
Gjykata e Vlorës ka lënë në burg 23-vjeçarin Mato Glluçaj, i cili vrau babanë e tij në Selenicë duke i vendosur tritol në bombolën e gazit.
Seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura. Gjyqtarja e çështjes ka pranuar kërkesën e prokurorisë për një masë më të ashpër sigurie pasi sipas tyre provat janë evidente. Si në polici dhe në gjykatë deri më tani ai s’ka treguar se ku i ka gjetur municionet e gjetura në banesë. Prokuroria ka pranuar kërkesën për “arrest me burg” dhe më pas i riu është transportuar drejt paraburgimit
“Bazuar në provat e siguruara dhe në veprimet e kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se ngjarja nuk ishte aksidentale, por e qëllimshme. Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi M. G., 23 vjeç, djali i 56-vjeçarit që humbi jetën nga shpërthimi në territorin e jashtëm të banesës së tij. 23-vjeçari dyshohet se për shkak të dhunës së vazhdueshme që babai ka ushtruar ndaj tij, ka vendosur lëndë plasëse në sobën me gaz, në oborrin e banesës, nga shpërthimi i së cilës humbi jetën 56-vjeçari”, tha policia.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: mekanizmi elektrik me të cilin është realizuar shpërthimi, 25 granata dore difensive, 37 kallëpe me lëndë plasëse tritol (me peshë 400 gr. secila), 43 kapsolla detonatore, 5 ndezësa granatash, 1 armë zjarri pushkë, 1 celular, 2 thika, 310 fishekë luftarakë, 12 krehra për armë zjarri, 2 radio marrëse-dhënëse, kapuça dhe veshje për mbulimin e fytyrës dhe mjete për punime elektrike me ngjitje.
Lini një Përgjigje