pronarin e lokalit. Në 2014-ën rezulton të jetë arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh të tjerë për grabitje në Belgjikë.

elis rroshkodoli

Lini një Përgjigje