Urim Meta ka dhënë dëshminë e tij pas arrestimit, duke pranuar përfshirjen në trafikun e armëve.
46-vjeçari u ndalua në fshatin Shëngjergj, ndërsa po lëvizte drejt Tiranës me një automjet ku iu gjetën 4 kallëpe tritoli, 2 armë zjarri dhe rreth 1500 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se u përfshi në këtë aktivitet për arsye financiare.
“Tani që më kapët e pranoj gabimin. Jam marrë me trafikun e armëve sepse kisha nevojë për para. Doja të ndërtoja një shtesë te banesa ime.”, tha ai.
Sipas hetimeve paraprake, autoritetet dyshojnë se Meta mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera të trafikimit të armëve dhe lëndëve plasëse. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Ai ka treguar gjithashtu se armët dhe municionet do të shiteshin për rreth 4 mijë euro, ndërsa çdo kallëp tritoli kishte një vlerë prej 500 eurosh.
“Porosinë e kam marrë nga ndërmjetës dhe nuk e di se kush është personi fiks që do i merrte në Maqedoninë e Veriut. Unë do i çoja deri atje. Paradhënie mora 400 euro dhe pjesën tjetër do e merrja pasi të dorëzoja porosinë.”, dëshmoi në polici i arrestuari.
Lini një Përgjigje