Gjykata e Posaçme ka lënë në burg, Petri Lakatosin, i arrestuar si bashkëpunëtor i bandës së Çopjave në Elbasan.
Dje Prokuroria e Posaçme u sekuestroi Çopjave pasuri me dyshimet që janë vënë nga aktiviteti kriminal i kësaj organizate me në krye Franc e Hajdar Çopja. Konkretisht, SPAK ka vënë në sekuestro Solis Farm, një pikë agroturizmi në Mumajes të Baldushk-ut, godinën dhe sipërfaqen e tokës në të cilën ky operator ekonomik ushtron aktivitetin.
Godina e ‘Solis Farm’ përbëhet nga dy kate, kati i parë nga kuzhina, restoranti, ambienti i restorantit, veranda, etj dhe kati i dytë i përbërë nga dy dhoma, sallon etj. Në sekuestro janë vënë tavolina, karrige shërbimi, një kënd lojërash për fëmijë, një ambient ku mbahen shpendë të ndryshëm të cilat ndodheshin në oborr.
Vendimi për sekuestrot është firmosur më datë 18 shkurt 2025 dhe po në të njëjtën ditë është arrestuar edhe administratori i ‘Solis Farm’, Petrit Lakatos për dy akuza “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
"Në po të njëjtën datë, (18.02.2025), në orën 18:45 u procedua nga prokurori me ndalimin e shtetasit P.L., në cilësinë e administratorit të operatorit ekonomik “Solis FARM”, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm, në formën e organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287 – 28/1, 333, 334 të Kodit Penal", njofton SPAK.
Po ashtu, gjatë kontrollit personal ndaj Petrit Lakatos u gjetën dhe u sekuestruan 2940 euro, 203 mijë lekë të rinj, orë e markës luksoze Rolex, një varëse floriri me 3 diamante dhe 4 telefonë.
Vetëm një muaj më parë krerëve të organizatës kriminale të Çopjave SPAK, mes dhjetëra pasurive, u sekuestroi edhe 10 milionë $ në kripto, në bashkëpunim me policitë e disa shteteve ku ata dyshohet se vepronin me trafikun e kokainës, dhe pagesat i bënin me monedha virtuale.
Lini një Përgjigje