TAGS-AT E JAVËS

Kronike 4 Tetor 2025, 11:05

Vrasja e Renis Dobrës në Mat, dosja i kalon për hetime SPAK

Shkruar nga Elton Qyno
Vrasja e Renis Dobrës në Mat, dosja i kalon për hetime SPAK
Vrasja e Renis Dobrës në Mat

Vrasja e 23-vjeçarit Renis Dobra dhe hedhja e tij në ujërat e liqenit të Shkopetit do të hetohet nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Vendimi për kalimin e dosjes nga Prokuroria e Dibrës në Tiranë u mor nga prokurori i çështjes, Abaz Muça, i cili argumentoi se autorët e krimit kanë vepruar si “Grup i Strukturuar Kriminal”.

Në mesin e të dyshuarve janë Petrit Çakri nga Tropoja dhe tre vëllezërit Aleksandër, Fation dhe Kristi Bushgjokaj, gjithashtu nga Tropoja. Ky mund të jetë rasti i parë që SPAK heton tre anëtarë të një familjeje si grup të strukturuar kriminal. Hetimet pritet të identifikojnë edhe personat e tjerë që urdhëruan rrëmbimin dhe mbytjen e 23-vjeçarit.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Dibrës, shkak i vrasjes ishte konflikti mbi tregtinë e kokainës në Gjermani, ku viktima ishte arrestuar dhe dënuar. Informacionet e policisë tregojnë se Dobra kishte punuar si tregtar droge për llogari të grupit të drejtuar nga vëllezërit Bushgjokaj, por disa herë nuk dorëzoi fitimet, duke thënë se policia e ndiqte ose se paratë ishin humbur.

Vëllezërit Bushgjokaj dhe Petrit Çakri përdorën dy makina, një Range Rover të zi dhe një Honda Santa Fe të bardhë, të cilat janë sekuestruar dhe ekzaminuar nga policia shkencore. Katër persona janë arrestuar deri tani.

Thirrja e fundit e Renis Dobras është realizuar nga telefoni i babait të tij, Rufat Dobra, pas informimit se i biri ishte marrë nga persona që prezantuan veten si policë.

Dhjetë minuta pas kësaj thirrjeje, telefoni i Dobras u mbyll nga autorët dhe nuk është gjetur që atëherë.

Trupi i pajetë i 23-vjeçarit u gjet mëngjesin tjetër në një humnerë, rreth 10 metra larg vijës së ujit të liqenit të Shkopetit. Silueta e makinave të përdorura u kap nga kamerat nga hyrja e Burrelit deri në zonën e Milotit.

vrasja e renis dobrës në mat

Lini një Përgjigje