Gjykata e Lezhës ka dënuar me nga 30 vite burg, Oltion Vlashin dhe Klaudio Përkolen si bashkëpunëtor në vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit, ngjarje e ndodhur në muajin maj të vitit 2020 në një lokal në Kurbin.
Dy të rinjtë u shpallën fajtor për veprat penale “vrasje e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa vendimi u dha nga trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Sokol Shehu.
Edhe prokuroria e Lezhës kishte kërkuar këtë masë dënimi, e cila arriti të provoje se dy personat të cilët vijojnë të jenë në arrati kanë qenë bashkëpunëtor në vrasjen e dyfishtë.
Me herët për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit është dënuar me burgim të përjetshëm Eduart Lamaj në rolin ekzekutorit dhe me 33 vite burg Ilir Likaj (Xhepaj) në rolin e ndihmësit në këtë krim. Ky i fundit u arrestua disa muaj pas ngjarjes në Yzberishtit në Tiranë, ndërsa Eduart Lamaj u prangos teksa merrte mjekim në ambientet e një klinike private në zonën e “Qytet Studentit”, pasi kishte mbetur i plagosur në këmbë nga shkëmbimi i zjarrit me njërin prej viktimave, shtetasin Bujar Lika.
Ky episod ndihmoi policinë në zbardhjen e shpejtë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, ndërsa motivet e ngjarjes vijojnë të mbeten ende të paqarta. Bujar Lika dhe Paulin Gjergji u ekzekutuan me breshëri plumbash teksa po pinin kafe në një lokal në anë të autostradës Milot-Thumanë, ndërsa 4 autorët vepruan me një automjet tip golf 5 me të cilin edhe u larguan.
Si ndodhi ngjarja?
Katër persona, me në krye Eduart Lamaj u futën me nxitim në parkimin e hotelit, në të cilin ishin duke pirë kafe Bujar Lika dhe Paulin Gjergji me qëllim ekzekutimin e të parit.
Me të hapur dyert, njëri prej tyre, me një pistoletë në dorë i drejtohet makinës tip “Range Rover”, ku qendrontë djemtë e bniznesmenit Paulin Gjergji, ndërsa ata i luten që të mos i vrasin.
Ndërkohë që ishin neutralizuar djemtë e Gjergjit, një person me markë të bardhë, i cili sipas prokurorisë dyshohet të jetë Eduart Lamaj, futet i pari një hotel me një kallashnikov në dorë duke qëlluar menjëherë në drejtim të Likës, ndërsa ky i fundit i përgjigjet me pistoletë duke e plagosur në këmbë.
Personi me markë të bardhë mbetet i plagosur nga përplasja me armë, ndërsa dy shokët mbërrijnë aty për ta tërhequr duke lënë një moment armën në një vazo, të cilën kthehet ta tërheqë më pas.
Në ikje e sipër, dyshohet se autorët kanë qëlluar në drejtim të Kreshnik Tushajt, për të cilin menduan se u kishte zënë pritë. Pas atentatit me dy të vdekur, Tushaj paraqitet i plagosur në spital duke theksuar se ishte plagosur në derën e shtëpisë nga persona të panjohur.
Momenti i plagosjes dhe afërsia me vendin e ngjarjes bëri që prokuroria të dyshojë së Tushaj ishte njëri prej atentatorëve, por arrestimi i Eduart Lamajt shpëtoi Tushajn nga akuzat.
Ekzekutimi i Likës dhe Gjergjit në Laç ka rikthyer frikën për një përplasje të ashpër mes grupeve kriminale në Tiranë dhe Laç, e cila deri më tani ka shkaktuar të paktën katër të vdekur.
Lini një Përgjigje