
Policia ka goditur dy raste të mbajtjes së armës së zjarrit në mënyrë të jashtëligjshme, duke vendosur në pranga 2 persona dhe proceduar penalisht një tjetër.
Dy persona u arrestuan pasi iu gjetën armë zjarri pa leje në automjet. Njërit prej tyre përveç pistoletës pa leje iu gjet edhe një sasi parash prej 40 mijë eurosh, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale.
Gjatë operacionit u arrestua 21-vjeçari Petrit Kurti, i cili është kapur gjatë një kontrolli fizik, me pistoletë. Ndërsa xhaxhai i tij, 46-vjeçari me inicialet A.K u procedua në gjendje të lirë.
Gjithashtu, është arrestuar edhe 30-vjeçari Halit Ajazi, të cilit iu gjet një pistoletë dhe 40 mijë euro. Ai ishte i pajisur me autorizim për mbajtjen e armës së zjarrit, vetëm në banesë, ndërsa për shumën e parave nuk kishte dokument justifikues. Vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e parave.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Kontigjenti”. Gjatë 24 orëve të fundit, goditen 2 raste të mbajtjes së armës së zjarrit, në mënyrë të kundërligjshme.
Sekuestrohen 2 pistoleta, municion luftarak dhe rreth 40 000 euro të dyshuara produkt i veprimtarive kriminale.
Për të dyja rastet, vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë, 1.
Si rezultat i kontrolleve sistematike dhe atyre të mbështetura te informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, Komisariati i Policisë Nr. 5 dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Seksionin për Gjurmimin e Aseteve Kriminale, goditën gjatë 24 orëve të fundit, 2 raste të mbajtjes në mënyrë të kundërligjshme, të armëve të zjarrit. Konkretisht, në kuadër të operacionit “Kontigjenti”:
-u arrestua shtetasi P. K., 21 vjeç dhe u procedua në gjendje të lirë xhaxhai i tij, shtetasi A. K., 46 vjeç. Gjatë kontrollit fizik, në rrugën “George W. Bush”, ku 2 shtetasit lëviznin së bashku, 21-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion, që e posedonte pa leje. Ndërkaq, 46-vjeçari ka penguar zbulimin e së vërtetës, duke dhënë deklarata kontradiktore për rastin;
-u vu në pranga shtetasi H. A., 30 vjeç, sepse nga kontrolli në automjetin që drejtonte, në rrugën “Dritan Hoxha”, iu gjetën 1 pistoletë dhe rreth 40 000 euro. Ai ishte i pajisur me autorizim për mbajtjen e armës së zjarrit, vetëm në banesë, ndërsa për shumën e parave nuk kishte dokument justifikues. Vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e parave”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje