TAGS-AT E JAVËS

Kronike18 Tetor 2025, 09:28

Vrasja e biznesmenit italian, Kamber Sulçaj mbërrin në gjykatë nën masa të rrepta sigurie

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e biznesmenit italian, Kamber Sulçaj mbërrin në
Biznesmeni i vrarë Edoardo Sarchi dhe autori i dyshuar Kamber Sulçaj

Gjykata është rrethuar nën masa të forta sigurie, ndërsa prezentë janë 22 policë.

Ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër Kamber Sulçaj, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Edoardo Sarchi në Tepelenë më 27 shtator. Gjykata është rrethuar nën masa të forta sigurie, ndërsa prezentë janë 22 policë.

48-vjeçari i shpallur në kërkim u vetëdorëzua në Prokurori dy ditë më parë dhe nuk dihet nëse e ka pranuar autorësinë e vrasjes. “Quhem Kamber Sulçaj, rezultoj i kërkuar nga shteti", ka thënë ai në Prokurori.

Ai gjithashtu ka dorëzuar edhe armën me të cilën dyshohet se ka kryer krimin si dhe lejen që dispononte. Sulçaj nuk ka pranuar të japë deklarime për policinë lidhur me rrethanat apo motivet e krimit.

"Nuk do të jap asnjë shpjegim sot por në një fazë të mëvonshme dhe në prezencë të avokatit", tha 48-vjeçari.

Si ndodhi ngjarja?

Biznesmeni italian, Eduardo Sarchi mbeti i vrarë në orët e para të mëngjesit të së shtunës së 27 tetorit në Salari të Tepelenës. Ai dyshohet se u mbajt për 20 minuta në terror së bashku me miqtë e tij.

Sipas dosjes hetimore, autori Kamber Sulçe, ka qëlluar disa herë në ajër e më pas në drejtim të biznesmenit italian dhe 3 miqve të tij. Një nga plumbat e kap biznesmenin italian në kofshë, i cili në dosje thuhet se mbeti viktimë si pasojë e një konflikti që nisi mes djalit të ortakut të tij dhe autorit për dritat e gjata të makinës.

Djali i ortakut të Eduardo Sarchit, i tha policisë se atyre iu fik makina në rrugë për shkak të karburantit, dhe për t’i ndihmuar i shkoi babai i tij dhe biznesmeni italian, me dy makina të ndryshme. Në dëshminë e tij, ai i tha oficerëve të policisë se në këtë moment nisi breshëria e plumbave që zgjati mbi 20 minuta.

Gjithçka nisi për dritat e makinës

Djali i tij Gazmend Braçi, sëbashku me tre miq, pasi kishin darkuar, kanë dalë rreth orës 21:30 me një automjet për gjueti. Rreth orës 22:30 janë shkëmbyer me autorin e krimit, papritur, krejt rastësisht.

Makina tip fuoristradë me të cilën po udhëtonte Gazmend Braçi, dhe miqtë e tij kishte fenerë në pjesën e përparme, ndërsa autori ishte me kamionçinë me drita të gjata, me të cilën do të transportonte një depozitë për te stani i tij.

“Pse i ndeze dritat?!”- Ishte kjo pyetja që ka ndezur debatin mes palëve.

Njëri nga miqtë e Gazmend Braçit, ka dalë nga makina dhe ka ofenduar autorin. Në këtë moment, autori i është prezantuar me emër duke i treguar se vinte nga Vlora dhe është treguar i palëkundur.

Më pas është larguar… Pas 10 minutash, automjetit të katër personave i ka mbaruar karburanti në një kodër. Kështu, Gazmend Braçi ka telefonuar babanë e tij,  Eqerem Braçi. Ky i fundit ka shkuar bashkë me italianin për t’iu ardhur në ndihmë.

Gjatë kësaj kohe, autori ka shkuar për të marrë armën e gjatë, që përdoret për gjuetinë e kafshëve të egra. E ka bërë gati dhe është rikthyer në vendin ku kishte ndodhur debati.

Është afruar te makina e të rinjve, por nuk i ka gjetur aty, pasi ata kanë qenë rreth 100 metra më tutje.

48 vjeçari ka filluar të qëllojë në ajër duke i sharë dhe duke kërkuar një sqarim. Nuk ka zgjatur shumë dhe ai ka vijuar të qëllojë nga 100 metra distancë, në drejtim të tyre.

Të shtëna që kanë zgjatur rreth 20 minuta.

Momenti fatal ka qenë kur ai ka hapur zjarr ndaj “Range Roverit”, fishekët kanë kapur gomat nga krahu i pasagjerit, në përpjekje për të hyrë në fuoristradë, biznesmeni italian është dëmtuar në kofshë, që i ka shkaktuar gjakderdhje dhe vdekje të menjëhershme, sepse i ka prekur arterien kryesore.

Lini një Përgjigje