Ekzekutimi i Santiago Malkos ndodhi më 27 gusht të vitit 2019.
Gjykata e Posaçme ka shpallur sot vendimin për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur më 2019.
Trupa gjykuese vendosi që i pandehuri Leonard Duka të dënohet me 30 vite burg.
Vendimi i gjykatës vjen pas një procesi të gjatë hetimesh dhe gjyqësor, ndërsa autoritetet nënvizojnë rëndësinë e këtij dënimi për drejtësinë ndaj oficerëve të rënë në krye të detyrës.
Ndërsa për vëllain e tij, Erlis Duka, gjykata shpalli pafajësi. Ajo vendosi të heqë masën e sigurimit ndaj tij edhe për episode të tjera për të cilat akuzohej.
GJKKO-ja vendosi të dënojë me burg edhe bashkëpunëtorët e Dukës, Fatmir Hysenin, Aleksandër Manxhakun, Oltian Logën dhe Dritan Agajn me nga 25 vite burg secili.
Ata akuzoheshin nga SPAK për “Vrasje me Paramendim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Trafik Narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e Grupit të Strukturuar Kriminal. Këto akuza gjykata i vlerësoi të drejta përveç ato ndaj Erlis Dukës.
Ekzekutimi i Santiago Malkos ndodhi më 27 gusht të vitit 2019.
Përballja e mamasë së Santiago Malkos dhe Leonard Duka në gjyq

Më 19 janar, u zhvillua seanca për kreun e klanit Duka, ku avokatja e tij, paraqiti mbrojtjen. Vetë Duka deklaroi pafajësinë.
“Deklaroj që jam i pafajshëm dhe Prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga policia që të më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia”, tha ai.
Ndërsa avokatja e tij theksoi se konkluzionet e SPAK-ut nuk janë të bazuara në provë dhe në ligj.
“S’ka asnjë provë, por vetëm deduksione të krijuara nga një proces hetimor jo i plotë dhe i paragjykuar, më shumë të bazuara në histori të raportuara në media”, tha avokatja.
Sipas avokates, përgjimet në SKY ECC nuk janë të ligjshme dhe se identifikimi që është bërë nga Oficeri i Policisë Gjyqësore të kodeve, ka qenë “amator dhe jo i besueshëm” pasi nuk është ndjekur procedura e standarde.
E pranishme ishte edhe mamaja e Santiago Malkos, e cila akuzoi drejtpërdrejt Leonard Dukën.
“Leonard Duka më ka vrarë djalin. Më solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe më tha që s’kam gjë me Santin, por doli e me vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë”, tha ajo.
SPAK pati kërkuar masën e dënimit për:
Leonard Duka – 32 vjet burgim/ Dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së Lartë.
Erlis Duka – 25 vjet burgim
Fatmir Hyseni – 32 vite burgim
Aleksandër Manxhaku- 22 vjet burgim
Oltjon Loga – 23 vjet burgim
Dritan Agai- 23 vjet burgim
Ata akuzohen për “Vrasje me Paramendim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Trafik Narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e Grupit të Strukturuar Kriminal.
Kujtojmë se Leonard Duka u ekstradua nga Belgjika vitin e kaluar. Ai akuzohet si një organizatorët e vrasjes së Santiago Malkos në Gusht të 2019-ës në Tiranë. Mbi këtë akuzë, Duka u arrestua në Belgjikë në 14 shkurt të vitit 2023.
Për vrasjen e Santiago Malkos vijojnë në kërkim Elis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltion Logu. 25 vite burg janë dhënë ndërkohë për Ilir Selmanin, ndërsa Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen e Blendi Tetës, i akuzuar po ashtu për këtë çështje.
Emri i Leonard Dukës doli dhe në dosjen e operacionit “Revanshi”, ku u zbardhën komunikime e biseda të zhvilluara në aplikacionin “Sky” dhe “Encrochat”.
Në këto biseda, Duka thurte plane për eliminimin fizik të Ervis Martinajt dhe lidhjeve të afërta të tij shoqërore, siç ishte Erigers Mihasi. Mbi këto dyshime për Leonard Dukën, SPAK ka ngritur akuzën e sigurimit të kushteve të vrasjes në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Mos e shkruani me "ish-polici" se ai nuk kishte lidhje me policine fare! Jane vrare per pazaret e tyre kriminale!