
Dy punonjës janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohen se kanë vjedhur materiale në një mobilieri.
Sipas policisë, dëmi i shkaktuar është rreth 16 milionë lekë të reja. Në pranga kanë rënë Florenc Begu e Sevastian Maci, me detyra respektive magazinier dhe përgjegjës në një mobilieri dhe janë proceduar penalisht shtetasit me iniciale K. D., 47 vjeç dhe O. D., 32 vjeç, me detyra përgjegjesa në mobilieri.
Hetimet kanë zbardhur edhe skemën që përdornin punëtorët. Ata merrnin materiale pune dhe më pas prodhonin mobilieri duke i shitur pa i deklaruar.
"Vodhën në mobilierinë ku punonin, materiale pune, prodhuan mobilie dhe i shitën pa i deklaruar, vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht 2 bashkëpunëtorët e tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në kuadër të veprimeve hetimore të kryera mbi kallëzimin e adiministratores së një kompanie me veprimtari në fushën e prodhimit dhe tregtimit të mobilieve, për vjedhje nga disa punonjës, organizuan dhe finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Wrong Calculation”.
Si rezultat i operacionit:
-u ndaluan shtetasit S. M., 31 vjeç, dhe F. B., 35 vjeç, me detyra respektive magazinier dhe përgjegjës në një mobilieri;
-nisi procedimi penal për shtetasit K. D., 47 vjeç dhe O. D., 32 vjeç, me detyra përgjegjesa në mobilieri.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrat, kanë vjedhur materiale pune, kanë prodhuar mobilie me to dhe i kanë shitur ato, pa i deklaruar. Ata i kanë shkaktuar kompanisë, 16 milionë lekë të rinjë dëm. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje