Policia franceze ka goditur bandën e pagëzuar “Nikla”, e cila drejtohej nga i arrestuari Edison Pula.
Policia franceze ka shkatërruar një grup kriminal, të akuzuar për vjedhjen e 49 banesave në Itali. Banda kriminale synonte personazhet VIP si futbollistë, pilotë të Formula Uno dhe këngëtarë të famshëm në Francë dhe Belgjikë.
Në pranga kanë rënë 7 persona, ndërsa sipas policisë franceze kanë vjedhur rreth 1 milionë euro pasuri, ku përfshihen bizhuteri dhe artikuj lëkure luksoze. Pasi janë vjedhur, mallrat e vjedhura janë shitur në Shqipëri.
Gjashtë të dyshuar, përfshirë kreun e grupit Edison Pula, akuzohen për një sërë grabitjesh të guximshme por edhe për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Dy të parët u arrestuan më 20 janar në Luksemburg, ndërsa pesë të tjerët u kapën më 4 mars pranë Reims. Midis tyre, gjashtë u paditën, duke përfshirë edhe drejtuesin e rrjetit kriminal, shqiptari Edison Pula.
Ky i fundit, i kërkuar nga Interpoli, njihej tashmë për arratisjet e tij të shumta, përfshirë një spektakolare në qershor 2022 nga një burg italian. Francezët e kanë “pagëzuar” grupin e hajdutëve me emrin Nikla.
Policia franceze e ka cilësuar si një nga operacionet më të rëndësishme goditjen e kësaj bande.
Kujtojmë se “skifteri” i bandës së Niklës, Edison Pula u arrestua më 5 shkurt në Luksemburg. 30-vjeçari shqiptar akuzohet për disa vepra të rënda penale. Ai u identifikua falë profilit të tij gjenetik, i marrë nga më shumë se 30 vjedhje të kryera midis qershorit 2022 dhe shtatorit 2024.
Kush është Edison Pula, anëtar i bandës së Niklës?
Në vitin 2022, Pula u arratis nga qelitë e burgut të Trevisos dhe mediat italianë thonin se dyshohet se është ndihmuar nga Ndrangheta.
Ai është pjesë e bandës së Niklës që u shkatërrua në vitin 2016 në kuadër të operacionit “Shënjestra” që u zhvillua në Fushë Krujë. Pula u arrestua bashkë me 7 persona të tjerë të cilët akuzoheshin se bënin pjesë në ‘bandës së tritolit’ dhe ishte një nga pjesëmarrësit në atentatin me eksploziv ndaj ish-efektivit Gentjan Bejtja, ngjarje e ndodhur në Larushk në të njëjtin vit.
Por, edhe pse i prangosur dhe nën masa të rrepta sigurie, Pula, në momentin që zbriti nga furgoni, mundi tu shpëtojë policëve dhe të arratiset nga komisariati i Fushë Krujës. Ai ka kapërcyer murin rrethues, duke u lënë me duar bosh efektivët që sapo kishin finalizuar aksionin e shkatërrimit të bandës së Niklës.
Uniformat blu ngritën postblloqe në rrugët kryesore dhe në të gjithë zonën, por pa sukses. Edison Pula udhëtoi edhe drejt Italisë ku vijoi jetën e tij për gjashtë vite me radhë, deri në arratisjen nga burgu.
Mbi Edison Pulën rëndojnë disa vepra penale si: ‘Vrasje me paramendim e ngelur në tentativë’, ‘Shkatërrim i pronës me eksploziv’, ‘Vjedhje me dhunë’ dhe ‘Prodhim dhe mbajtje e armëve dhe municioneve luftarake’.
Lini një Përgjigje