TAGS-AT E JAVËS

Kronike21 Shkurt 2025, 20:52

U kap me mbi 1 kg kokainë, arrestohet 36-vjeçarja shqiptare

Shkruar nga Pamfleti

U kap me mbi 1 kg kokainë, arrestohet 36-vjeçarja shqiptare

Një 36-vjeçare me origjinë shqiptare u arrestua nga forcat e policisë së Sienës, të cilës i gjetën mbi 1 kg kokainë, të fshehura në zyrën e saj në provincën e Firences.

Operacioni ishte pjesë e një hetimi nga Skuadra e Sienës për të parandaluar dhe luftuar trafikun e drogës në zonën e Val d’Elsa.

Gruaja e njohur tashmë për lidhjet e saj me persona me precedentë penalë, është vëzhguar dhe ndjekur nga efektivët, të cilët kanë vendosur të kontrollojnë shtëpinë e saj.

Gjatë kontrollit, ndonëse nuk u gjet drogë, efektivët gjetën mbi 16.000 euro para të gatshme dhe material për paketimin e dozave. Kjo vërtetoi dyshimet se 36-vjeçarja e fshihte drogën diku tjetër.

Oficerët, falë intuitës që buronte nga vëzhgimet e mëparshme, e shtrinë kërkimin në vendin e punës së gruas, një kompani e vendosur në kufi me Val d’Elsa. Aty gjetën, të fshehur në sirtarin e tavolinës së saj, një çantë shpine që përmbante afërsisht 1.2 kg kokainë, të ndarë në pjesë të vogla dhe një peshore precize.

Gruaja u arrestua për posedim me dashje të drogës dhe, me urdhër të prokurorit publik, u dërgua në burgun Solliçiano. Hetimi është ende në vijim dhe provat e mbledhura do të shqyrtohen nga gjyqtari.

 

Lini një Përgjigje