
Ja kush janë autorët e plagosjes në Sarandë...
Policia ka identifikuar autorët e plagosjes së dyfishtë mesditën e sotme në Sarandë. Mësohet se janë shpallur në kërkim Ramadan Canaj (Zoto) dhe Erion Canaj, vëllezër mes tyre.
Bëhet fjalë për dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe të njohur për policinë.
Ramadan Canaj rezulton i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, aktualisht në proces gjyqësor në Sarandë për “goditje për shkak të detyrës”. Konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, pasi gjatë veprimtarisë në Greqi ka shkëmbyer zjarr edhe me policinë greke disa vite më parë.
Në kërkim është shpallur edhe Erion Canaj, 35 vjeç, vëllai i tij. Canaj në dhjetor 2022 ka dhunuar rojen e spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt 2024 është arrestuar në banesë me 2 pistoleta, por është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës.
Ngjarja ndodhi rreth mesditës te zona e stadiumit. Mësohet se dy vëllezërit kanë hapur zjarr ndaj Ernes Lamës, 24 vjeç, dhe Gëzim Hoxhajt, 32 vjeç. Dyshimet janë pas një konflikti mes tyre, por policia po vijon hetimet. Sipas burimeve në vendin engjarjes u gjet një çantë brenda së cilës ndodhej një pistoletë. Por nuk dihet nëse u përket autorëve apo të plagosurve.
Dy të plagosurit janë nisur drejt Traumës pasi janë në gjendje jo të qëndrueshme. Ndërkohë forca të shumta policie kanë rrethuar Sarandën dhe janë vënë në kërkim të dy vëllezërve.
“Sot, rreth orës 15:00, në lagjen nr. 4, Sarandë, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se janë plagosur me armë zjarri shtetasit G. H., 32 vjeç, dhe E. L., 24 vjeç, të cilët pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Sarandës, do të dërgohen drejt spitalit të Traumës, Tiranë, për mjekim të specializuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, po vijon punën për identifikimin e autorit, zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje”, tha policia.
Lini një Përgjigje