Ben Sula, 47-vjeçari që bastisi 3 shtëpi në Golem duke marrë shuma të ndryshme parash është arrestuar nga policia.
Aksionin e tij kriminal ai e ndërmori në një ditë të vetme.
Megjithatë, me gjasë edhe për shkak të maskimit të dobët e kamerave të sigurisë, aventura e Sulës zgjati shumë pak.
Teksa 47-vjeçari do të qëndrojë pas hekurave, hetuesit po punojnë për të provuar ligjërisht vjedhje të tjera që mund të jenë kryer nga i dyshuari.
“Si rezultat i hetimeve profesionale dhe intensive, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin e disa vjedhjeve të kryera në Golem, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, kapën dhe vunë në pranga Ben Sulën 47 vjeç, banues në Rrogozhinë. Gjykata e Durrësit i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi nga hetimet rezultoi se më datë 24.12.2023, ka vjedhur në 3 banesa në Golem, shumat 30 000 lekë, 100 000 lekë, 7000 euro dhe 3000 dollarë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash, 3 ora dore, 2 m fitil zjarrpërcjellës dhe sende të tjera të dyshuara të vjedhura, si dhe doreza, kapuç, gërshërë, automjet dhe veshje që dyshohet se përdoreshin nga Ben Sula gjatë kryerjes së vjedhjeve. Po hetohet për të provuar ligjërisht vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 47-vjeçari”, tha policia në një informacion për mediat.
Lini një Përgjigje